LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Pagat duhet të rriten edhe në sektorin privat

Hoti: Pagat duhet të rriten edhe në sektorin privat

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, e ka cilësuar vitin 2015 si vit mjaftë sfidues, por i cili sipas tij, është karakterizuar me një stabilitet financiar. Një ndër punët e mira që  kanë bërë gjatë vitit që e lamë pas, Avdullah Hoti gjatë në një interviste për Telegrafin e konsideron pakon e re fiskale, rritjen e asistencës sociale dhe përkrahjet e tjera. Ai ka thënë se përveç rritjes së pagave në sektorin publik, gjatë vitit 2016 duhet te ketë rritje pagash edhe në sektorin privat.

Intervistoi: Lulzim Ahmeti

Telegrafi: Sa ka qenë vit sfidues për ju dhe për Ministrinë e Financave, mbajtja stabile financiare e shtetit në përgjithësi?


Hoti: Vitin që po lëmë ka qenë një vit i sfidues, por i suksesshëm në aspektin e zhvillimit ekonomik si dhe në financat publike. Sfidat nuk janë të vogla, meqë jemi vend në tranzicion dhe me nevoja të shumta për investime publike, si në pjesën e infrastrukturës zhvillimore ashtu edhe në mbrojtjen dhe avancimin e pozitës sociale të qytetarëve. Në veçanti, në këtë vit u sfiduam me vendime të bartura për mbështetje financiare të shtresave të ndryshe sociale, ku për disa nga to mbulesat financiare nuk ishin të bollshme.

Bashkimi i Doganës dhe ATK-së

 intervista - Avdullah Hoti - foto ridvan slivova (3)

Telegrafi: Çfarë është bërë gjatë këtij viti për të orientuar mbledhjen e të hyrave brenda e jo në kufij?

Hoti:  Gjatë këtij viti konsiderojmë se kemi bërë mjaft në këtë drejtim, megjithatë, jemi mjaft të kujdesshëm në hapa në mënyrë që gjatë këtij procesi të mos dëmtohet stabilitetin fiskal që kemi ndërtuar dhe me të cilin mburremi. Fillimisht, me pakon fiskale, që njëherazi përfaqëson edhe reformën më të thellë fiskale në vend, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për makineri dhe për lëndën e parë për qëllime të prodhimit tani me nuk ngarkohen në kufi.

Në programin e Qeverisë së Kosovës 2015-2018, është planifikuar që të bëhet unifikimi i Doganave dhe Administratës Tatimore në një Agjenci të përbashkët të të hyrave. Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, ka miratuar planin inicial për këtë reformë të madhe. Është themeluar Grupi Koordinues me përfaqësues të Doganës dhe Administratës Tatimore dhe ekspertë të jashtëm dhe vendorë. Ky projekt është duke u mbështetur me asistence teknike dhe financiare nga donatoret si FMN dhe GIZ. Planifikohet që procesi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të përfundojë në fund të vitit 2016.

Telegrafi:  Buxheti as këtë vit nuk është dy miliardë euro. Sa realisht ai i plotëson nevojat?

Hoti:  Fillimisht, ne jemi mjaft të kënaqur me ecurit e të hyrave buxhetore gjatë këtij viti, sinjal ky që tregon për aktivitet të shtuar të ekonomisë në vend si dhe shenja për rezultate në luftën kundër ekonomisë jo-formale. Kuvendi ka aprovuar Buxhetin për vitin 2016 në një masë prej rreth 1.68 miliard euro, shifër e cila përfaqëson një rritje të konsiderueshme me dy vitet paraprake. Buxheti për vitin 2016 është miratuar nga Kuvendi i Kosovës brenda afatit ligjor. Buxheti është në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe stabilitet buxhetor dhe është plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë  euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014.

