LAJMI I FUNDIT:

Fjalë të sinqerta apo retorik boshe nga kryetari Vehapi?!

Fjalë të sinqerta apo retorik boshe nga kryetari Vehapi?!

Fjalët e thëna nga kryetari i komunë së Rahovecit, Idriz Vehapi, gjatë betimit me 24 Dhjetor 2013, sa mund të tingëllojnë të sinqerta, po aq mund të jenë edhe retorikë boshe! Në fakt, unë dua të besoj që këto fjalë janë të sinqerta e të ndjera dhe jo vetëm fjalim i shkruar bukur sa për sy e faqe, siç edhe rëndom politikanët bëjnë.

Gjatë fushatës elektorale kemi qenë dëshmitarë të dhënies së premtimeve të realizueshme dhe atyre që janë dhënë për efekt elektoral. Për fat të keq, këto premtime nuk ekzistojnë në një program të mirëfilltë që duhet ta karakterizojë një alternativë serioze politike. Çfarë ka ofruar PDK dhe të gjitha partitë tjera në Rahovec janë disa fletushka, nga të cilat nuk merret vesh kur do fillojë një projekt, sa do kushtojë projekti, apo cilat janë rezultatet dhe ndikimi që duhet të pritet pas realizimit të tyre, e as cili do të ishte efekti në përmirësimin e jetës së qytetarëve!

Sipas mendimit tim, Vehapi duhet të ndërmarr disa veprime të menjëhershme për ta dëshmuar se fjalët e thurura bukur nuk janë vetëm për publik, por janë zotime të një personaliteti serioz, që e ka përnjëmend mirëqenien e banorëve të Komunës dhe se me të vërtetë është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e ka i pari i 57,541 banorëve .


Fillimisht, ai duhet të heq dorë nga pozita e ligjëruesit në Universitetin e Prishtinës. Punët dhe sfidat që e presin nuk i japin luksin e të pasurit dy kontrata pune, sepse Rahoveci ka nevojë për kryetar nga e hëna deri të hënën, i cili zgjohet i pari dhe bie në gjumë I fundit! Nuk mëtoj të dyshoj në aftësitë e kryetarit për të menaxhuar me dy vende pune, por është momenti i fundit që Rahoveci të sheh ditë të mira, të sheh seriozitet në udhëheqësin e tij, në përkushtimin e tij!

Gjatë fushatës dhe së fundmi në përmbylljen e saj me 29 Nëntor 2013, së bashku me shefin e tij të partisë, Hashim Thaçin, kanë premtuar se bujqit që merren me kultivimin dhe prodhimin e rrushit, vitin e ardhshëm do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës me nga 1000 euro për hektar. Shpresoj që premtimi për subvencion nuk do mbahet vetëm gjatë fushatës së ardhshme pas katër vitesh, siç ndodhi gjatë kësaj fushate, me ç’rast bujqit e Rahovecit kanë përfituar me nga 500 euro për hektar, veprim ky i cili nuk ka si të quhet ndryshe përveç si veprim për përfitim të votës!

Nga premtimet e shumta, po i veçoj dy prej tyre: premtimi për të udhëhequr me qytetarin – për qytetarin; dhe ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie!

Përveç organizimit të takimeve publike për informim dhe konsultime, që janë obligim ligjor, e të cilat nuk janë treguar të efektshme deri më sot, duhet të zhvillohen mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Kryetari i ri duhet të fokusohet në shfrytëzimin e metodave për këshillim, siç janë takimet me grupet e interesit, takimet publike me qytetarët, vizita periodike nëpër lagjet e qytetit dhe fshatrat e komunës, zhvillim të debatit të njëmendtë lidhur me planet komunale, si dhe diskutimet ballë për ballë midis përfaqësuesve të komunës dhe qytetarëve.

Rritja e cilësisë së arsimit duhet të ketë një fillim të ri! Që të flasim për cilësi duhet të punohet për depolitizim të arsimit. Për ta depolitizuar arsimin, Vehapi duhet të distancohet nga rryma militantësh dhe të servilëve partiakë. Me të filluar punën, ai duhet të vlerësojë punën e drejtorëve të deritanishëm, e pastaj të shpall konkurse për të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe ato të mesme; nga kandidatët të kërkohet një plan-program specifik i cili do të prezantohet në publik dhe përzgjedhja e tyre të bëhet në transparencë të plotë dhe në bashkëpunim me këshillat e prindërve.

Vetëm në këtë mënyrë mund të rritet efikasiteti në punë dhe të mos krijohet imazhi i një pushtetari tipik arrogant të cilit nuk i bëhet vonë për qytetarët e tij.

Të gjithë nga shoqëria civile, mediat, politikanët, analistët e politikave… në zgjedhjet e fundit vërejtën një zgjim tek populli, i cili përmes votës i përmbysi shumë udhëheqës, madje edhe në ato vende ku njiheshin si bastione të disa partive. Iu deshën pjesës tjetër të Kosovës shumë vite për të bërë ndryshimin të cilin Rahoveci e bën tash e shumë kohë. Lirisht mund të themi se rahovecjanët janë populli më ndëshkues në gjithë Kosovën. Ata ndëshkojnë me votë! Këtu qëndron çështja: kandidatët për kryetar komune duhet të jenë tejet të kujdesshëm se çfarë premtojnë, sepse po nuk u realizua, jetëgjatësia e tyre në udhëheqësi është shumë e shkurtër.

Për fund, Vehapi ka premtuar se do të punojë për Rahovecin. Unë them se duhet ta testojmë që nga ditët e para të qeverisjes, përmes aktivizimit qytetar, jo për t’ia vështirësuar apo pamundësuar punën, por për ta bërë më të përgjegjshëm karshi qytetarëve që së bashku të jemi pjesë e ndryshimit të madh.

Në trend

Më shumë
Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Azia
Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Magazina
Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Evropa
Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Lajme
Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

Lajme
Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori