LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama është lajmi, është media, është forca dhe historia: E njeh gazetarinë, gazetarët e pronarët, ndaj tallet me ta!

Edi Rama është lajmi, është media, është forca dhe historia: E njeh gazetarinë, gazetarët e pronarët, ndaj tallet me ta!
Ilustrim

Roland Qafoku

Edi Rama kishte pak muaj që kishte marrë detyrën e ministrit të Kulturës në atë gusht të vitit 1998, kur gazetarja e gazetës “Koha Jonë” që mbulonte këtë sektor, kaloi një incident. Doli nga zyra e tij duke qarë dhe po duke qarë mbërriti në redaksinë e gazetës, me pushtetin që nuk ka për ta arritur asnjë media në Shqipëri.

Të gjithë u shqetësuan për lotët e saj, deri në momentin kur tregoi arsyen: Pasi arrita të futem në zyrë për një intervistë, ministri Rama më priti duke më thënë: “Erdhe ti, injorantja e radhës”?


Të mësuar me kërcënime, rrahje, burgosje e gjithfarësoj, për ne gazetarët që kishim rrethuar kolegen e kulturës, kjo ishte përkëdhelje, por sjellje e çuditshme. Realisht, u stepëm nga kjo fyerje e drejtpërdrejtë, e padëgjuar më parë.

Redaksia që disa çaste më parë gumëzhinte, befas ra në qetësi. Kishim kaluar përplasje për qëndrime editoriale në gazetë, por kurrë ndonjë etiketim të tillë. Kjo lloj përplasjeje ishte e ëmbël krahasuar me ato që kishim kaluar, por ishte e çuditshme. Si mund të sillej kështu një ministër.

Heshtjen e theu vetëm kolegu Arion Sulo, që i tha: “Të vërtetën të ka thënë”. Qeshëm. Natyrisht, ajo që tha Sulo ishte shaka, por një shaka që kishte edhe realitet brenda, një realitet që vazhdon të jetë edhe sot i tillë.

Edhe pas 20 vjetësh, Edi Rama nuk ka ndryshuar. Ai vazhdon t’i quajë gazetarët injorantë të radhës, që bëjnë pyetje idiote, që nuk lexojnë, nuk dëgjojnë dhe nuk kanë fare nivel.

Fjala kazan gati ka ndryshuar konotacionin edhe në fjalorin e gjuhës shqipe. Nuk është çudi që në sqarimet përbri fjalës, të citohet edhe kuptimi i kryeministri aktual.

Kush mendon se Rama, atë ditë, sulmoi median për të shmangur vëmendjen nga skandali “Tahiri”, gabohet dukshëm. Për mua kjo është ose naive ose sjellje servile, për ta nxjerrë Ramën takticien, me spaleta gjenerali, që jo vetëm bën ç’të dojë, por arrin të zgjedh deri motin politik sipas asaj që dëshiron ai.

Po përse Rama sillet rregullisht me median, kështu?

Besoj se janë disa arsye bindëse që të gjithë i dimë, por nuk i kemi thënë. Të gjithë i mendojmë, por nuk i shprehim. Mbase tani ka ardhur koha t’i themi troç dhe çuditërisht, kjo kohë erdhi nga vetë ai, që pyetjet e gazetarëve i quajti idiote.

1. EDI RAMA NUK KA NEVOJË PËR GAZETARË

Është i pari kryeministër që ka zhvlerësuar në maksimum rolin e gazetarit të mirëfilltë. Ideator dhe autor i kasetave të gatshme. Autor i të parit televizion me siglën e vet si markë, ERTV; ideator dhe realizues i një marrëdhënieje tejet të veçantë të medias, ai realisht ka arritur të zhvlerësojë rolin e gazetarit. Lajm është kur Edi Rama mendon se është lajm. Lajm nuk është kur Edi Rama nuk mendon se është i tillë. Në këtë mënyrë, ai e ka arritur këtë. Ka edhe një arsye tjetër që konfirmon këtë. Më shumë se një herë, kryeministri është shprehur se nuk lexon gazeta. A ka më domethënëse se kjo që ai deklaron? Natyrisht që këtë e bën se nuk ka nevojë t’i lexojë, sepse di se çfarë ka media, çfarë boton dhe përcjell ajo. Në kushtet kur ai nuk ka nevojë për gazetarë, nuk ka nevojë as për media.

