LAJMI I FUNDIT:

A ia vlen të luftohet për Evropën?

A ia vlen të luftohet për Evropën?

Kur Mbretëria e Bashkuar u anëtarësua në atë që atëherë qe Bashkësia Ekonomike Evropiane në vitin 1973, ajo qe në prapavijën e integrimit Evropian. Pikëpyetja e ngritur nga referendumi i qershorit në këtë vend mbi vijimin apo jo të anëtarësisë në Bashkimin Evropian, do të tregojë nëse Britania do të vihet gjithashtu në vijën e parë të disintegrimit Evropian.

Kjo është një çështje që ka pak të bëjë me marrëveshjen e parëndësishme që kryeministri David Cameron arriti së fundmi me kolegët e tij të BE-së. Në të vërtetë, është e vështirë të besohet se ajo marrëveshje do të përcaktojë zgjedhjen vendimtare të Britanisë në qershor. Çështja themelore është nëse anëtarësia në BE vijon të japë përfitime mjaftueshëm të mëdha për të kompensuar humbjen e sovranitetit që mbart anëtarësimi.

Kjo nuk është një çështje diskutimi e kufizuar vetëm në Britani. Por gjithsesi, për shumë njerëz në BE, kjo është një pyetje e vështirë për t’u shtruar, për shkak se Evropa vijon të jetë një temë e ngarkuar emocionalisht. Vetën në Britani mundet që një ministër qeverie nga e njëjta parti që e çoi këtë vend në BE, të bëjë thirrje për daljen prej saj. Asnjë politikan serioz gjerman, francez apo spanjoll nuk do të guxojë të diskutojë këtë çështje në mënyrë të hapur, e aq më pak të mbrojë idenë e një divorci.


Por pyetja në vetvete nuk mund të injorohet. Në shumicën e vendeve të BE-së, segmente të mëdha të opinionit publik janë të pakënaqur me Bashkimin dhe po shohin me simpati gjithnjë e më shumë forcat nacionaliste. Në përgjigje të kësaj gjendjeje, shumë politikanë kanë zgjedhur të lavdërojnë sa për dukje Bashkimin ndërsa theksojnë gjithnjë e më shumë zgjidhje të pastra kombëtare. Ky qëndrim inkonsistent – e me raste, thjeshtë cinik – e ka hedhur Evropën në një ekujlibër të palumtur: ajo nuk mund të kthehet pas, nuk mund të ecë përpara dhe nuk kënaq askënd.

Disa shpresojnë që debati i ashpër për anëtarësinë në BE-në, tashmë që ka filluar, do të jetë mjaftueshëm i ndershëm që çdokush të mësojë prej tij. Në veçanti, përfitimet ekonomike nga anëtarësia në BE janë një çështje që kërkon diskutim serioz.

Ekonomistët e përshkruajnë integrimin rajonal si një pazar mes zhvillimit të ekonomisë së shkallës dhe larmishmërisë së preferencave. Duke u bashkuar, vendet realizojnë përfitime në eficencë dhe ndikim, duke e paguar këtë me detyrimin për të punuar me politika të cilat nuk përputhen tërësisht me pëlqimet e tyre. Për shembul;, bizneset fitojnë akses në tregje më të mëdha dhe konsumatorët përfitojnë nga çmime më të ulëta, por rregullat janë më të përgjithshme dhe më pak të përshtatshme për nevojat specifike të biznesit. Është njësoj si të ndash një apartament: kostoja e jetesës reduktohet, por të duhet të përshtatesh me sjelljet e bashkëjetuesve.

Në Evropë, preferencat sot argumentohet se janë shumë më pak të ndryshme nga sa qenë disa dekada më parë. Ish kryeministrja britanike Margaret Thatcher dhe ish presidenti francez François Mitterrand qenë shumë të ndryshëm ideologjikisht nga sa janë pasardhësit e tyre aktualë. E vërtetë, britanikët ende janë më të prirur ndaj tregut të lirë se sa francezët, por diferencat mes tyre janë bërë gjithnjë e më të vogla. Nuk ka fakte për të pretenduar se ne jemi bërë shokë dhome gjithnjë e më të palumtur me njëri-tjetrin që nga vitet 1980.

As BE-ja nuk ka ndërhyrë në fusha ku ajo nuk prodhon vlerë të shtuar. Qeveria e parë e Cameron nisi një rishikim të kompetencave të BE-së më 2012, për të përcaktuar se cilat qenë kompetencat e BE-së dhe cilat ato që i mbeteshin Mbretërisë së Bashkuar. Një konsultim tërësor publik dhe 32 raporte të thelluara më vonë, treguan se rishikimi nuk solli ngritjen e asnjë kërkese për ndonjë riatdhesim domethënës të kompetencave nga Brukseli për në Londër.

