LAJMI I FUNDIT:

Fuqia punëtore duhet të kualifikohet

Fuqia punëtore duhet të kualifikohet

Fuqia punëtore në Kosovë duhet të kualifikohet në përputhje me nevojat e tregut të punës. Kjo mund të arrihet përmes reformimit të thellë të sistemit arsimor, por edhe krijimit të shkollave profesionale. Në të kundërtën, edhe nëse hapen vende të reja pune, nuk do të gjenden punëtorë të kualifikuar. Kështu thonë ekspertë të arsimit dhe të ekonomisë.

Nëse realizohen premtimet e liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, partia e të cilit doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, brenda katër viteve të ardhshme në Kosovë duhet të hapen 200 mijë vende pune.

Por, ekspertët e arsimit dhe të ekonomisë shfaqin drojën se në treg nuk do të mund të gjendet fuqi e kualifikuar punëtore, qoftë si pasojë e kualifikimit jo të përshtatshëm të kësaj fuqie por edhe cilësisë së dobët të sistemit arsimor në përgjithësi.

Eksperti i arsimit Halim Hyseni, thotë për Radio Kosovën se nevojitet reformim i thellë i programit në shkollat e mesme profesionale, dhe të bëhet një analizë e mirëfilltë e kërkesave të tregut vendor dhe tregut global.


“Pa një pajtueshmëri dhe pa një analizë të nevojave të tregut dhe orientimit të arsimit profesional në harmoni me nevojat e tregut nuk ka gjasa teorike e as praktike që të realizohen ato premtime që janë dhënë për 200 mijë vende të punës”, thotë Hyseni.

Sipas Hysenit, nevojitet ndryshim i thellë në arsimin profesional dhe programi të hartohet mbi bazë të hulumtimeve të sakta rreth profileve arsimore që nevojiten, por edhe profesioneve që kërkohen në tregun e punës.

“Duhet të formohet një komision për reformën e sistemit, kur them reformë, mendoj në transformim e jo reforma të thjeshta e kozmetike por një transformim të thellë në tërë sistemin e arsimit”, thotë ai.

Të krijohen shkolla profesionale

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit GAP, Agron Demi thotë se në Kosovë duhet të krijohen shkolla profesionale që i aftësojnë të rinjtë në zanate të ndryshme që kërkohen në tregun e punës.

“Një strategjie e zhvillimit ekonomik e ka edhe të mirën e kësaj se i identifikon fushat në të cilat duhet të orientohet zhvillimi ekonomik dhe në bazë të asaj edhe studentët të orientohen se çfarë të studiojnë dhe të përgatiten për tregun e punës”, shprehet Demi.

Në Malishevë dhe Skenderaj janë themeluar tashmë dy shkolla profesionale të kompetencës, por funksionalizimi i tyre ka marrë shumë kohë.

Ndërkohë, ekspertët sugjerojnë që universitetet të përgatisin kuadro edhe për fushën e energjetikës, ku Kosova thuhet se ka potenciale të zhvillimit, por edhe për fushat tjera që konsiderohen se mund të punësojnë të rinjtë vendorë, që të mos ketë nevojë të importohet fuqia punëtore. /Tribuna/