LAJMI I FUNDIT:

Guximi intelektual – njeriu që ka guxim, kudo që gjendet prodhon liri

(Përgjigje reagimit të Liri Loshit ndaj shkrimit tim “Lindja dhe gjymtimi i Republikës së Kosovës”)

Rreziqeve të jetës u futet vetëm njeriu që ka guxim intelektual, nisur nga motivet morale me ndërgjegjen më të pastër. Asnjë motiv tjetër qoftë përfitimi material, qoftë përparim karriere, nuk të shtyn t’i futesh rreziqeve për jetë

Liri Loshi nuk ka asnjë argument kur thotë se “Bota e Re” nuk mund të bëhej si “Mladina” sllovene, sepse nuk e lenin tipat e Nexhmedin Spahiut dhe të kolegëve te tij”.
Kurrë në jetën time nuk ka ndodhur që të kem censuruar ndonjë gazetar apo redaktor. Nuk mund të thotë askush, siç nuk e ka dhënë as edhe një argument të vetëm as edhe Liri Loshi, se unë kam stopuar ndonjë opinion apo koment të kujt do qoftë që ka shkruar apo folur me emër e mbiemër. Kjo nuk ka ndodhur as kur kam qenë redaktor te “Republika” e “Koha Jonë” në Tiranë, as kur kam qenë kryeredaktor (1995) në njërën prej dy gazetave më të mëdha të kohës në Shqipëri, gazetën “Albania”, as nuk ka ndodhur ta bëj këtë si drejtor në Radio Televizionin e Mitrovicës, e aq më parë kjo nuk ka ndodhur ndaj ndonjë gazetari apo redaktori të gazetës “Bota e Re” kur unë isha kryetar i Konferencës Universitare (1987-1988), organ i së cilës ishte “Bota e Re”. Përkundrazi, gjithnjë i kam inkurajuar gazetarët që të jenë më të guximshëm.


Thjesht, kurrë nuk ka ndodhur ndonjëherë që ndonjë vartës i imi ta sfidonte nivelin tim të guximit edhe pse kudo që kam punuar kam tentuar të mbledh rreth vetës njerëz sa ma të guximshëm që ishte e mundur.

Në shkrimin tim “Lindja dhe gjymtimi i Republikës së Kosovës” ndër tjera tregova për problemin që kam hasur më 1987 në tendencën time për të liberalizuar edhe më tej gazetën studentore “Bota e Re”. E thash që kjo gazetë edhe para se të zgjidhesha unë kryetar i Konferencës Universitare ishte gazeta më liberale në Kosovë. Sigurisht, ky pohim imi është një kompliment për kryeredaktorin e atëhershëm të saj Bardh Hamzajn dhe gazetarët e saj. Përmenda disa nga gazetarët që ishin kampionë të liberalizmit në atë kohë. Problemi ishte se secili nga ata ishte tejet individualist dhe së këndejmi nuk mund të koordinoja me të gjithë ata për t’krijuar ekip çfarë ishte ekipi i “Mladinës” sllovene që koordinonte me politikanë liberalë sllovenë.

Liri Loshi thotë se “Tendenca e redaksisë se ‘Botës se re’ ishte qe kryeredaktorin ta emëronte redaksia”. Kjo është budallallëk. Askund në botë kryeredaktorin nuk e zgjedhin gazetarët por pronari i gazetës. Nëse ashtu ka menduar, kjo tregon se sa naiv ka qenë Liri Loshi jo vetëm atëherë por edhe tani.
Nëse Konferenca Universitare ishte botues (pronar) i “Botës së Re” atëherë sigurisht që ajo edhe e emëronte kryeredaktorin, e s’kishte se si të ndodhte ndryshe.

Liri Loshi thotë më tutje: “Dhe tani na del, se më të vetëdijshëm dhe më largpamës ishin zyrtarët politikë të verifikuar nga LKJ e asaj kohe, sesa gazetaret studentë”
Kjo është e vërtetë. Përse Halil Matoshi mund t’i botonte artikujt e vet më të guximshëm te “Bota e Re” e jo tek “Zëri” ku ishte në marrëdhënie pune? Sepse tek “Bota e Re” kishte kush t’ia mbronte shpinën kryeredaktorit që lëshonte për botim shkrime të tilla. Dhe për të qenë tërësisht korrekt kjo nuk ishte vetëm meritë e imja si kryetar i Konferencës Universitare, por edhe i Prof.Dr. Liman Matoshit, kryetar i Lidhjes së Komunistëve në Universitetin e Prishtinës, njeri ky me merita shumë të mëdha që autonomia e Kosovës nuk ra edhe më herët se më 1989.

Propozimi për largimin e Azem Vllasit, Ekrem Arifit, Kaqusha Jasharit etj, nga udhëheqja e Kosovës, është iniciuar pikërisht nga Universiteti I Prishtinës. Kjo ka ngjarë pikërisht atëherë kur i ka përfunduar mandati profesor Liman Matoshit dhe kur më ka përfunduar mandati mua si kryetar i Konferencës Universitare. Gjatë 2 viteve paraprake (1987, fillim viti 1988), çdo shtizë e Beogradit thyhej nga profesor Liman Matoshi. Është dëm i madh që një njeri aq i pjekur e politikisht aq stabil nuk është edhe tani në skenën politike kosovare.