Në veçanti, në buxhetin e vitit 2016 është rritur për 25% asistenca sociale për 27 mijë familje që janë në këtë skemë. Është rritur për 34% buxheti për skemat pensionale të financuara nga shteti për mbi 40 mijë pensionistë kontribut dhënës. Është ndarë buxhet i mjaftueshëm për kompensimin e përvojës së punës për 80 mijë të punësuar në sektorin publik për gjithë vitin, që është një kosto prej 40 milionë euro. Vazhdohet mbështetja e bujqësisë. Kemi siguruar financim të plotë të pensioneve për veteranët dhe kategoritë e tjera të luftës, në vlerë prej 25 milionë euro. Kemi akomoduar plotësisht shpenzimet nëpër organizata buxhetore që derivojnë nga agjenda integruese e Kosovës, që është rreth 6 milion euro. Kemi rritur buxhetin për organet e drejtësisë, për prokurorinë me 13% dhe gjyqësinë me 6%, për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme. Kemi rritur buxhetin për Forcat e Sigurisë së Kosovës me 9%, për modernizim dhe përmbushje të standardeve për transformimin e kësaj force në ushtri.

Buxheti për shpenzime kapitale prej 463 milionë euro mundëson financimin e 39 shkollave dhe anekseve shkollore në mbarë vendin; ndërtimin e objekteve për universitetet e reja në Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë; 25 objekteve sportive; 4 qendra rinore; mbi 24 objekte të ndryshme në fushën e shëndetësisë primare, sekondare dhe terciare;  15 objekteve të kulturës dhe artit, mbi 116 rrugëve të ndryshme regjionale dhe lokale në tërë Kosovën; financimin e mëtejshëm të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe të projekteve të tjera kapitale që janë në vijim e sipër; mbi 30 projekte në ujëra dhe mbrojtje të mjedisit; kemi bërë rritje të financimit për blerjen e pajisjeve të nevojshme për ristrukturimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Vlen të theksohet se gjatë 2015 kemi nënshkruar 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar në vlerë totale prej 143 milionë euro, prej të cilave 107 milionë janë kredi dhe 36 milionë euro grante.

Parashikimet mbi zhvillimin ekonomik në vend janë mjaft pozitive dhe pritjet gjithashtu janë mjaft optimiste, dhe presim që në përmbyllje të mandatit Kosova të ketë shënuar rritjen me të madhe ekonomike që nga periudha e pasluftës dhe e cila do të reflekton edhe në Buxhetin e Republikës se Kosovës.

 intervista - Avdullah Hoti - foto ridvan slivova (12)

Raportet me FMN-në

 

Telegrafi:  Çfarë janë raportet e Kosovës me FMN-në dhe a do të merrni ndonjë hua për ndonjë projekt gjatë vitit 2016?

Hoti: Një arritje e konsiderueshme konsideroj se është raporti shumë i mirë ndërmjet Kosovës dhe FMN-së, arritja e dakordimit për hyrje në program 22 mujor me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Programi parasheh shumë reforma fiskale, ekonomike e financiare, me objektivin kryesor ruajtjen dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të stabilitetit buxhetor dhe financiar, dhe rritjen më të madhe të ekonomisë. Si rezultat i zbatimit të suksesshëm të këtyre reformave nga Qeveria e Kosovës, Fondi Monetar tanimë ka disbursuar pjesën e parë të financimit prej 35 milion euro, ndërsa priten edhe disbursime tjera në muajt e ardhshëm. Vlera totale e financimit përmes këtij programi mund të shkoj deri në 185 milion euro. Hyrja në program me Fondin Monetar dhe implementimi i tij me sukses, pos që ka ndikuar në implementimin e reformave, ka ndikuar edhe në përmirësimin e reputacionit të Kosovës në raport me partnerët e jashtëm dhe investitorët, me që një program i tillë e shton kredibilitetin e qeverisjes dhe të institucioneve.

