LAJMI I FUNDIT:

Futbolli dhe ndryshimet që solli Albanodroni

Futbolli dhe ndryshimet që solli Albanodroni

Deri në vitet e ‘60-ta të shekullit të kaluar, futbolli në Angli ishte "çështje e jetës dhe vdekjes". Kur në vitin 1962 William Shankly mori në duar menaxhimin e Liverpolit, gjithçka ndryshoi në këtë klub futbollistik.

Liverpoli, deri atëherë, ishte një ekip i dobët që përballej me vështirësi serioze për të qëndruar diku kah fundi i tabelës në Ligën e Dytë të Anglisë. Po atë vit, klubi hyri në Ligë të Parë (Premiere League) dhe brenda një decenie fitoi dy herë titullin e kampionit të Anglisë (FA Cup) dhe një herë atë të Evropës (UEFA Cup).

William Shankly e kishte vërejtur fuqinë mobilizuese që kishte futbolli në shoqëri dhe rëndësinë që filloi ta fitonte edhe në aspektin financiar të botës moderne që i kishte hyrë ndryshimeve të mëdha kah mesi i viteve të ‘70-ta. Duke i patur këto fakte parasysh, Shenkly një ditë deklaroi:" Futbolli nuk është vetëm çështje e jetës dhe vdekjes, por është më shumë se kjo".


Ky definicion u aplikua edhe në Beograd më 14 tetor të këtij viti në stadiumin e Partizanit ku u ndeshën Serbia dhe Shqipëria. Deri në minutën 42, në stadium futbolli ishte çështje e jetës dhe vdekjes. Kur një minutë më vonë në stadium kërkonte zbarkim droni (për shkak të pamjes dhe efektit që krijoi duhet të quhet Albanodron), futbolli u bë më shumë se çështje e jetës dhe vdekjes. Nga ndeshja, e cila deri diku i përngjante sportit të futbollit, u kalua në përleshje fizike në të cilën, pos lojtarëve, në një mënyrë morën pjesë tërë ata që ishin në stadium dhe jashtë tij. Brenda pak minutave tërë bota filloi të merret me efektin e paraqitur në Beograd.

Ajo që u vërejt në stadium dhe jashtë tij, ishte pamja “live” e Serbisë e cila tregonte se nuk ka ndryshuar nga koha e Sllobodan Millosheviqit, por që tashti po merrte një formë të një rrezikshmërie të re. Mediat, tifozët, policia, sigurimi dhe zyrtarët shtetërorë ishin bërë një – të gjithë huliganë. Ata kërkonin vrasjen e shqiptarëve, zbatimin e një kërkese të kamotshme që është pjesë e programit të tyre politik. Ky nacionalizëm, i karakterit më primitiv, kur ka përpara shqiptarët bëhet edhe më agresiv.

Millosheviqi, sa ishte në pushtet, nuk merrej me sport. Ai këtë punë ua lente kriminelëve me firmë siç ishte Arkani. Tashti, në Serbi, siç u pa, është bërë më rrezik pasi që edhe kryetari dhe kryeministri i këtij vendi u prijnë huliganëve. Kryeministri Aleksandar Vuçiq, pa marrë parasysh origjinën e tij nga paterniteti, ka qenë ndër udhëheqësit e huliganëve të Crvena Zvezdës i cili më vonë i qe bashkuar kriminelëve të Karaxhiqit në luftën e Bosnjës. Të kaluar më të mirë nuk ka patur as kryetari Tomisllav Nikoliq. Që të dy, sikur të jetonin në shtete normale, sot do të ishin në burg ose me ta do të merrej ndonjë nga zyrat e shërbimeve sociale duke u munduar që t’i kthejë në jetë normale.

Por, ja që nuk është ashtu dhe Serbia edhe një herë u kërcënohet shqiptarëve, Ballkanit dhe Evropës. Ky shtet disa herë ka shkaktuar luftëra, me krime dhe dëme të mëdha, por nuk është ndëshkuar asnjëherë për to. Në një mënyrë kjo ka ndikuar që shoqëria serbe të rrëshqas drejt një fashizmi të ri që po e kaplon tërë popullatën dhe që ka zënë vend në të gjitha zyrat e shtetit të tyre. Shumë nuanca të këtij fashizmi u panë gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Viteve të fundit, sidomos nga viti 1999, nacionalizmi serb nuk ka pas shumë fat në veprimet agresive ndaj shqiptarëve. Humbja e Kosovës, sidomos mënyra e humbjes, ka shkaktuar trauma në mendjen nacionaliste primitive serbe dhe poshtërim në aspektin moral. Një poshtërim të madh serbët e përjetuan edhe natën kur ju shkoi në mes Albanodroni që u solli "dhuratën" më të urryer. Gjendja e tyre mentale dhe shpirtërore nuk e përballoi pamjen e flamurit shqiptar që paraqiste një Shqipëri etnike e cila qëndronte në mes dy udhëheqësve shqiptarë dhe meritorë të pavarësisë së Shqipërisë.

