LAJMI I FUNDIT:

Erdogani, rrugës për askund!

Erdogani, rrugës për askund!

Ataturku (babai i Turqisë) me dekada ishte një ikonë e cila mund të thuhet se ishte e pazëvendësueshme në historinë moderne turke, përderisa në vitet e fundit mund të thuhet se emri i tij ka filluar të zbehet nga një tjetër lider i cili mendon se i ka meritat me të mëdha dhe pretendon se mund të zërë vendin e tij.

Ngjarjet e fundit që po zhvillohen në Republikën e Turqisë, padyshim që në masë të madhe reflektohen edhe në një pjesë të shteteve të Ballkanit të cilat kanë një lidhje historike në mes tyre. Padyshim që edhe në Kosovë, tek ne shqiptarët, është hapur një debat për situatën e krijuar kohët e fundit: një pjesë e cila e mbështetë kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe një pjesë e cila mendon se ai ka devijuar nga sistemi dhe synimet e një shteti dhe politike demokratike, properëndimore.

Arrestimet e fundit dridhën jo vetëm qeverinë e Turqisë, por të gjithë kombin turk, po ashtu edhe një pjesë të madhe të fanatikëve të tij duke lënë një fije dyshimi se çfarë po ndodh në të vërtetë.


Turqia me vite të tëra vazhdon të besojë se i ka përmbushur të gjitha standardet të cilat do ta bënin atë pjesë të Bashkimit Evropian. Në një anë kemi një ngritje marramendëse të ekonomisë turke, e cila bënë pjesë në grupin 20 shteteve më të zhvilluara të botës me pretendimet e saj për t’iu afruar superfuqive botërore, e në anën tjetër mentaliteti diktatorial dhe mëveshja e petkut të liderit të përjetshëm dhe të pagabueshëm duket se ende qëndron në kokat e disa figurave brenda Turqisë.

Mentaliteti arabo-diktatorial që ka udhëhequr me dekada të tëra Lindjen e Mesme, duket se e ka tërhequr bukur mirë kryeministrin e Turqisë që edhe pas tri mandateve të udhëhequra nga ai, planifikon të ndryshojë Kushtetutën e Republikës së Turqisë duke e kthyer nga sistemi parlamentar në atë presidencial, për t’i siguruar vetvetes edhe disa mandate tjera. Ai gjithashtu njihet si njeri i përkushtuar ndaj fesë të cilën e ndjekë, po duhet t’ia kujtojmë se Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Mos ia jepni pushtetin atij që e kërkon”.

Por, shtrohet pyetja se pas kësaj mos vallë do ta shpallë Republikën e Turqisë si Mbretëri dhe veten ta shpallë “Sulltan”?

Akuzat për ryshfet, korrupsion dhe shpëlarje të miliarda dollarëve në hallkë bankare, arrestimet e zyrtarëve të lartë të partisë së Erdoganit – përfshirë djemtë e ministrave – rezultuan me dorëheqjen e katër ministrave e nëntë deputetëve. Së fundmi Erdogani shkarkoi dhjetë ministra duke i zëvendësuar ata. Por, nuk përfundon me kaq: ditët e fundit janë shkarkuar nga detyra pa asnjë paralajmërim dhe akuzë mbi pesëmijë policë, komisarë dhe shefa të departamenteve të hetuesisë. Gjithashtu, mediat turke raportojnë se Qeveria ka shkelur embargon dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, për shitblerjen e derivateve të naftës.

Pse gjithë ky reagim dhe kundërpërgjigje ndaj atyre që kapën bashkëpunëtorët e Erdoganit? Pse nuk i hapi ai rrugë drejtësisë për hetime ? Pse u kundërpërgjigj me shkarkime të paligjshme të prokurorëve, gjykatësve dhe policëve? Athua e sheh vetveten të paprekshëm, të pagabueshëm dhe se kush prek “shokët” e tij do të digjet? Pse nuk ia dha rastin drejtësisë që ta kryej punën e vet në zbardhjen e këtyre aferave korruptive?

Ditëve të fundit kemi edhe disa reagime të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian për shkelje të parimit të ndarjes se pushteteve dhe sistemit demokratik nga ana e kryeministrit të Turqisë, duke i kufizuar, shkarkuar dhe ndryshuar pozitat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shtetit. Ky reagim dhe kjo frikë nga ana e tij na nxitë të besojmë edhe me shumë në padrejtësinë e tij. Çdo qeveri dhe çdo pushtetar do ta kishte mbështetur hetimin ndaj personave të cilët dyshohen për korrupsion dhe ryshfet, por në rastin e Turqisë e shohim te kundërtën.