Gazepi i vërtetë i Albin Kurtit
Nuk është shqetësuese as ardhja e paftuar e Borko Stefanoviçit midis Prishtine dhe as deklarimet e tij me përmbajtje politike që ngjallin hasmëri. Ajo që kaloi lehtësisht pa u vënë re ishte fakti i dhimbshëm sesi Serbia arriti të krijojë edhe një epërsi tjetër politike. Nga Brukseli, kjo vizitë është përcjellë padyshim me një lloj miradie ndaj politikës serbe. Mundësimi i vizitës së Stefanoviçit në Prishtinë, politikës serbe i jep padrejtësisht një mirazh të gënjeshtërt, sikur gjoja ajo është e gatshme t’i vë në altar blatime paqes e dialogut, edhe nëse i duhet të kalojë përmes një mjedisi me disponim të theksuar armiqësor, duke duruar mëritë, gurët e shigjetat e të egërve (ashtu siç na konsiderojnë sot e gjithë ditën në Bruksel). Të paktën kësisoj ndjesohen gjërat prej lartësive të Brukselit.
Përmes këtyre lëvizjeve rrezikshmërisht të rafinuara, Serbia po krijon iluzionin sikur është shkëputur prej trashëgimisë millosheviçiane, në ndërkohë që ajo vazhdon ta kontestojë të drejtën e Kosovës për ekzistencë. Qeveria e Kosovës po i jep rast politikës megalomane serbe që të maskohet me një ‘fytyrë njerëzore’, përkundër faktit që Serbia përdor çdo gjë që i vjen n’dorë për ta mbajtë Kosovën nën peshën e një gjendjeje të përhershme tensioni, paqartësie e brishtësie. Një zyrtar i lartë gjerman as në ëndrrat më të guximshme nuk do të guxonte të shkonte në Tel-Aviv, me qëndrim krejtësisht shpërfillës ndaj krimeve naziste kundër hebrenjve e të thoshte se çelësi i Izraelit gjendet në Berlin, se shteti hebraik nuk njihet nga Gjermania, etj etj.
Kur presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad vuri në pikëpyetje të drejtën e Izraelit për ekzistencë dhe Holokaustin e quajti mit, politikanët gjerman rrufeshëm e dënuan atë duke e quajtur të papranueshëm. “Për ne, njohja e pakushtëzuar e të drejtës së shtetit izraelit për të ekzistuar është një nga shtyllat fundamentale të politikës së jashtme gjermane”, do të shprehej asokohe ministri i jashtëm gjerman, Gernot Erler në emër të qeverisë gjermane. Parlamenti gjerman qysh me 1985 kalon legjislacionin, sipas të cilit, mohimi i asgjësimit të hebrenjve përben krim. Madje, kushdo që botërisht orvatet që të mohojë apo të hedhë poshtë gjenocidin kundër hebrenjve, përballet me dënim maksimal prej pesë vitesh burgim ose me ndonjë ndëshkim në formë gjobe.
Ndryshe nga kjo, pasrendësit politik të Millosheviçit mund të vinë lirshëm në Kosovë, meqë janë të amnistuar edhe nga vetë Qeveria e Kosovës. Derisa për politikën e jashtme gjermane, njohja e të drejtës për ekzistencë të Izrealit përbën një nga shtyllat fundamentale, politika e jashtme serbe mohimin e të drejtës për ekzistencë të Kosovës e ka shtyllë fundamentale. Derisa në Gjermani, kushdo që guxon të sakrilegjojë duke mohuar gjenocidin ndaj hebrenjve përballet me shpatën e drejtësisë, në Serbi, ata që bënë gjenocidin më të paskrupullt ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve dekorohen madje edhe me nderimet më të mëdha shtetërore.
