LAJMI I FUNDIT:

“Enver Hoxha, tungjatjeta…!”

“Enver Hoxha, tungjatjeta…!”

Ishte viti 1972. Presidenti amerikan, Richard Nixon, vizitoi Kinën, ku u prit nga kryetari kinez, Mao Ce Dun. Ky lajm e tronditi Enver Hoxhën. Pas kësaj filloi ftohja e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë, derisa ato u ndërprenë përfundimisht më 1978-n. Dhe, pas kësaj prishjeje marrëdhëniesh, ndonëse shqiptarët pranonin nga Kina ndihmat që e mbanin gjallë Shqipërinë, ata brohorisnin: “Vdekje revizionizmit, Enver Hoxha flamur i revolucionit”. Ndërsa, e vërteta ishte se Shqipëria dhe populli i saj pikërisht në atë kohë e ndien më shumë se kurrë mungesën e bukës. Por, aty ishte Enver Hoxha t’i qetësojë e t’u thotë: “Nëse ka nevojë, edhe bar do të hamë, por nuk heqim dorë nga marksizëm-leninizmi”.

Gjatë kësaj kohe tregohet edhe një ngjarje tjetër, ku Enver Hoxha, në një takim ndërkombëtar të vendeve komuniste në Vietnam, ia kishte lënë dorën pezull përfaqësuesit kinez dhe ky kishte qenë lajmi më i bujshëm në Shqipërinë e asaj kohe se me çfarë devotshmërie “Enveri ynë” e mbronte revolucionin.

Natyrisht, ne tashmë e dimë se kush ishte “Enveri ynë”: ai që e zhbëri gjithë elitën intelektuale shqiptare të paraluftës, ai që i vrau mizorisht të gjithë njerëzit e tij më të afërt, madje edhe familjarët e tij, ai që zhduku mijëra njerëz, që e izoloi vendin nga bota dhe që, kur doli Shqipëria nga diktatura, ishte vendi i parafundit në botë (i fundit ishte Angola) në listën e vendeve më të varfra. Dhe, e dimë mirëfilli se cili ishte dëshpërimi i shqiptarëve të Shqipërisë në vitin 1991: ata ishin gati të gjithë përnjëherë të hidhen në det për të dalë në Itali e në Evropë.


Për fat të keq, Enveri ia hëngri Shqipërisë 45 vjet histori me mashtrime të këtilla, që në fund u kuptua se kanë qenë vetëm mbulesë për maninë e tij për pushtet.

Dhe, pse tash e rikthyem këtë histori? Sepse edhe sot te shqiptarët e Maqedonisë po zhvillohet thuajse e njëjta dramë. Nga ata që i dinë deri në presje fjalimet e Enverit dhe që e kanë studiuar politikën e tij deri në detaje, enverizmi më shumë se gjithkund sot është i pranishëm në Maqedoni. Meqë Shqipëria evropiane tashmë nuk e duron enverizmin, ai ka zënë mjaft vend në Maqedoni.

Shqiptarët e Maqedonisë i dhanë bijtë e tyre më të mirë në luftën e vitit 2001, duke besuar se kjo do t’u kthehej me favore për kombin e tyre, por edhe 15 vite pas luftës, partia shqiptare, që pretendon se doli nga UÇK-ja, ende nuk arrin ta bëjë as temë politike zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së. Pastaj shqiptarët e Maqedonisë i dhanë disa mandate kësaj partie që ta zgjidhë çështjen e gjuhës shqipe, porse ajo nuk arriti ta zgjidhë atë as 14 vjet pas përfundimit të luftës.

Në vitin 2008 u kërkua vota që “të vendoset në vend vullneti i shqiptarëve”; në vitin 2011 u kërkua vota që “Partia të mos kushtëzohet nga Gruevski”; në 2014-n u kërkua vota që “Presidenti të jetë konsensual” dhe shqiptarët vazhdimisht i besuan kësaj partie. Dhe, gjithnjë kur ky besim kthehej me zhgënjim, arsyetimi ishte tipik enverist: janë ca punë që i di “Enveri ynë”, janë ca procese globale, andaj mos u merrni me këso cikërrimash.

