LAJMI I FUNDIT:

Festa e imagjinuar e zileve magjike të shtatorit

Sikur sot më kujtohen ato ditë, kur afrohej shtatori, pas pushimeve të pafundme të verës. Se si u merrja erë librave të shkollës… Ajo erë ishte jashtëzakonisht e këndshme dhe bartte me vete ethe të gëzimit dhe kujtime të ëmbla të krejt shkollës, korridoreve, klasave, mësuesve e arsimtarëve, oborrit, rrugës së shkollës, pothuajse të gjithçkaje që lidhej me të. Edhe sot, një mall i pashuar më ndizet dhe shpesh herë marr çelësin e kujtesës dhe futem te kjo pjesë e paharruar, tani si një spektator, për të shikuar sikur një film tejet të famshëm, shtatorët e bukur të shkollës.

Edhe pak ditë dhe një shtator i ri prapë fillon, duke marrë me vete mijëra nxënës drejt nxënieve të reja dhe përgatitjes për jetën. I vendosë ata në bankat e tyre të dashura, e ashtu të urtë, të pafajshëm e faqebardhë si janë, presin që ngadalë, shtator pas shtatori, të rrisin shtatet, të bëhen të dijshëm, duke u bërë kështu krenaria dhe më vonë edhe kryet e vendit.

Shtatorët janë vërtet magjikë, së bashku me zilet e palodhura. Këto të dyja na sollën këtu ku jemi. Mirë a keq, e sotmja jonë varet nga dashuria dhe respekti që kemi patur ndaj shtatorit, shokëve të tij dhe zileve thirrëse. Ajo që dua të them është: shtatorët janë transformatorë të shoqërisë, e asaj pjese të shoqërisë që drejtohet, udhëhiqet, stoliset me dije me lehtësi, kënaqësi, krenari, dhe është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë së cilës, qysh tani, i dihet statusi i saj në vend – ardhmëria dhe udhëheqja.


Kam lexuar në një libër një definicion filozofik, mjaft interesant për ardhmërinë. “Se shumë pak njerëz e njohin faktin se koha e ardhme bëhet e tashme, e tashmja – e kaluar dhe se e kaluara bëhet vuajtje e pareshtur nëse nuk e planifikon të ardhmen”. Pra, “dashtë e pa dashtë”, erdhëm deri te përfundimi se shtatorët krijojnë të ardhmen. Ata rrisin shtate. Nisin e rrisin gjenerata. Shtatori që po vjen i takon tanimë së tashmes. E tashmja ia rrëmbeu së ardhmes. Pikë!

E kaluara e definicionit më lart paraqet problem tani. Sikur si popull e qytetarë gjithherë po kemi problem me të. Apo ndoshta se atëherë s’ka qenë e kaluar, por e tashme. Dhe e kemi jetuar pa vesvese, e jemi kënaqur në të. Por, u transformua edhe ajo dhe tani mbeti e kaluar e papërsëritshme. Pra, jo vetëm që po e harrojmë atë, por edhe mësimet që na ka dhënë s’ia marrim dot. Probleme të vazhdueshme me të kaluarën me ndikime të paparashikueshme për të ardhmen që shpejt do të bëhet e tashme!

Të tillë, të kaluara e të harruara po mbesin edhe shtatorët e shkollave tona. Ata madje edhe tani në prag të tyre nuk i përmend askush prej këtyre “të mëdhenjve”. Ata gjithsesi janë ne kokat e nxënësve e të mësimdhënësve. Nuk janë të harruar krejtësisht a!?

As plane, as programe të reja e të reformauara si sihariq për pritësit e paduruar të shtatorëve. Ose ndoshta “këta të mëdhenjtë” kanë kuptuar diçka se shumëkush s’po i pret më me padurim këta shtatorë. Sepse janë bërë shumë të përsëritshëm, të për-(v)jet-shëm. Po mjaftohen me një “urim tradicional” për fillimin e vitit të ri shkollor dhe “krejt në rregull shef”. Futuni në shkolla!

Përkujtimi është proces i ndërlikuar mendor, por “shumë i lëvdueshëm” nga aspekti human, moral, psikologjik, fetar etj. Shtatorët duhet të festohen. Për rëndësinë që kanë. Për fëmijët, adoleshentët, nxënësit dhe maturantët e këtij populli. Për t’u treguar atyre se po fillon diçka e shenjtë, procesi mësimor i cili zgjatë tërë jetën.

Duhet të festohen këta shtatorë, sepse kam përshtypjen se më askush nuk po iu merr erë librave. Jo sepse librat e kanë humbur atë erë të këndshme, por sepse shumë gjëra të tjera po u bëjnë atyre konkurrencë. Të gjitha i kanë emrat e tyre. Janë tepër sfiduese. Bile edhe të rrezikshme.

Në një shesh plot të rinj, të dekoruar me ngjyra të mahnitshme, me të ftuar për këngë e recitime, një festë e imagjinuar për zilet e shtatorit ka filluar të marrë formë. Për të nisur një shtator më ndryshe, me reforma të kohës, drejt sukseseve të reja dhe edukimit serioz për të rinjtë e Republikës së Kosovës.

Shtatori erdhi prapë!

Urime nga zemra, suksese të reja, formim të drejtë dhe ta gëzoni këtë festë të madhe!