LAJMI I FUNDIT:

Gjermania dhe Franca janë në krizë: A po brumoset kriza e ardhshme globale financiare?

Gjermania dhe Franca janë në krizë: A po brumoset kriza e ardhshme globale financiare?

Nga: Larry Elliott / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjërat nuk po shkojnë plotësisht sipas planit të Rachel Reevesit [ministre e Financave në Mbretërinë e Bashkuar]. Ekonomia është tkurrur për dy muajt e fundit dhe inflacioni po del të jetë i vështirë për t’u zbutur. Buxheti i parë i laburistëve – pas më shumë se 14 vitesh – u prit ftohtë. Por, gjithçka është relative; të paktën ministrja nuk pati probleme për të kaluar masat e saj në Parlament, gjë që nuk mund të thuhet për Emmanuel Macronin në Francë. Dhe, nëse deputetët e opozitës në Uestminster do të kërkonin një votë mosbesimi, shumica e madhe e laburistëve do ta shpëtonte nga disfata që pësoi kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më herët këtë javë.

Në Gjermani dhe Francë, po rritet mbështetja për partitë e së djathtës ekstreme dhe të së majtës ekstreme, dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. Një krizë që preku vendet periferike të eurozonës 15 vjet më parë – Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën – tani ka arritur në zemër të zonës së monedhës së përbashkët. Le të jemi të qartë: Franca nuk është Greqia e re. Banka Qendrore Evropiane, me shumë gjasë, do të ndërhynte për të blerë bono franceze në rast të një sulmi spekulativ në shkallë të plotë dhe tani është më e përgatitur për ta bërë këtë sesa gjatë krizës së fundit.


Megjithatë, ka shenja të përsëritjes së historisë. Kriza globale financiare që shpërtheu në vitin 2008 nuk erdhi nga askund, dhe kishte shumë shenja paralajmëruese në vitet ‘90 të shekullit XX – nga Meksika në Tajlandë, nga Koreja e Jugut në Rusi – për probleme të ardhshme. Pavarësisht këtyre flamujve të kuq, pak mendonin se kriza do të përhapej në ekonominë më të madhe të botës, në ShBA, derisa u bë shumë vonë. Edhe tani po valëviten flamuj të kuq. Ka rëndësi nëse Scholzi përballet me rrezikun e largimit nga detyra si kancelar, në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, dhe ka rëndësi nëse Macroni mund të kalojë në Parlament vetëm një buxhet të përkohshëm. Këto nuk janë stuhi të vogla; janë shenja të një stuhie të madhe që po vjen.

Problemi për dy vendet e mëdha të eurozonës është se ato kanë ekonomi pothuajse të stagnuara, krahas sistemeve bujare të mirëqenies sociale që datojnë nga dekadat e pasluftës – kur rritja ishte ende e fortë. Nivelet e ulëta të papunësisë siguronin të ardhurat nga taksat për të paguar pensionet dhe përfitimet e tjera. Brezi i “bumit të lindshmërisë” nënkuptonte se kishte shumë punëtorë për çdo pensionist. ShBA-ja mbuloi shumicën e shpenzimeve për mbrojtjen e Evropës gjatë Luftës së Ftohtë, duke u mundësuar qeverive evropiane të prioritizonin shpenzimet për mirëqenie. Por, këto kushte të favorshme nuk ekzistojnë më. Shkalla e lindshmërisë ka rënë dhe “fëmijët e bumit të lindshmërisë” po plaken. Evropa po detyrohet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj përballë kërcënimit që paraqet Rusia.

Më e rëndësishmja nga të gjitha është se shkalla e rritjes ekonomike ka rënë ndjeshëm. Ekonomia e Gjermanisë nuk është më e madhe tani sesa ishte para fillimit të pandemisë së koronavirusit, pesë vjet më parë; në të njëjtën periudhë, ekonomia e Francës është rritur mesatarisht me më pak se një për qind në vit. Standardet e jetesës në stagnim të sjellin votues të pakënaqur, siç e ka kuptuar Scholz në kurriz të vet. Rritja e dobët gjithashtu do të thotë se qeveritë kanë vështirësi të balancojnë buxhetin, duke sjellë presion për të shkurtuar përfitimet dhe për të rritur taksat. Siç po e përjeton tani Macroni, kjo qasje nuk po pritet mirë nga publiku.

Eurozona nuk ishte menduar të përfundonte kështu. Arsyeja për krijimin e monedhës së përbashkët, kur doli një çerek shekulli më parë, ishte që të çonte në një rritje më të shpejtë ekonomike dhe të ngushtonte hendekun në standardet e jetesës me ShBA-në. Në fakt, ndodhi e kundërta: normat e rritjes kanë qenë të dobëta dhe hendeku me ShBA-në është zgjeruar.

Të metat në planifikimin e euros ishin të qarta që në fillim: ishte një qasje “një për të gjithë” për vendet që kishin nevoja të ndryshme, ndërsa ishte e bazuar në parimet neoliberale se inflacioni i ulët dhe buxhetet e balancuara do të sillnin një rritje më të madhe. Mungesa e një politike të përbashkët fiskale, për të rishpërndarë burimet nga vendet më të pasura te ato më të varfra të eurozonës, nuk ka ndihmuar gjithashtu.

Dështimi i euros për të sjellë rezultatet e pritura ka pasur pasoja të rëndësishme. Së pari, rritja e ngadaltë i ka bërë shtetet anëtare më konservatore dhe më rezistuese ndaj ndryshimeve. Evropës i ka munguar dinamizmi i ShBA-së dhe për shumë kohë është mbështetur te industritë e vjetra. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Gjermaninë, e cila ka qenë tepër e ngadaltë në hyrjen në epokën dixhitale dhe në njohjen e kërcënimit ndaj industrisë së saj të makinave të bazuar në lëndët djegëse fosile. Së dyti, ndonëse ka pasur njëfarë njohjeje të nevojës për ndryshim, nuk është e qartë nëse ky ndryshim do të ndodhë realisht.

Raporti i fundit i Mario Draghit për mungesën e konkurrueshmërisë së Evropës është një shembull tipik. Studimi i identifikoi qartë problemet: mungesa e investimeve dhe nevoja që Evropa të dalë nga “kurthi i teknologjisë së mesme”, ku ngec duke prodhuar mallra si makinat. Por, Draghi ofroi shumë pak zgjidhje që do të sillnin një ndryshim real.

Është një nga kuriozitetet e historisë së fundit ekonomike të Evropës se çdo hap drejt një bashkimi më të ngushtë – krijimi i tregut të përbashkët në vitin 1985 dhe lansimi i euros në vitin 1999 – është ndjekur nga një performancë më e dobët ekonomike. Shpjegimi i dhënë për rezultatet zhgënjyese nuk është se procesi i integrimit ka shkuar shumë larg, por se nuk ka shkuar mjaft larg. Nuk është çudi që Draghi thotë se kura për mungesën e konkurrueshmërisë së Evropës shkon nga lart-poshtë, në të gjithë BE-në, por përfundimi i tij bie ndesh me faktet. Ideja për “më shumë Evropë” është provuar – madje është testuar pothuajse deri në pikën e shkatërrimit. Votuesit po braktisin partitë kryesore. Ndoshta ka ardhur koha të provohet “më pak Evropë” – përpara se të jetë tepër vonë. /Telegrafi/