LAJMI I FUNDIT:

Hapet fabrika e veshjeve sportive në Podujevë

Hapet fabrika e veshjeve sportive në Podujevë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar lartë hapjen e fabrikës së tekstilit “Sprint” në fshatin Letanc të Podujevës. Kjo fabrikë do të prodhojë veshje sportive.

Mustafa tha se janë të rëndësishme investimet dhe iniciativat biznesore për furnizimin e tregut dhe rritjen e konkurrencës së brendshme në tregun kosovar.

Ai me këtë rast tha se është me rëndësi të madhe që komuna e Podujevës, po merr masa për krijimin e kushteve më të volitshme për investitorët vendorë s a i përket edhe lirimit nga taksat komunale.


Sipas Mustafës, edhe në nivelin qendror me programin qeveritar janë përcaktuar që të krijojnë kushte më të mira për bizneset.

“Zhvillimi jonë nuk mund të bëhet jashtë zhvillimit privat. Qeveria e Kosovës do të punojë shumë, në mënyrë që të përkrah sektorin e biznesit privat, përkrah punësimin dhe përkrah zhvillimin, sepse nuk ka forcim të shtetit, forcim të demokracisë dhe integrimit tonë pa zhvillim ekonomik”, tha kryeministri Mustafa.

Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu u shpreh i kënaqur me investimet që janë bërë për punësimin e qytetarëve të kësaj komune.

“Përveç që kemi planifikuar programe të reja për ndërmarrësi për vitin 2016, kemi planifikuar edhe Fondin për Zhvillim Ekonomik Lokal që do të jetë në funksion të bizneseve fillestare dhe atyre ekzistuese. Duke u bazuar në kompetencat ligjore të nivelit lokal, ne jemi në proces të ndryshimit të rregullores për taksat dhe tarifa komunale ku një prej pikave parasheh edhe lirimin nga taksa komunale për 3 vjet për bizneset që udhëhiqen nga femrat si dhe ato nga mërgimtarët që investojnë kapitalin e tyre në komunë”, tha Veliu.

Ndërsa, drejtori i USAID-it, në Kosovë, James Hopp, theksoi se gjithë hapja e një fabrike të re është një ngjarje e gëzueshme dhe është një hap në drejtim të rritjes së punësimit dhe zhvillimit.

Edhe Albulena Sopa në emër të kompanisë “Sprint”, ka falënderuar të gjithë ata që kanë përkrahur familjen e tyre për hapjen e fabrikës së tekstilit.

Ndryshe, kjo fabrikë për momentin ka arritur të punësojë 20 punëtorë, ku drejtues të kësaj kompanie premtojnë shumë shpejt që ky numër të rritet në 200. /kp/