LAJMI I FUNDIT:

Estrada televizive

“Njerëzit janë ajo çfarë shohin”, thoshte dikur filozofi italian Stefano Zecchi, i cili një pjesë të madhe të studimeve të tija i a kushtoj pikërisht ndikimit të medias në jetën e njerëzve. Por, çfarë jemi ne dhe çfarë skeme programore na ofrohet nga televizionet tona? Televizioni sot na ofron gjithçka dhe sa të duash, modele sjellje të ndryshme nga me të llojllojshmet, sa që mendon se je në tjetër planet-botë (fiktive)! Ajo që brengos është fakti se televizionet shqiptare nuk kanë “kandar” për të matur se çfarë duhet të lejohet të shfaqët në televizion e çfarë jo, pikërisht për këtë kemi një gjendje sa të mjerë aq edhe të dhimbshme të rinisë sonë.

Modelet që shfaqën në televizionet shqiptare, janë direkt modele për shoqërinë e gjerë e veçmas për pjesën më të madhe të kësaj shoqërie e që janë rinia, ardhmëria e vendit. Ne sot shohim videospot të një pjese të këngëtarëve, që e quajnë veten Estradë apo edhe janë pjesë elitare të saj. Pak prej tyre brengosen se çfarë tekste kanë këngët e për me tepër përmbajtja e vidospotev që ngjason apo është identike me atë që mund të shohësh në klube të natës, lakuriqësia e tyre, veprimet, skenat që zhvillohen gjatë videospoteve të këtyre këngëve janë vërtetë të patolerueshme për të mos përdorur ndonjë shprehje edhe më të rënd (për shkak të etikes humane), por besoj se ata e kuptojnë se çfarë dua të them, e që ata e meritojnë këtë!

Ndërsa të gjitha këto videospote kanë ku të shfaqën dhe bile zënë një hapësirë të konsiderueshme në programet e ndryshme televizive apo thjesht për të plotësuar minutazhen, si pushim në mes serialave apo para dhe pas edicioneve të lajmeve. Për më tepër këto këngë me spote të “rrezikshme” dhe “vdekjeprurëse” për gjithë shoqërinë e në veçanti për shtresat e reja të shoqërisë emetohen kohë e pa kohë, emision pas emisionit, në disa televizione tona i ke të përditshme në programet e tyre të hershme të mëngjesit. Tash me këto spote më këngëtare/këngëtarë me të famshmit që ka shqiptaria i ke edhe mysafirë në programet verore të televizioneve tona, duke i promovuar videospotet e tyre dhe njëkohësisht duke marrë rrebesh lëvdata nga udhëheqësit-moderatorët e atyre programeve.


Ç’është e vërteta shumica nga këta këngëtarë/e nuk dinë dot të i lidhin dy fjalë, por prapë ata/ato njihen si të ditur, të bukur/a e me shumë të bukura janë spotet e tyre të punuara me teknikat e fundit të teknologjisë kompjuterike dhe me stilin e fundit “Hollivudjan” të (zh)veshjes! Pse ndodh kjo? Dikur, në televizion nuk ka mundur të këndoj çdokush. Ka pasur redaktor për çdo sektor (edhe sot ka, por nuk janë funksional) të cilët me përpikëri dhe për vrime të gjilpërës e kanë kaluar atë që është shfaqur në televizion në përgjithësi e veçmas këngët, tekstet e tyre dhe në përgjithësi paraqitjen skenike të tyre. Një fakt interesant është së ato këngë edhe pse nuk patën videospote, vazhdojnë të pëlqehen edhe sot e kësaj ditë, për atë se ato këngë nuk ishin sezonale. Këtu vërehet cilësia – dikur muzika është dëgjuar, tani ajo shikohet!

Një gjë tjetër që dallohet dukshëm në televizionet tona është gjuha e komunikimit që përdoret e veçmas në disa emisione “argëtuese” me mysafirë “argëtues”, të cilët e mbysin gjuhën shqipe, duke e shkarravitur sipas qejfit të tyre. Numri i televizioneve është rritur shumë, kush ka dëshirë dhe para mund të hap televizion dhe të bëjë skemën programore si të dojë dhe të emetoj çfarë të dojë pa friken e askujt. Dhe pikërisht këto televizione janë vende për zbulimin dhe për popullarizimin e talenteve të rinj/reja, ku spotet muzikore të tyre pinë ujë sa herë të duan dhe sa të duan.

Mendoj së është një interes i të dy palëve (Televizioneve dhe Estradës), për atë se televizionet nuk janë në gjendje të ofrojnë diçka cilësore në menytë e tyre programore (përveç serive të ndryshme), në anën tjetër pala e “videospoteve” po gjënë hapësirë të bollshme për emetimin spotev të tyre në cilën do kohë gjatë skemës programore të televizioneve tona. E keqja e gjithë kësaj është se ne konsumojmë, bymehemi nga këngë e video që na shfaqën në çdo kohë, sa që në prani të familjes duhet patjetër të ndërtohet kanali. Më e keqja e të këqijave është së nuk ke ku e ndërron kanalin, alternativa e vetme të mbetet ta ndalesh aparatin televiziv!

Është shumë për të u preokupuar nga ky fenomen i cili po zgjeron dhe forcon përherë e me tepër perandorinë e tij në shoqëri. Shumë nga ata/ato që janë protagonist të këtyre spoteve muzikore kanë një autoritet e kjo vërehet sidomos tek të rinjtë që për këta, ata/ato janë model më shumë ndikim në jetën tyre, në veprime, në sjellje, në mënyrën e veshjes e në gjëra të tjera. Duke e parë atë që shohim nëpër spotet e tyre, atëherë nuk është çudi për atë që shohim tek të rinjtë tanë sot. Veprimet dhe sjelljet e tyre po legjitimohen nga modelet e tyre muzikore, televizive, artistike e model te të tjera! Andaj veprimet e sjelljet të tilla nga “elita” e Estradës dhe e botës televizive në përgjithësi e që përçohen në mënyrë me besnike nga televizionet tona në auditoriumin e gjerë, janë ushqim direkt për shoqërinë në përgjithësi e posaçërisht për rininë, e cila mbase ka hyrë në “autostradën” e degradimit. Për këtë gjendje, një pjesë të fajit e bartin televizionet dhe “elita” e fuqishme e sotme e këngëtarëve dhe këngëtareve me skenat dhe spotet e tyre gjysmë lakuriqe për të mos thënë edhe me tepër.