Ndoshta për këtë arsye, avokatët e Brexit shpesh përqendrohen në argumentimin e përfitimeve në pakësim nga integrimi rajonal dhe pretendimi se Britania do të vihet në pozicion më të mirë nëse lejohet të luajë lojën e vet. E pse duhet të negociohet me partnerët në kontinent, kur Mbretëria e Bashkuar mund të bëjë tregti me të gjithë botën? A nuk janë ekonomitë e vogla dhe të hapura si Singapori duke lulëzuar?

Ka kundërshti serioze ndaj këtij argumenti. Sa për fillim, tregtia e lirë mjafton për të shitur ndonjë bluzë, por tregia në shërbime kërkon ligje të detajuara dhe institucione (të tilla si autoritete specifike për sektorë të ndryshëm) për t’i zbatuar këto ligje. Në mungesë të një aparati tërësor rregullues, shërbime të tilla si financat, shëndetësia e të tjera, nuk tregtohen dot.

Kështu, koncepti se gjithçka që nevojitet është eliminimi i tarifave dhe burokracive, është thjeshtë një fantazi e pabazë. Mbretëria e Bashkuar, e cila është shumë e fuqishme në shërbime, ka nevojë për kuadrin institucional të tregut të përbashkët të BE-së, shumë më tepër nga sa ka nevojë, fjala vjen, Polonia, e cila tregton më së shumti në mallra.

E dyta, kuadri rregullues i tregtisë botërore në vetvete aktualisht është në telashe të mëdha. Raundi i Uruguait, marrëveshja e fundit botërore për tregti të lirë, u përfundua në vitin 1994. Pasardhësi i saj Raundi Zhvillimor i Dohës, nuk është përfunduar dhe me gjasa nuk do të përfundojë kurrë. Tregtia botërore mbështetet gjithnjë e më shumë në marrëveshjet dypalëshe apo rajonale. Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, 267 marrëveshje të tilla janë në fuqi, përfshirë 49 ku palë është Bashkimi Evropian. Ndryshe nga sa perceptohet, globalizimi nuk i ka bërë marrëveshjet rajonale të parëndësishme; përkundrazi, globalizimi mbështetet gjerësisht në marrëveshje të tilla.

Për më tepër, globalizimi është një fakt delikat – dhe gjithnjë e më shumë delikat. Udhëheqësia amerikane i ka mbështetur ato në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore; por Shtetet e Bashkuara nuk e shohin më veten si një roje të rregullave shumëpalëshe. Përpjekjet e SHBA-ve për të krijuar dy zona të tregtisë së lirë mega-rajonale – Partneriteti Trans-Paqësor dhe Partneriteti Transatlantik për Tregti dhe Investime, ku asnjëra prej tyre nuk e përfshin Kinën – është një tregues i prioriteteve të Amerikës. Dhe lojtarët e tjerë të mëdhenj, nga Kina te prodhuesit e lëndëve të para, nuk kanë turp të demonstrojnë fuqinë e tyre ekonomike.

Me të gjitha dobësitë e saj, BE-ja është një lojtar i madh ekonomik që kontribuon në formëzimin e botës përreth vetes. Si një përcaktues standardesh, si negociator dhe si agjenci për zbatimin e detyrueshëm të rregullave, BE-ja ka më shumë ndikim se sa imagjinohet nga kundërshtarët e saj. Për shkak se BE-ja vetë është e bazuar në rregulla, ajo është edhe kampioni më i madh i ndërvarësisë ekonomike të bazuar te rregullat. Për këto arsye, heqja dorë prej saj është një aventurizëm i rrezikshëm.

Nëse argumentet racionale nuk e mbështesin daljen nga BE, atëherë pse është ngritur kjo çështje? Pjesërisht kjo është për pasojë se BE-ja ka zhgënjyer. Por ky është një argument për reformimin e BE-së, më shumë se sa për daljen prej saj. Pjesërisht kjo është për shkak se demokracia transnacionale nuk është realizuar. Por përgjigjja nuk është që të hiqet dorë prej saj, por për ta bërë atë të funksionojë. Pjesërisht kjo është për shkak se lidhja emocionale që mban Evropën të bashkuar është tharë. Por kjo është një arsye për të bërë ndryshime, jo për të kënaqur provincializmat. /Project Syndicate/reporter.al/