Përmes këtij programi ne kemi ndryshuar rregullën fiskale që ka qenë shumë kufizuese për financimin e projekteve të mëdha kapitale. Nga viti i ardhshëm, ne do të fillojmë negociatat me institucione financiare ndërkombëtare për të financuar projekte të mëdha kapitale përmes kredive me kushte të volitshme. Ky program, për dallim nga shumë vende të tjera dhe gjithashtu të gjitha programet që ka pas Kosova me herët, ka disa pika mjaft të veçanta. Pra, gjatë vitit 2016 e tutje ne mund të ekzekutojmë shpenzime përmbi rregullën fiskale.

intervista - Avdullah Hoti - foto ridvan slivova (8)

Autostradat nuk ndalen

Telegrafi: Shumë para viteve të fundit kanë shkuar për përmirësimin  e infrastrukturës rrugore.  A ka buxhet të mjaftueshëm për ta përfunduar Autostradën për Shkup dhe kur mund të filloi ndërtimi i Autostradës për Gjilan?

 Hoti:  Është e natyrshme që investimet publike, në një vend me trashëgimi të dobët infrastrukturore, të jenë të orientuara në pjesën e përmirësimit të infrastrukturës bazike. Në ketë drejtim, besojmë se me përfundimin e këtyre projekteve do ta kompletojmë këtë segment të investimeve publike dhe të kemi infrastrukturë mjaft moderne.

Sa i përket pjesës se financimit, rrugën 6 si dhe të gjitha projektet e tjera të filluara i kemi në projeksionet tona fiskale dhe si të tilla edhe janë të buxhetuara. Njëkohësisht, ne kemi filluar edhe me investime në infrastrukturën hekurudhore, pjesë mjaft e nevojshme për lidhjet tona me regjionin dhe nga aty me tregjet ndërkombëtare. Me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është nënshkruar marrëveshja për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10 në vlerë 39.9 milionë euro si dhe me Bankën Evropiane për Investime në vlerë prej 42 milionë euro.

Gjithashtu, shumë shpejt fillon edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë, i cili njëkohësisht është edhe investimi privat më i madh që nga lufta. Me përmirësimin e këtyre segmenteve rrugore, energjetike dhe hekurudhore, do të përmbushet nevoja për investime kapitale në infrastrukturën bazike, si kusht elementar për aktivitetin ekonomik. Në periudhën afat-mesme prioritetet e investimeve të mëdha publike do të kenë orientime tjera, ku shëndetësia dhe arsimi do të jenë pjesa ku investimet e mëdha kapitale do të jenë të orientuara.

Telegrafi:  Sa është stabil sistemi bankar dhe a mund të presim ulje të kamatave për kredit?

Hoti:  Sistemi jonë bankar tani më ka kaluar disa faza të pjekurisë dhe ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe stabilitet të lartë dhe njëkohësisht likuiditet të mjaftueshëm. Si rezultat i pjekurisë së sistemit dhe masave të ndërmarra për forcimin e shtetit ligjor,besimi i këtij sistemi ndaj sektorit privat ka filluar të forcohet dhe kjo është reflektuar në normat e interesit në kredi. Nga fillimi i këtij viti për herë të parë kemi norma të kamatës një shifrore dhe në rënie. Megjithatë, ne jemi mjaft të bindur se sektori ynë privat ka shkallën më të ulet të rrezikshmërisë dhe se përmbushja ndaj obligimeve bankar është mjaft e lartë. Kjo duke u bazuar në normën mjaft të ulet të kredive jo-performuese. Ne gjithashtu kemi marr disa hapa për krijimin e kushteve më të favorshme të sigurisë, të cilat reflektohen në uljen e normave të interesit në kredi, siç është skema për garantimin e kredive. Rrjedhimisht, presim që normat e interesit në kredi të vazhdojnë këtë trend rënës dhe se ky ritëm të përshpejtohet tutje nga skema jonë e përbashkët me donatorët për garantimin e kredive.

intervista - Avdullah Hoti - foto ridvan slivova (9)

Telegrafi:  A do të ketë rritje të pagave dhe nëse po sa do të jetë kjo rritje? Me çfarë kosto?