Ende është enigmatike se kush dhe si e lansoi Albanodronin, por kjo gjë tashti pas paraqitjes së efektit, nuk ka shumë rëndësi. Serbët reaguan në mënyrë iracionale, mu ashtu siç është pritur prej tyre. Thellë në ndërdijen e tyre, serbët e mbajnë të fshehur një faj të madh që ndjejnë ndaj shqiptarëve mbi tokat dhe mbi gjakun e të cilëve sot shtrihet territori i shtetit të tyre. Serbët i tmerrohen ditës së kthimit të borxhit dhe këtu duhet kërkuar gjenezën e urrejtjes që kanë për borxhliun.

Prandaj, ata nuk e durojnë dot as pamjen e një çereku të çfarëdo flamuri shqiptar. Për serbët, në rastin më të mirë, shqiptarët duhet të jenë vetëm vasalë të tyre ose të mos ekzistojnë fare. Në këtë pikë kot u dolën nacionalistëve serbë në ndihmë disa "analistë" shqiptarë të cilëve u erdhi keq që harta virtuale e Shqipërisë etnike ua lëndoi ndjenjat nacionalistëve serbë. Të shtyrë nga interesa të ndryshme, këta "analistë" (disa për shkak të obligimeve që kanë ndaj Serbisë, disa për t’i hyrë në hatër Evropës e disa edhe për shkak që janë mendje shtalb), nuk e shohin hartën e vërtetë (ekzistuese) të Serbisë së Madhe të cilën shqiptarët e durojnë që nga viti 1878.

Derisa futbolli shërbeu që t’ua nxirrte serbëve marifetin dhe të palarat në shesh në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, te shqiptarët pati efekt tjetër. Për shkak të këtij sporti, shqiptarët u bashkuan si kurrë më parë duke tërhequr në mesin e tyre edhe skeptikët e fundit në Shqipëri, të cilët deri atë ditë hamendeshin nëse portretizimi i serbit ishte pamje e një vështrim të gabuar të shqiptarëve të Kosovës.

Shqiptarët në Preshevë, në Kumanovë, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Ulqin, për herë të parë së bashku përjetuan hidhërim, frikë, mburrje, gëzim e krenari. Lojtarët që përfaqësonin tërë hapësirën shqiptare, ishin të barabartë në fushë me kundërshtarët e tyre sa zgjati loja. Kur u sulmuan fizikisht, u mbrojtën me sukses. Po në këtë mënyrë e mbrojtën edhe flamurin që e konsideruan si simbol të sakrificës, të kaluarës, dinjitetit, por edhe të ardhmes së tyre. Nuk duhet asgjë më shumë për të krijuar ndjenja dhe për t’i mobilizuar veprimet e përbashkëta nacionale.

Kombi shqiptar, i cili ka kohë që ishte në pritje të këtij momenti, në një masë të madhe sikur edhe shumë kombe tjera, është krijuar dhe formësuar prej ndikimeve që vijnë nga jashtë. Veprimi i nacionalizmit serb në këtë rast i shtyri të reagojnë shqiptarët, kudo që jetojnë, si një trup. Gjatë ditëve ardhshme zhvillimet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës me Serbinë do të zhvillohen nën hijen e efektit që krijoi futbolli. Në një masë të madhe e ardhmja e shqiptarëve varet shumë nga qëndrimi dhe veprimet që do të ndërmarrin serbët ndaj shqiptarëve në të ardhmen. Loja futbollistike në Beograd ishte "luftë" e Shqipërisë me Serbinë që bëhej për betejën e papërfunduar të Kosovës.

Ky nuk është lajm i mirë për ata që besojnë në ekzistimin e kombit kosovar dhe që angazhohen për konsolidimin e tij. Pa marrë parasysh mendimet kontradiktore që po paraqiten rreth Albanodronit, debati, në një anë, do të ndikojë në dhënien e një forme të re të kombit shqiptar apo farkimit të tij të mëtejshëm, kurse në anën tjetër do të nxjerr në shesh mungesën masive (popullore) të entuziazmit për mbrojtjen e kombit Kosovar i cili ende është në kërkim të hapësirës për zhvillim.

Në trend

Më shumë
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare

Magazina
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Klajdi Musabelliu befason me deklaratën në BBVA: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën, qëndronim shumë bashkë

Magazina
Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Tetë skuadrat që e siguruan direkt kalimin tutje në Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Boom, aeroplani supersonik amerikan përfundon me sukses fluturimin e parë – arrin shpejtësinë prej 1,358 kilometra në orë

Amerika
Kalo në kategori