LAJMI I FUNDIT:

Hakmarrja me shërbim sekret

Hakmarrja me shërbim sekret

Libri “Vengeance” (Hakmarrja), për herë të parë është botuar më 1984. Deri në vitin 2005 ky libër është ribotuar tetë herë. Një ribotim kaq i madh, dhe me tirazh të lartë, flet për interesimin e madh të lexuesve. Libri, që për autor ka George Jonasin, gazetar dhe shkrimtar kanadez me origjinë hungareze, nuk shquhet për ndonjë stil të veçantë të shkrimit. Ajo që e bëri këtë libër kaq shumë të kërkuar është zhanri kriminalistik (spiunimi), si dhe ngjarja që trajtohet në te.

Gjatë dy dekadave të fundit ky libër ka shkaktuar shumë debate të ngritura mbi baza politike, juridike, morale etj. Ky libër, në një masë të konsiderueshme, ka shërbyer edhe si inspirim për skenar të filmit “Munich”, të regjisorit Steven Spielberg.

Me 5 shtator 1972, gjatë Lojërave Olimpike në Munih, në fshatin olimpik të këtij qyteti u vranë (ekzekutuan) 11 atletë izraelitë nga një grup i palestinezëve i quajtur “Shtatori i Zi”, që u cilësua si një grup i rrezikshëm terrorist. Për shtetin izraelit, ngjarja nuk përfundoi këtu. Ky libër përshkruan situatat që ndodhën pas këtij momenti, si dhe masat dhe aktivitetet që ndërmori shërbimi sekret izraelit MOSAD për të gjetur dhe dënuar (ekzekutuar) përgjegjësit e vrasjeve të atletëve të tyre.


“Avner” është emri i koduar i agjentit, i cili kur u ngarkua me këtë operacion kishte vetëm 26 vjet. Autori Jonas në libër paraqet tregimin e “Avnerit”, i cili për shkaqe juridike e politike, por më shumë për shkaqe të natyrës së punës që ka kryer, nuk ka mundur të jetë vet autori dhe as të publikojë emrin e tij të vërtetë.

Tregimi fillon me mënyrën e rekrutimit të “Avnerit” nga MOSAD-i. Pastaj, në katër kapituj, shpaloset mënyra e rekrutimit të agjentëve tjerë, krijimi i grupit, si dhe planifikimi dhe zbatimi i tërë misionit që për qëllim pati hulumtimin, gjetjen dhe vrasjen e palestinezëve “përgjegjës” nëpër vende të ndryshme të Evropës. Rrëfimi dhe karakteri i ngjarjes bënë që ky libër të lexohet me një frymë. Lexuesi, shpesh, mund të mbetet edhe pa frymë nga shpalosja e ngjarjeve, që jo vetëm të habisin, por edhe të rrëqethin deri në pabesueshmëri dhe në trishtim.

Është jashtëzakonisht interesant se si vendoset grupi i këtyre agjentëve në Evropë, duke e themeluar qendrën në Gjenevë të Zvicrës. Nga Gjeneva bëhen lëvizjet në shtetet tjera të Evropës, për të gjetur emrat e listës së gjatë që kishte krijuar MOSAD-i.

Është interesant të shohësh se si blihen dhe si shiten informatat e fshehta. “Bashkëpunimi” i MOSAD-it, në disa segmente, bëhet edhe me organizata terroriste, siç ishin Brigadat e Kuqe të asaj kohe. Bashkëpunimi dhe tregtia bëhet me gjithkënd, në çdo kohë dhe në çdo vend, nëse arrihet qëllimi.

Operacioni planifikohet dhe ekzekutohet duke patur kujdes të madh që të mos shqetësohen shërbimet sekrete të vendeve ku veprohet. Kujdes i madh tregohet ndaj MI6, por sidomos ndaj ish-KGB-së. Mënyra se si bëhen përgjimet telefonike, vëzhgimi, përcjellja e njerëzve, huazimet e veturave, vënia e femrave në shërbim, marrja me qira e shtëpive, falsifikimi i dokumenteve (pasaportave) etj. përbëjnë ndoshta një doracak të mirë që mund t’iu shërbej agjencive të shërbimeve sekrete të shteteve të vogla.

Planifikimi dhe ekzekutimi i vrasjeve bëhen në detaje dhe me precizitet mikroskopik. Dhe, tërë këtë operacion e udhëheq një i ri cili nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në çështjet e punëve sekrete.

Nga tregimi i “Avnerit” del se të gjitha punët janë të mundshme. Duhet patur vetëm përkushtim të pamposhtur dhe dashuri të pakufishme ndaj shërbimit sekret apo ndaj atdheut. Sipas “Avnerit”, agjenti sekret nuk ka nevojë të posedojë asnjë cilësi apo kualitet tjetër të jashtëzakonshëm. Ai është një 26-vjeçar, me përgatitje shkollore të mesme, me trup, shëndet dhe inteligjencë mesatare. Sikur edhe çdo izraelit tjetër, “Avner” ka tri vite përvojë ushtarake. Madje, para rekrutimit, ka qenë i papunë gati një vit. Të gjitha këto fakte do të shërbenin si inspirim për çdo të ri që synon të ketë sukses në agjenci të ngjashme në çdo shtet normal që tregon kujdes për qytetarët e vet.

Por, sa është i vërtetë ky tregim? Aspak, sipas MOSAD-it. Zyrtarisht (kuptohet), MOSAD-i kurrë nuk ka pranuar se ka patur, e aq më pak, që ka ekzekutuar një plan të tillë. Atëherë, pyetja që pason është: pra, kush i vrau aktivistët e PLO-së, siç ishin Mahmud Hamshari, Abd Al Kiri, Basil al Kubaisi, Muhamed Boudia, Ali Hasan Salamehi etj.? MOSAD-i, natyrisht, sipas agjentit “Avner”.

Nuk ka dyshim se që të gjithë ata që kanë lexuar këtë libër, sikur edhe ata që nuk e kanë lexuar, përgjegjësinë për këto vrasje ia hedhin MOSAD-it. Madje, edhe në librat dhe programet dokumentare, të botuar në lidhje më MOSAD-in, siç janë “The Israeli Secret Service” të gazetarit Richard Deacon, “The Spymasters of Israel” të Stewart Steven, apo të “Hit Team” të autorëve D. Tinning dhe D. Christensen, është folur për këto vrasje dhe është bërë me dije për involvimin e plotë të MOSAD-it.

Metodat e punës, me të cilat angazhohet “Avner” janë të ngjashme me ato të përshkruara në librin “Spy – A Handbook” (Doracak për Spiun) të autorit Harry Ferguson, të botuar në Londër më 2004. Ky libër, i botuar gati njëzet vjet pas librit “Vengeance”, tregon mënyrën e punës së një spiuni, të cilat mënyra i ka zbatuar “Avner” njëzet vite më herët.

Ky fakt ka zgjuar debatin që përcjell jo vetëm mospajtueshmëri, por edhe hidhërim në mesin e shumë intelektualëve dhe organizatave të ndryshme. Këtu kemi të bëjmë me një hakmarrje që ka organizuar shteti, punën dhe sjelljen e të cilit e përkufizojnë një varg ligjesh dhe rregullash, duke e autorizuar të veprojë apo të mos veprojë në rastet e caktuara. Veprimi i shtetit izraelit konsiderohet i palejueshëm, pasi që është jashtë dhe kundër çdo rregulle juridike. Një shteti nuk i lejohet të veproj jashtë territorit të tij në këtë masë dhe cilësi.

Raste të tilla, të vrasjeve, ka ushtruar edhe sigurimi sekret (UDBA) jugosllave, duke vrarë udhëheqës dhe aktivistë politikë shqiptarë të Kosovës në vendet perëndimore. Sigurimi jugosllav në Gjermani ka vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën, kurse në Belgjikë ka vrarë Enver Hadrin.

Tekefundit, edhe brenda kufijve nuk lejohet vrasja e njerëzve, pa iu dhëne rasti i gjykimit ku do të vërtetohej apo hidhej poshtë akuza që ngre shteti. Sidoqoftë, dihet që Izraeli nuk qanë kokën shumë për ligje në situata kur konsideron se në rrezik është çështja e sigurisë së shtetit.

Poenta e këtij rasti është hakmarrja që ka organizuar Izraeli për vrasjen e atletëve. Kurse, porosia e shtetit izraelit do të ishte: kushdo që sulmon Izraelin apo shtetasit e tij, ne do t’i gjejmë dhe do t’i eliminojmë.

Duhet theksuar se në këtë vepër, rastësisht apo me qëllim, bëhet demistifikimi i MOSAD-it. Këtu del se MOSAD-i nuk është ndonjë shërbim kolosal siç mendohet. Merret vesh që kjo organizatë nuk udhëhiqet dhe nuk përbëhet nga një numër shumë i madh i agjentëve, të cilët nuk posedojnë domosdoshmërisht aftësi të jashtëzakonshme. Po ashtu, ofrohet përshtypja se nuk kushton shtrenjtë për ta mbajtur shërbimin, për arsye se ekzistojnë masa të veçanta që dekurajonë agjentët për të harxhuar më shumë se sa për nevojat më elementare.

Shumë detaje, të paraqitura në këtë libër, do të mbesin kontroverse dhe gjithmonë të përcjella me dyshim, pasi që kurrë nuk do të vërtetohen. E tillë është natyra e shërbimit sekret. Sikur këto ndodhi të vërtetoheshin dhe të bëheshin publike, nuk do të quheshin sekrete dhe as nuk do të ishin interesante. Ky është fakti dhe arsyeja që literaturën e këtij lloji e bën tërheqëse duke e ngacmuar pa masë kureshtjen e të interesuarve. Prandaj, libri “Vengeance” është ribotuar kaq shumë herë dhe vjen si përgjigje për të shuar etjen dhe “lazdruar” kureshtjen që kanë lexuesit për tregime të këtilla.

Në trend

Më shumë
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Magazina
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Magazina
Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Amerika
Kalo në kategori