Hoti:  Me amendamentin e Ligjit mbi Financat Publike kemi ndërtuar mekanizëm ligjor, i cili do të kujdeset për rritjen e pagave në sektorin publik. Në bashkëpunim me FMN-në kemi vlerësuar se pagat në sektorin privat duhet të rriten në proporcion me normën nominale të rritjes ekonomike, pra ngritja e pagave të jetë e lidhur ngushtë me një indikator të zhvillimit ekonomik. Dhe me këtë, do të korrektojmë disbalancet ekonomike ashtu që rritja e pagave të jetë në përputhje me ngritjen e produktivitetit të gjithëmbarshëm ekonomik. Megjithatë, gjatë vitit 2015 kemi arritur që të rrisim pagat nga 4% deri në 22%, që mesatarisht është rreth 7% për shkak të përvojës së punës. Ne kemi rritur për 25% asistenca sociale për 27 mijë familje që janë në këtë skemë; të rrisim për 34% buxheti për skemat pensionale të financuara nga shteti për mbi 40 mijë pensionistë kontribut dhënës; është ndarë buxhet i mjaftueshëm për kompensimin e përvojës së punës për 80 mijë të punësuar në sektorin publik për gjithë vitin, që është një kosto prej 40 milionë euro.

Telegrafi:  Sa parashikohet të jetë rritja ekonomike gjatë vitit që vjen dhe sa realisht është e mundshme të arrihet?

 Hoti:  Viti 2014 ka qenë një vit i vështirë. Në vitin 2015arritëm që me masat fiskale të ndërmarra të kthejmë besimin e investitorëve dhe rrjedhimisht të shënojmë një rritje ekonomike prej rreth 3.8%. Parashikimet fillestare mbi rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm janë në mase prej 4%.Vlerësojmë se këto parashikime janë mjaft konservative dhe nuk marrin parasysh ende zhvillimet e fundit në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike si dhe zhvillimet në projektit e Brezovices dhe disa projekte tjera në sektorin e agrikulturës. Pra me realizimin e këtyre projekteve si dhe një ambient i jashtëm gjithmonë e më i favorshëm, në vitet vijuese, jemi të bindur se do të kemi norme reale të rritjes ekonomike dukshëm më të larta. Vlerësojmë se këto pritje janë mjaft realiste duke pas parasysh nivelin e investimeve që do të fillojnë si dhe masave të ndërmarra për mbështetje të vazhdueshme të sektorit privat.

Telegrafi:  Është raportuar se keni kursyer gjatë këtij viti, sa është shuma dhe në çfarë është kursyer?

Hoti:  Nga fillimi i mandatit kemi filluar me një racionalizim të rreptë në pjesën e shpenzimeve. Jemi duke punuar që këtë racionalizim ta shtyjmë tutje dhe të instalojmë një praktikë të kujdesit të shtuar në alokimin e mjeteve publike. Kemi racionalizim tek pjesa e mëditjeve dhe gjithashtu një racionalizim në mase mjaft të madhe tek mallrat dhe shërbimet dhe tek disa zëra tjerë buxhetore që në total janë në rreth 60 milion. E them prapë, me këtë trend të racionalizimit do të vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme dhe kështu këto mjete t’i drejtojmë në prioritete që kemi si qeveri. Gjithashtu, ne si Ministri e Financave e kemi edhe një përgjegjësi tjetër nga ato të akorduara me ligj. Si gardian të buxhetit të vendit, në të gjitha funksionet operacionale, mundohemi të racionalizojmë në maksimum shpenzimet e parasë publike dhe kështu të vejmë një shembull për organizatat e tjera buxhetore. /Telegrafi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

India, anëtare e BRICS refuzon de-dollarizimin - përqafon dollarin amerikan

Botë
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Meritaterm vazhdon kampanjën me super zbritje prej 33% për pompën termike më të mirë në treg, Toshiba

Ekonomi
Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Foleja Home: Produkte cilësore dhe moderne për shtëpinë dhe zyren tuaj

Ekonomi
Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Kjo është super platforma për menaxhimin e procesit të dhënies dhe marrjes me qera të veturave

Ekonomi
Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Vezët Bio REA-s: Zgjedhje e shëndetshme për familjen tuaj

Ekonomi
Kalo në kategori