Hiç më larg se një muaj më parë, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë u pat ndarë medalje përkujtimore ushtarëve të saj, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat zaptuese që përgjaken hapësirat e ish-Jugosllavisë. Por kjo nuk i pengon qeveritarët tanë që t’i bëjnë temena e lajka përfaqësuesit të shtetit armik – madje pa kurrfarë marre thonë se do t’ia kthejnë vizitën! Qeveria e Kosovës (që vetëm qeveri s’është) në inferioritetin e saj ëndërron sesi në pazarin e bisedimeve po nxjerr përfitime. Mirëpo e sigurt është se çfarëdo përfitimi nëse nxjerr Kosova, është cikërrimë e papërfillshme kundrejt përfitimeve të jashtëzakonshme që i siguron Serbia, e cila gjithnjë e më tepër po i avitet integrimit të pakushtëzuar në BE.
Është përfolur mbase me javë të tëra, nëse këto bisedime duhet të quhen ‘politike’ apo ‘teknike’. Me gjasmë, Serbia do të korrë fryte politike (afrimi drejt BE-së dhe fuqizimi i saj politik në rajon), ndërkaq Kosova do të mjaftohet me lëpirjen e ca përfitimeve sall teknike (libra kadastrash e ndonjë artefakt të moçëm dardan).
Nëse Qeveria e Kosovës do të kishte shpirt ndërmarrësie politike, atëherë ajo do të duhej që në fillim e pështirosur prej idesë së bisedimeve absurde, të bojkotonte ato duke u arsyetuar me mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. S’ngelet kurrfarë mëdyshje se Brukseli dhe autoritetet e tjera vendim-marrëse për Kosovën e kanë blerë mosveprimin e Qeverisë së Kosovës me shantazhimin e titullarëve të saj kyç.
Përfituesi
Vizita e Stefanoviçit u cilësua përgjithësisht si një provokim i rëndë ndaj qytetarëve të Kosovës. E drejtë! Po kaq provokuese mbetet edhe sefaja e disave që përmes kësaj vizite deshën të grumbullonin maksimumin e kapitalit politik që mund të nxirret në situata të tilla. Si zakonisht, “aksioni” i partisë së Kurtit ishte një kombinim i stërholluar midis kreativitetit të tij dhe veprimeve të trasha të Policisë së Kosovës. Jo një, por edhe dhjetë vizita të tilla të Stefanoviçit do t’i hynin në punë projektimeve babëzitëse të Kurtit për t’u bërë më në fund, kryeministër i vendit. Ai nuk e ka shestuar aspak që aksioni i tij të pamundësonte vizitën e Stefanoviçit. Përkundrazi, Kurti e ka llogaritur deri në imtësinë e fundit, atë që do të quhej “sukses” i aksionit. Ky “sukses” do të ishte pikërisht realizimi i plotë i vizitës së Stefanoviçit.
Kastile “aksioni” u zgjodh të bëhej në Prishtinë, mu aty ku falangat e Policisë së Kosovës do ta ruanin në mënyrë të hekurt mysafirin e paftuar të Beogradit. Gjithçka do të fillonte me një gjoja mësymje ndaj policisë, e cila do të kundërvepronte menjëherë në mënyrën më të dhunshme. Kjo ishte dhe gjysma e planit. Gjysma tjetër e planit të stërholluar të Kurtit do të përplotësohej kur ndonjëri prej militantëve të tij të afërt do të pësonte dajak prej prepotencës policore. Plagët e secilit prej militantëve të tij shndërrohen sakaq në kapitale të vyeshme politike. Ja pse “aksioni” në fjalë u kthye në fitore politike për të!
Mënyra e tillë e projektimit të aksionit (ku janë përllogaritur mirë e mirë edhe kundërveprimet e dhunshme të policisë) synonte që të ngucte emocionet dhe pasionet e njerëzve, por jo dhe arsyen e tyre. Zaten, një njeriu që babëzit nat’e dit për të qenë kryeministër, duhet që gjithherë të manipulojë me ndjenjat, pasionet dhe emocionet e njerëzve. S’ka sesi t’i shpëtojë mbamendjes sonë, arsyetimi i deridjeshëm i Kurtit i cili hyrjen e tij në politikë e interpretonte si një përpjekje të zgjuar për të shfrytëzar nga brenda mjetet e pushtetit, në mënyrë që të ndryshohet po ky pushtet.
