LAJMI I FUNDIT:

Hakmarrja e Amerikës

Hakmarrja e Amerikës

Në këto ditë me vapë, periudhë pushimesh, shumica përpiqemi të pushojmë duke mos shikuar shumë lajme në televizor, lexojmë romane dhe ëndërrojmë një vjeshtë më të mirë. Dhe, derisa ne po rrezitemi, aleati ynë rajonal, Turqia, po bombardon kurdët, aleatët e SHBA-ve në luftën kundër ISIS-it, gjersa vetë SHBA-të, aleati ynë kryesor, perandoria më e fuqishme e të gjitha kohërave, vazhdon dhe sfidohet nga të katër anët.

Është shumë shqetësues fakti se kësaj radhe Amerika nuk po kërcënohet vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Javën e kaluar, ish-gjenerali Wesley Clark tronditi opinionin kur deklaroi se "të gjithë armiqtë e brendshëm të SHBA-ve, duhet të izolohen në kampe përqendrimi". Ndërkaq, tregjet botërore vazhdojnë dhe shënojnë rënie enorme gjatë fillimit të gushtit, një paralajmërim ky se shtatori mund të sjellë një kolaps global financiar, i përcjellë me trazira dhe konflikte të hapura gjithandej globit, pra dhe afër kufijve tanë.

Tani që Hungaria e ndërtoi murin në kufi me Serbinë, kërcënimi për rajonin e Ballkanit nga ISIS-i po rritet – nga kjo organizatë që ka për synim kalifatin global, tashmë me strategjinë e saj të njohur dhe të suksesshme duke e marrë kalanë nga brenda, të ndihmuar nga luftëtarët e huaj.


Kjo situatë është alarmante për sigurinë tonë, por ende nuk shihen masa urgjente në ruajtjen e kufijve të Kosovës, para se të bëhet tepër vonë. Kosova vazhdon të sfidohet nga Serbia, dhe derisa ata po festojnë fitoren e radhës, kërkesat e tyre nuk duket se do përfundojnë me Gjykatën Speciale: ata do të vazhdojnë me idenë e kantonizimit të Kosovës nëpërmes "Zajednicës" dhe pas ndonjë inskenimi të mundshëm, ata do të kërkojnë edhe kthimin e njëmijë policëve serbë në territorin e Kosovës, si pasojë e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës.

Kosova vazhdon të mbetet në defansivë! Gjykata Speciale do ta dëmtojë rëndë imazhin e UÇK-së dhe të Kosovës, por njëkohësisht do ta çlirojë Kosovën nga komandantët e paskrupullt të cilët me sjelljet e tyre detyruan SHBA-të që të mos rezistojnë para presionit rus, duke lejuar formimin e kësaj Gjykate si mënyrë e vetme për t’i larguar nga skena politike kapësit e shtetit që kanë filluar të humbin kontrollin, duke harruar se pas konfliktit në Siri dhe Ukrainë Kosova më nuk e ka luksin e të qenit "sui generis".

Investimet 16-vjeçare perëndimore në demokratizimin e shtetit dhe të shoqërisë kosovare janë dëshpëruese. Ky vend i korruptuar tash për tash eksporton vetëm refugjatë, krim dhe rreth 300 terroristë që luftojnë në Siri.

Bota po ndryshon dhe ne nuk mund ta ndalim. Bashkë me zhvillimet globale duhet të ndryshojmë edhe ne. Kosova nuk do të mbijetojë me hajna, por as me frikacakë që presin se kush do të na shpëtojë kësaj radhe, sidomos tani kur beteja për dominim global po intensifikohet dhe paqja mes superfuqive duket më larg se kurrë.

Të burgosur në lirinë e fituar me gjak që së fundmi po na rrezikohet, së pari do të na duhet të luftojmë për drejtësi dhe barazi brenda nesh, e vetëm atëherë do të mundë të konkurrojmë për barazi mes popujsh të tjerë!