LAJMI I FUNDIT:

Heronjtë, viktimat dhe “kurbanët” – mbetje për kusuritje politike

Është normale dhe logjike që gjatë luftës ka trima, ashtu siç ka edhe frikacakë. Nuk duhet gjykuar individin që frikësohet nga lufta, por nuk duhet tejçmuar as trimin. E, assesi nuk duhet mitizuar askënd, sepse çdo luftë lë pas vete heronjtë, viktimat dhe “kurbanët” e vet, bashkë me ta edhe hapësirën për studim, opinione ndryshe, paragjykime dhe manipulime.

Është e dhimbshme kur këtë hapësirë e shfrytëzojnë të prishurit, të cilët kryesisht për qëllime të ulëta përfituese, pretendojnë të personalizojnë e të mitizojnë veçanërisht me veprat dhe emrat e heronjve. Thuhet se luftën e iniciojnë të mençurit, e bëjnë trimat, ndërsa përfitojnë nga ajo matrapazët. Andaj edhe është e domosdoshme që studiuesit të tregojnë troç se kush “përket” ku pas luftës. Sepse, vetëm populli që e njeh historinë e vet, trajton me ndershmëri iniciuesit dhe trimat, e nuk lejon të manipulohet nga matrapazët.

Por Kosova, ose prej padijes ose qëllimisht, asnjëherë nuk e qartësoi se heronjtë konsiderohen të jenë ata që kanë rënë në fushëbetejë apo duke luftuar deri në frymën e fundit, për të mbrojtur një ideal të caktuar. Viktima – të gjithë ata që në parim nuk kanë rezistuar fizikisht, por megjithatë janë burgosur, keqtrajtuar, dhunuar, vrarë e asgjësuar nga palët e përfshira në luftë. Gjersa, të ashtuquajturit “kurbanë”, konsiderohen ata që fillimisht janë manipuluar e mandej vrarë, asgjësuar – kryesisht në mënyrë që pastaj të përdoren nga grupe të caktuara të interesit, qoftë për tendenca dominuese apo përfitime materiale, politike etj.


Si rezultat i kësaj paqartësie, Kosova mbetet vendi ku me qëllim të caktuar, nga klane të caktuara, të tri grupet e lartpërmendura janë “shkrirë” në atë të parin. Bile, ka raste kur disa janë vrarë pas luftës, qoftë nga plumbat qorre të vitit të ri apo edhe nëpër kafene, e janë shpallur heronj. Kjo “shkrirje” ose ka pasur për qëllim që të zbeh kontributin e heronjve të vërtetë, ose ka ardhur si pasojë e ndjenjës së munguar të rezistencës nga persona të caktuar. Njëkohësisht, ky është një tregues që ne si popull nuk i nderojmë viktimat, por vetëm heronjtë.

Eh, të mjerët ne sa shpejt harruam që shpëtuam, pikërisht nga të qenit viktimë e jo hero. Mbrojtja e viktimave u bë shkak për intervenim ushtarak nga NATO-ja në Kosovë, e jo “trimëria” e komandantëve të Bllacës. Sidoqoftë, e keqja trashet edhe më shumë, kur si rezultat i kësaj mosdijeje apo poshtërsie, sot çdo klan i ka heronjtë e vet. Dhe, secila palë tejçmon heronjtë e vet dhe përbuzë ata të palës tjetër. Rrahin fort tavolinat e spërkasin çdo gjë përreth me pështymën e tyre të ndytë, duke pretenduar se pavarësisht luftës kundër armikut të përbashkët dhe qëllimit të njëjtë, njëra palë është më meritore se tjetra për “çlirimin” e Kosovës. Pastaj, po të njëjtit në emër të “meritave të luftës”, e si “bashkëluftëtarë” e “familjarë” të këtyre heronjve, kanë uzurpuar prona, kanë manipuluar me tenderë multimilionësh, kanë bërë shkarkime-emërime e punësime të pamerita, kanë fituar tituj shkencorë etj.

Në anën tjetër, të gjithë ne që sipas tyre s’jemi bashkëluftëtarë apo familje e dëshmorit, nuk kemi asnjë të drejtë as të flasim për ta, e lëre më të hulumtojmë, të paraqesim fakte, apo t’i duam e t’i mbrojmë vlerat e tyre.

Dhe ne, fatkeqësisht, u dorëzuam përballë matrapazëve. Në vend të rezistencës me anë të argumenteve dhe vetëdijesimit të tyre se dëshmorët ranë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, andaj të gjithë duhet të jemi gardianë të vlerave të tyre, ne zgjodhëm heshtjen! E, i lejuam ata që e përmendin në vazhdimësi gjakun e derdhur – ta keqpërdorin atë më së shumti.