Është jashtëzakonisht domethënëse një ligjërate e Kurtit e mbushulluar tejpërtej me patos të zjarrtë në prag të zgjedhjeve të kaluara: “…prej gazepit jam tu hi n’zgjedhje. S’jem tu hy pej qejfit, se për me qef ma qef i kam demonstratat niqin herë. A po don me t’kallxue drejt? Na kena me ba demonstrata prapë, por duhet me ja marr armtë pushtetit se na po bajna demonstratë, e ai po na lshon policin, ish ushtar të UÇK-së, që po na rreh neve. Edhe ai polici po na rreh me lot n’sy. Po thot m’kan shti m’ju rreh juve. E duhet qat’ polic na me marr…” (Nga fjalimi i A. Kurtit n’vazhdën e fushatës së tij zgjedhore në fshatin Godanc të Shtimes. Shih: http://youtu.be/ro2ykbybPS0 (Veço minutat 1: 39 – 2:23).
Për habinë e të gjithëve, polici jo vetëm që s’kaloi në anën e Kurtit, por edhe u bë më egërshan sesa më parë. Së këndejmi, aksioni perfid i 12 majit dha një përgjigje të rrjedhshme mbi motivin e vërtetë të Kurtit në politikë. Nuk qenka aq ‘gazepi’ sa babëzia e tij për t’u bërë kryeministër, që e ka shtyrë drejt hyrjes në zgjedhje! Në ligjëratën e mësipërme, ai zotohet se me të hyrë në politikë do t’ia rrëmbejë mjetet pushtetit, për t’i përdorur ato po kundër këtij pushteti. Në qoftë se Kurti me militantët e tij besnik do të kishin nijetin me pamundësua seriozisht vizitën e Stefanoviçit, atëherë ata do të duhej të përdornin çdo lloj mjeti të mundshëm që u siguron pozita e tyre parlamentare.
Siç e dimë të gjithë, milioneri i kësaj partie me llagapin ‘Pullazgjiu’ është kryetar i komisionit parlamentar për Agjencinë Informative. Duket tejet e pabesueshme, që ai ose ‘satelitet’ e tij amerikanë përmes kanaleve të sigurta të informimit të mos e dinin itinerarin e ardhjes së Stefanoviçit në Kosovë, i cili ka trupuar përmes pikës kufitare në Merdarë. Pikërisht, atje do të duhej të ngrihej ledhi bllokues ndaj eskortës së Stefanovçit dhe jo në Prishtinë.
Hëpërhë, mjetet e vetme që Kurti bashkë me miqtë e tij të ngushtë po i shfrytëzojnë nga pushteti janë pagat mbimesatare që i marrin si deputetë, honoraret dhe bakshishet e tjera që i marrin nga dashamirët…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund
“Ngjarjet në ndeshjen ndaj Espanyol kanë tejkaluar çdo kufi të gabimit njerëzor” - Real Madridi reagon ashpër ndaj gjykimit
Grenell kritikon Kurtin, a po përfshihet SHBA në zgjedhjet e Kosovës?
“Grupi ‘Fisnikët’ u larguan kur erdhi ajo”, Banorët për Rozanën: Më mirë të dalë jashtë, të ruajë pak fytyrë që i ka ngelur
Banorët ndjekin klipin - momenti kur Gerta i hodhi për herë të dytë alkool në sy Gjestit
Trudeau: Tarifat amerikane në Kanada u ndërprenë për 30 ditë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund
Banorët ndjekin klipin - momenti kur Gerta i hodhi për herë të dytë alkool në sy Gjestit
Grenell kritikon Kurtin, a po përfshihet SHBA në zgjedhjet e Kosovës?
Çfarë është USAID-i dhe sa qendror është ai për politikën e jashtme të SHBA-së?
Rasti i Gjestit, Egla Ceno: Jam e sigurt që do ta nxjerrin Gertën
Rubio përshëndet masën e Panamasë për të dalë nga plani i infrastrukturës kineze