2. EDI RAMA ËSHTË VETË PRODUKT MEDIATIK I YNI

Gazetarët e rinj sot, vuajnë atë që ne gazetarët me përvojë prej dy dekadash e lart, kemi bërë ndër vite. Duhet ta themi: Edi Rama është produkti ynë. Edhe gazetarët më kritikë ndaj tij, dikur kanë qenë beniaminë të tij. Në arkivin tim ndodhen me qindra, në mos mijëra shkrime të gazetarëve që sot krekosen me statusin e analistit të madh politik, që e cilësonin Ramën yllin e ndritshëm në Shqipëri, me vlerësimin si ai nuk ka tjetër, si politikan për të cilin ka nevojë Shqipëria, e të tjera etiketime si këto. Janë pikërisht këta që sot e quajnë Ramën kriminel të medias, shkatërrues të saj e të tjera. Por mirë, more kolegë gazetarë, ndryshoi rrugës Edi Rama? Si ka mundësi që atëherë ishte shumë, shumë i mirë, ndërsa tani qenka shumë, shumë i keq? Jo, në asnjë mënyrë. Atyre u vinte mirë kur drekonin, darkonin me ministrin trendi të Kulturës, që ftoheshin në Ministri e merrnin projekte pa fund prej saj dhe nga bashkia, kur gazeta priste me orë të tëra pas mesnate, që të mbaronte Rama shkrimin për veten e tij, por me emrin e dikujt tjetër, ndërsa sot ata e kritikojnë këtë. Një gazetar që shkel qoftë edhe një herë parimet, nuk mund të ketë moralin të kritikojë dhe komentojë dikë, sepse me demek, ai është pastruar.

3. EDI RAMA SI PUBLICIST

Edi Rama është nga të rrallët kryeministra që ka ushtruar në mënyrë mjeshtërore vetë, gazetarinë, më saktë publicistikën. Shkrimet e tij në gazetën “Koha Jonë”, në vitin 1995-1997, mbeten edhe sot zjarre të pashuara të modelit si duhet t’i përgjigjeshe pushtetit të Berishës të asaj kohe. Një mjeshtër i kultivimit të frazës, njohës shumë i mirë i artikulimit në print, nuk e teprojmë të themi se Edi Rama mund të krahasohet në publicistikë me mjeshtrit si Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Vangjel Koça, Selahudin Toto etj. Kjo është një meritë dhe kush nuk ia di ose e ka kundërshtar politik, ose vetëm ai e di përse e bën. Duke zotëruar këtë armë, ai nuk ndjehet asnjëherë inferior ndaj një gazetari apo analisti. Çdo shkrim që shikon dhe lexon, ai e krahason me atë që mund të shkruante ai vetë dhe nëse nuk gjen cilësi, di ai vetë si të reagojë.