Enveri “e shpëtonte” botën nga kapitalistët dhe revizionistët, ndërsa “Enveri ynë” “e shpëton” botën nga Putini. Vetëm janë ndërruar polet, ndërsa kanë ngelur të njëjta rolet. Enveri na detyronte të hamë edhe bar (pra, të bëhemi kafshë), që mos të hiqnim dorë nga revolucioni, ndërsa “Enveri ynë” na detyron të hamë kashtë, që ashtu të besojmë se ai “do ta shpëtojë” Evropën nga Rusia.

Ashtu si dikur shqiptarët e Shqipërisë që e kishin luks të hanë bukë sa duan ata, të hanë vezë, mish, qumësht etj., derisa Enveri i ushqente me përralla “të mëdha”, edhe ne sot jemi të varfër, shpërngulemi me mijëra secilin vit (nga vitit 2002 e këndej nga Maqedonia janë shpërngulur së paku 300 mijë shqiptarë), e kemi të ndaluar të flasim e të shkruajmë shqip, kemi nxënës shqiptarë që mësojnë në paralele maqedonase, kemi infrastrukturë kurrfare, kemi kapadai e mafiozë sa të duash, kemi tenderaxhinj e zhvatës gjithandej, kemi maniakë seksualë me bollëk në secilën zyrë, kemi milionerë që u ngritën mbi gjakun e bijve tanë, kemi e kemi, por ato nuk janë asgjë në raport me “idealin e madh” që e ka “Enveri ynë” për “ta shpëtuar botën”.

Dhe, sa herë që ai e kupton se dikush po ia zbulon këtë skemë, si njohës i shkëlqyeshëm i enverizmit që është, del dhe kanoset pak me fjalë të mëdha dhe shqiptarët e marrin vesh “selamin”.

Në kulmin e presionit dhe dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë, kur Enverit nuk i interesonte aspak për atë që ndodhte këndej, ai dilte e mbante fjalime se si Shqipëria mund të mbrohej nëse sulmohej nga Jugosllavia.

Njësoj si sot, kur Maqedonia është larg NATO-s, sepse kështu do VMRO-ja; kur Maqedonia nuk e zgjidh çështjen e emrit (ndërsa Partia nuk guxon as të bëjë propozim madje), sepse këtë nuk e do VMRO-ja; kur Maqedonia është bërë vend me borxhe marramendëse – që duhet t’i paguajnë disa gjenerata; me diskriminim të jashtëzakonshëm ndaj shqiptarëve, me padrejtësi të lartë, veçmas ndaj shqiptarëve (si në rastin “Monstra”); me korrupsion të pamatur dhe kufizim të pakufizuar të lirisë së shprehjes, kur VMRO-ja e imponon stemën e saj e Partia e shet si stemë shteti dhe, madje, e detyron Partinë “tonë” ta argumentojë se ajo stemë qenka shqiptare; kur VMRO-ja u pa se si për kaq vite i ka vjedhur paratë publike për interesa të ngushta klanore dhe i ka lënë Partisë ndonjë kockë; kur VMRO-ja e ka kapur kaq fuqishëm shtetin, “Enveri ynë” del e thotë se “Ukraina është afër!” e se vizioni i tij është BE-ja, që kështu të vazhdojë t’i mbajë në gjumë aktivistët e vet se ai “si flamur i revolucionit” nuk merret me çështje të vogla e banale si gjuha shqipe, varfëria e shqiptarëve, ndarja e buxhetit, shpërngulja e shqiptarëve, arsimi shqiptar, zhvillimi ekonomik i shqiptarëve, kultura e shqiptarëve, veteranët e UÇK-së etj., Sepse, ai është i zënë me disa punë “të mëdha”.

Dhe, për fat të keq, ashtu si Enveri dikur, edhe “Enveri ynë” bëhet figurë e besueshme dhe e vlerësuar lart. Për të shkruhen libra se është “I vërteti”, këndohen këngë, hidhet valle… Njësoj siç këndonte dikur Arif Vladi “Enver Hoxha, tungjatjeta!”…

Duke e shtyrë më tej enverizmin, njësoj si vetë Enveri që e kishte sloganin e agjitpropit (agjitacionit dhe propagandës) se “Shqipëria hedh valle në gojë të ujkut”, edhe “Enveri ynë” deklaron se “Partia ka shumë armiq të brendshëm e të jashtëm” dhe se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për opsion të ri politik, që kështu ta legjitimojë sulmin që do ta bëjë pastaj ndaj të gjithë kundërshtarëve njësoj si Enveri vetë. Për këtë janë argument vrasjet e shumë komandantëve e luftëtarëve që u zhdukën pas luftës, gjë që po vazhdon edhe sot.