Liri Loshi duhet ta kujtojë se para se ta emëroja kryeredaktorin pata emëruar Këshillin Botues të gazetës “Bota e Re”, ku po ashtu pata mbledhur njerëzit më të guximshëm të skenës politike e gazetareske të Kosovës, përfshi këtu edhe presidentin aktual Fatmir Sejdiu, kontributin e atëhershëm të të cilit e vlerësoj më të rëndësishëm se sa edhe sotshmin si President i vendit. Vetëm nën një mburojë të këtillë politike “Bota e Re” ka mundur të jetë gazeta më liberale në Kosovë.

Në shkrimin tim unë po thosha se nën këto kushte, nën këtë mburojë politike gazeta kishte mundësi të shkonte akoma më tej, por nuk mund të krijohej ekipi.

Është e vërtetë se Liri Loshi nuk ishte ndonjë ithtar i Vëllazërim-Bashkimit i Jugosllavisë së Titos, sikur edhe shumë të tjerë, por për dallim nga njerëzit e guximshëm të asaj kohe (si psh. Halil Matoshit që edhe atëherë ishte po ky Halili që është sot), Liri Loshi ishte një gazetar frikacak. Kjo ishte arsyeja përse unë nuk e bëra kryeredaktor të gazetës pas shkuarjes së Bardh Hamzajt në shërbimin ushtarak. Bardhi ka qenë i matur që unë nuk mund ta cytja më tutje, por Bardhi nuk ishte frikacak. Nëse Bardhi nuk shquhej për guxim t’paktën frikacak nuk ishte. Kurse Liri Loshi ishte frikacak dhe përkundër lutjeve ta axhës tim të ndjerë që si mësues i Liri Loshit kishte dëshirë ta shihte nxënësin e vet kryeredaktor nuk mund t’ia plotësoja këtë dëshirë. Nuk mund ta bëja kryeredaktor një gazetar frikacak.

Më tej Liri Loshi vazhdon: “Nëse të dy Konferencat e asaj kohe, pra ajo e rinisë së Kosovës dhe ajo e Universitetit, paskan prodhuar liderë aq atdhetarë dhe largpamës si Nexhmedin Spahiun dhe Fadil Demakun, atëherë pse nuk i kanë hequr qafësh gazetarët e atëhershëm të “Botës së Re” për t’i zëvendësuar me anëtarë kryesish të kryesive ku ata kane qenë kryetarë, apo anëtare me kompetencë?!”.
Përgjigjja është e thjeshtë: nuk kisha ku t’i gjëja. S’kishte. Këtë po e thosha në shkrimin tim. Kishte gazetarë të guximshëm por jo edhe me cilësinë e të qenët bashkëpunëtor për të krijuar ekip.

Më tutje Liri Loshi vazhdon: “Është e vërtetë se “Bota e Re” ka qene organ i Konferencës Universitare të LRS te Kosovës, por redaksia e gazetës pjesën më të madhe të kohës iu ka shmangur “obligimeve” ndaj “supremit” te vet.”
Kjo është tepër naive. Nuk ka asnjë argument që unë të kem tentuar ta pengoj botimin e ndonjë shkrimi në “Bota e Re”. Le ta thotë Liri Loshi, se ku paskam tentuar unë ta bëjë këtë. Nëse gazetarët e “Bota e Re”, paskan qenë aq të zotë e të padëgjueshëm përse nuk rezistuan pasi që unë përfundova mandatin. Por juve ju hoqën pa u mbushur viti nga koha që unë përfundova mandatin. Jo, jo, ju ishit të lirë e të padëgjueshëm sepse unë, prof. Liman Matoshi, prof.Fatmir Sejdiu etj, sakrifikonim për lirinë dhe “padëgjushmërinë” tuaj.

Me tej Liri Loshi thotë se, “Nexhmedinin madje, askush nuk e ka penguar te paraqitej me idetë e tij origjinale për kombin dhe krizat e tij të kohës, të cilën kurrë nuk e bëri gjatë asaj kohe”.
Kjo s’është e vërtetë. Unë kam botuar në gazetën “Rilindja” që kur isha nxënës në shkollë të mesme. Paraqitjet e mia publike, fjalimet, diskutimet, organizimet letrare, organizimet e kuizeve, botimet në gazeta, etj. etj., ishin ato që bënë të zgjidhesha kryetar i Konferencës Universitare. Unë s’kisha asnjë familjar në pozita shoqërore. Për më tepër, që baba im ishte punëtor fizik, nana ime amvise, gjyshit i ishte hequr përjetësisht e drejta për të votuar për shkak se vëllain e tij e kishin pushkatuar partizanët më 1945 si njeri që kishte qenë anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Parlamentin e Shqipërisë më 1943/44, dhe ideologu i kryengritjes së Shaban Polluzhës.