Si rrjedhojë, deshëm ne ose jo, në këtë mënyrë, të gjithë së bashku, shkelem me të dy këmbët, mbi gjakun akoma të paterur të atyre që ranë për çlirimin e Kosovës. S’mbeti gjë e keqe pa u bërë në emër të atyre që dhanë jetën për këtë vend. Por, të gjitha këtyre i vuri kapak skandali i radhës. E ai është heshtja e intelektualëve, opinionbërësve, e edhe e qytetarëve, karshi lajmit që shtatorja e Heroit Kombëtar Adem Jashari, nëpërkëmbet nëpër plehra në Tiranë.

Kjo heshtje për mua konstaton se jemi të pavlerë. Disa nga ne përdhosim vlerat tona, e të tjerë gjithashtu nga vet ne, heshtim e nuk na bëhet vonë për këtë punë. Madje, aq na janë mësuar sytë me gjysmëterrin, saqë aty ku gjithherë bëhemi të zgjuar, pra nëpër kafene, dëgjon edhe zëra nga vet “intelektualët” se “duhet të presim ndonjë reagim nga familja ose partia”!

Por, a nuk ra ai për të gjithë ne?! Dëshmorët e kalibrit të Adem Jasharit nuk i takojnë vetëm familjes apo një grupi të caktuar, por të gjithë qytetarët kanë hise në veprën e tyre të pavdekshme. Ne heshtim, e edhe ata që dikur patën personalizuar këtë hero dhe financuan mitizimin e figurës së tij, heshtin! Kemi mbetur duke pritur reagim nga njëri-tjetri, edhe pse në kushte normale të gjithë duhet të reagojmë njëzëri.

Pikërisht kjo është dëshmia e radhës që ne nuk e kemi shkruar dhe paraqitur mirë as edhe historinë më të re të popullit tonë. Sepse, thjesht, nuk dihet qartë se kujt i takon dhe kush duhet të reagojë për nëpërkëmbjen e figurës së njeriut që hiq më shumë se para 15 viteve, për këtë popull rrëqethi botën me sakrificën e tij fisnike!

Megjithëse nga krejt kjo katrahurë të paktën doli në shesh që të gjitha klanet që investuan në mitizimin e figurave të heronjve, që sipas tyre janë vetëm të tyre, e paskan pasur vetëm për të fituar vota e pushtet, sepse tanimë duket që nuk po ju “kërcet” dhe aq për amanetet e Adem Jasharit e të dëshmorëve të tjerë.

Para disa muajve, gjithashtu doli në shesh që kishin qenë po të njëjtit “bashkëluftëtarë” që kishin gëlltitur paratë e parapara për të blerë municion për Adem Jasharin. E, Zoti e di se çka tjetër do të na del në shesh në të ardhmen…!

Të jetuarit me një vend me të kaluar të paqartë dhe me më shumë “histori” sesa që mund të konsumohet, bën që jo rrallë të ballafaqohesh me gjëra të trishtueshme! Ndodhi si këto që u trajtuan në këtë copë letre, janë thirrje që sidomos studiuesit të kthjellen. Sepse, ata kanë për mision që me analizat e tyre të paanshme të edukojnë masën, të ndryshojnë mentalitete, e të nxjerrin në pah të vërtetën, sepse ajo është në të mirë të të gjithëve.

Historia nuk duhet të shkruhet për të bërë gjeneratat e sotme të ndihen mirë me të kaluarën e tyre, por të përkujtojë ata se në përgjithësi gjërat janë të komplikuara. Ne nuk kemi nevojë t’i personalizojmë, e aq më pak t’i mitizojmë figurat e heronjve. Por, duhet theksuar se dëshmorët janë njerëz të zakonshëm, mirëpo mënyra se si ata zgjedhën të vdesin, i bënë të veçantë, për dallim nga të zakonshmit e tjerë. Tek e fundit vet Zoti i ka ngritur dëshmorët në pozitë të lartë dhe krejt çka na mbetet neve është t’i paraqesim ashtu siç janë!

Përndryshe, derisa s’piqemi intelektualisht dhe s’e trajtojmë historinë si duhet, do të manipulohemi gjeneratë pas gjenerate. E ashtu si edhe sot, do vazhdojmë të kemi një suficit të paimagjueshëm të "heronjve, martirëve, patriotëve dhe veteranëve".

Vërejtje: mos të shkruhet historia për qejf të askujt, por për të mirën e popullit!