Që argumenti i tij të jetë edhe më bindës, rrëfimi zgjatet kështu: “Enveri ynë” e ka për mision historik ndërkombëtar që Maqedoninë ta shpëtojë nga Rusia, ta integrojë, sipas tij, “vendin” në BE dhe në NATO, ku pos tjerash, bashkohemi edhe me Shqipërinë e Kosovën. Ndërsa, në anën tjetër “Enveri ynë” po i konverton në shqiptarë edhe disa ortodoksë, që e kanë humbur identitetin shqiptar (megjithëse deri tash nuk janë bërë as pesë të tillë), ndërsa po punon që edhe maqedonasit të bullgarizohen dhe kështu Maqedonia t’u mbetet shqiptarëve. Një rrëfim kaq i bukur, që ndoshta edhe atij do t’i pëlqente të ishte i vërtetë, por që ne – që nuk hamë bar se ashtu dëshiron “Enveri ynë” – e dimë se ky është vetëm një spin i ri, me makijazh bashkëkohor, ndërsa me thelb krejt enverist, madje prorus e antiperëndimor, që ka vetëm një qëllim: sa më gjatë ta mbajë pushtetin. Ajo që dikur ishte agjitpropi, sot është spini. Asgjë më shumë!

Megjithatë, gjithë kjo e ka një lajm të bukur: enverizmi ka fund dhe fundi i tij është tragjik. Prandaj, lum ata që e kuptojnë këtë hile më herët!

P.S. Pasi e kisha dërguar këtë tekst për botim, në festimin e Ditës së Alfabetit në Manastir, një pjesëmarrës nga Kosova, për të ma konfirmuar gjithë këtë që kam shkruar këtu, bëri një akt tipik enverist – i dhuroi drejtorit të Muzeut të Alfabetit, si dekor artistik, emrin e luftës të Enverit tonë, “Abazi”. Dhe, befasitë enveriste vazhdojnë…

Në trend

Më shumë
JD Vance: Britania e Madhe është një vend i rëndomtë që nuk ka bërë luftë për 30 ose 40 vjet

JD Vance: Britania e Madhe është një vend i rëndomtë që nuk ka bërë luftë për 30 ose 40 vjet

Amerika
​Këto janë votat e LDK-së në tetë komunat që udhëheq në nivel lokal

​Këto janë votat e LDK-së në tetë komunat që udhëheq në nivel lokal

Lajme
Sërish kaos në Kuvendin e Serbisë, deputetët hedhin vezë mbi Bërnabiqin dhe ministrat – aktivizojnë aparatin për fikjen e zjarrit

Sërish kaos në Kuvendin e Serbisë, deputetët hedhin vezë mbi Bërnabiqin dhe ministrat – aktivizojnë aparatin për fikjen e zjarrit

Serbia
Pamjet që e “tradhtuan” Bërnabiqin, tha se deputeten që pësoi sulm në tru e goditën nga opozita – videoja e tregon të kundërtën

Pamjet që e “tradhtuan” Bërnabiqin, tha se deputeten që pësoi sulm në tru e goditën nga opozita – videoja e tregon të kundërtën

Serbia
Ndalohet për 48 orë i dyshuari për grisjen e Kuranit, Policia thotë se ka të kaluar kriminale

Ndalohet për 48 orë i dyshuari për grisjen e Kuranit, Policia thotë se ka të kaluar kriminale

Lajme
Parashikimi tronditës i Inteligjencës Artificiale për 20 vitet e ardhshme: Yamal do të fitojë Topin e Artë dy herë si lojtar i Real Madridit

Parashikimi tronditës i Inteligjencës Artificiale për 20 vitet e ardhshme: Yamal do të fitojë Topin e Artë dy herë si lojtar i Real Madridit

Ndërkombëtare
Kalo në kategori