Liri Loshi injoron fjalimin tim të Vjeshtës 1989 në Konferencën Krahinore, i paraqitur të nesërmen në gazetën “Rilindja”, e të cilin e përmenda në një shkrim të paradoditshëm. Nëse dikush do t’më pyeste se cila është gjëja më e guximshme që kam bërë në jetën time, gjëja që ka pasur më së shumti impakt në shoqëri, atëherë ky është pikërisht fjalimi im i Vjeshtës 1989 në Konferencën Krahinore për nevojën e sistemit shumëpartiak, lirinë e shprehjes etj.

Kjo plotësisht e hedhë poshtë atë që thotë më tutje Liri Loshi: “Nexhmedini i hyri rrugës së shkrimeve vetëm pasi doli në tokën e lirë – në Shqipëri”.
Po si qenka e mundur që unë, sipas Liri Loshit, nga një “dhunues i fjalës së lire” në Kosovë, brenda natës të krijojë emër analisti në Shqipëri, dhe brenda 3-4 viteve të bëhem redaktor e kryeredaktor i gazetave mëdha në Shqipëri, në ndërkohë që gazeta “Rilindja” shitej vetëm në mesin e komunitetit kosovar në Shqipëri. Sigurisht që këtë mund ta bënte vetëm një njeri që jo vetëm nuk shkruante për herë të parë, po që t’ketë qenë larg stereotipeve të gazetarëve e analistëve të Prishtinës e Tiranës.

Liri Loshi dhe të gjithë ata që nuk kanë qenë në Shqipërinë e asaj periudhe (1991-1998) duhet ta dinë që Shqipëria ishte një vend i lirë, por shumë i rrezikshëm. Një vend ku DB-serbe, ASFALIA greke, e gjithë shërbimet sekrete të botës së interesuar për Shqipëri, operonin me kapacitetet më të mëdha se edhe në vendet e tyre. Temat që unë kam trajtuar kanë qenë temat më të rrezikshme të mundshme: problemet shqiptaro-serbe, shqiptaro-maqedonase, shqiptaro-greke etj. Kam paralajmëruar rrezikun e skemave piramidale në Shqipëri në vazhdimësi nga tetori 1995 e deri te shembja e tyre në janar-shkurt 1997.

Këtu nuk është dashur vetëm dije, por në radhë të parë guxim, sepse kanë qenë në pyetje miliarda dollarë dhe, unë jetoja në një shtet si Shqipëria post-komuniste ku nuk funksiononin as gjykatat as policia. Jetoja në një vend ku t’vetmen mbrojtje e kisha nga Perëndia. Por kjo mbrojtje ishte vërtetë hyjnore: asnjëri nga ata që më sulmuan fizikisht nuk jetoi më gjatë se 2 vite pas atij sulmi. Në asnjërin nga ata që më sulmuan nuk u hakmora unë. U hakmor vetë Perëndia. Kisha mbrojtjen e Perëndisë edhe kur ndaj meje u bë atentat në pusi me breshëri plumbash ku asnjëri s’më qëlloi.

Natyrisht, këtyre rreziqeve u futet vetëm njeriu që ka guxim intelektual, që e ndjen për borxh ta thotë atë që di me ndërgjegjen më të pastër. Asnjë motiv tjetër qoftë përfitimi material, qoftë përparim karriere, nuk të shtyn t’i futesh këtyre rreziqeve.

Kështu që Liri Loshi duket tejet i lajthitur kur thotë: “Nexhmedini i hyri rrugës së shkrimeve vetëm pasi doli në tokën e lirë – në Shqipëri”.
Njeriu që ka guxim, kudo që gjendet ai prodhon liri. Për frikacakun gjithnjë ka arsye për të qenë i frikësuar. Liri Loshi jeton në Kanada që njihet si vendi më i lirë e më demokratik në botë, por ai edhe pse nuk është i pamençur, edhe pse ka talent për t’i shprehur mendimet bukur, nuk shkruan për problemet e atdheut e të shoqërisë. Nuk shkruan sepse edhe atje në Kanada ka frikë. Më sulmon mua, sepse e Liriu e di që unë nuk kam polici sekrete që t’ia vë pas dhe shëron kompleksin e vet duke hedhur shtiza ndaj meje sikur të kem pushtet politik.

Njeriu që ka pushtet moral, siç kam unë, edhe po të ketë pushtet politik nuk e përdorë atë për t’i kufizuar lirinë tjetrit. Përkundrazi, njeriu që është i lirë e që ka pushtet moral lufton edhe për lirinë e tjetrit.

Prandaj i dashur Liri Loshi mos ngurro të hedhesh akoma shtiza drejt meje se helbete gabimisht e hedhë ndonjë shigjetë drejt atyre që kanë pushtet politik dhe sheh se nuk bëhet qameti.

Në trend

Më shumë
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Magazina
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Magazina
Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Amerika
Kalo në kategori