4. EDI RAMA E KA MARRËDHËNIEN ME PRONARËT

Përse të çuditemi ne? Kryeministri Rama i ka marrëdhëniet me vetë pronarët e medias shqiptare. Me përjashtime të rralla, Edi Rama ka të tilla raporte që, nëse ka një çështje, nuk ka nevojë fare të merret me gazetarin, redaktorin e deri kryeredaktorin. Atij i duhet pronari dhe këta nuk i bëjnë punë. Ai dhe vetëm ai është njeriu që e zgjidh këtë çështje. Rama është politikani i parë dhe i vetëm në Shqipëri, që ka zhvlerësuar në atë farë feje postin e kryeredaktorit, sa sot të gjithë e dimë, me përjashtime të vogla, që të jesh ose jo kryeredaktor, kjo varet edhe nga humori i Ramës. Kryeredaktori ose drejtori është kthyer thjesht në një rrip transmisioni, midis Ramës dhe pronarit. Ai kurrë nuk vendos për linjën editoriale, për pikëvështrimin e lajmeve, për atë që duhet të botohet ose ajo, për vendin që duhet të zërë iks lajm dhe ypsilon analizë. Kryeredaktori i epokës së Ramës, në fakt, nuk është fare kryeredaktor. Dhe Ramës nuk i duhet fare një i tillë.

5. EDI RAMA DHE MEDIA E PËRÇARË

Herë për faj të vet medias dhe herë për faj të përçarjes që Rama i ka bërë, sot kemi një marrëdhënie skandaloze mes qeverisë dhe gazetarëve. Të gjithë e dimë që ka gazetarë që Rama i etiketon kazanë dhe sahanlëpirës. Por, ka edhe gazetarë të preferuar, që i sajdis me gjithfarëlloj mënyrash. Por, ka edhe gazetarë që janë larguar nga puna për shkak të tij. Habia është se si ne gazetarët sillemi me të. Si ka mundësi që mes gazetarëve nuk ka solidaritet, kur ka një problem? Unë shpreh keqardhjen për disa që janë larguar nga puna, duke denoncuar deri kryeministrin si autor të largimit. Por, kam një pyetje për këta gazetarë: Ku ishin ata, kur kolegët e tyre më parë u larguan në të njëjtat rrethana? Apo kur largohen ata, akuza ndaj Ramës vlen, kur largohen të tjerët, ajo nuk vlen? Pa dashje, disa gazetarë të vetëquajtur sendor, kanë zbatuar maksimën e George Orwellit se të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat. Thjesht, Kryeministri e di mirë këtë cilësi mes gazetarëve të përçarë dhe fërkon duart.

6. NIVELI PROFESIONAL I MEDIAS

Edi Rama ka të drejtë kur thotë që gazetarët nuk lexojnë. Ne na vjen hidhur ta themi publikisht, por përse mos ta themi troç. Edi Rama ka të drejtë kur e thotë këtë. Aktualisht, media shqiptare është e ndarë në tri kategori: Në një pjesë, gazetarët që kanë formim shumë të mirë, janë lexues mjaft të mirë dhe edukimi i tyre është e tillë. Kanë karakter dhe nuk i shkelin parimet. Në grupin e dytë, futen gazetarë që janë mediokër, të nivelit mesatar që nuk kanë njohuri të mjaftueshme bazë, vjedhin sa andej e këtej dhe, profesionalisht, këta janë më të rrezikshëm, sepse reklamojnë sikur dinë, por në fakt nuk dinë. Por duke dhënë një iluzion sikur dinë, këta janë speciet më të rrezikshme të komunitetit tonë. Grupi i tretë janë gazetarët që nuk kanë ndonjë nivel të spikatur, por që janë në media jo pak të rëndësishëm, duke qenë se një pjesë i përkasin gazetarëve të lajmit, reporterëve dhe redaktorëve të rinj. Me grupin e dytë dhe të tretë, Rama e ka më te lehtë të merret dhe t’i etiketojë si të dojë. Kur thotë që gazetarët nuk lexojnë, edhe ne që jemi vetë pjesë e medias, në mos e themi e mendojmë, se ai ka të drejtë që ç’ke me të.

7. EDI RAMA HYRI NË HISTORI

Ka qenë një dëshirë dhe qëllim i tij i hershëm, që të fitet në histori. Edhe pse në politikë u fut nga dera e pasme, ai synoi gjithnjë lart e më lart. Detyra e kryetarit të bashkisë dhe kryetarit të PS-së, ishin maja. Por ai donte majën e majës, kryeministrinë, të cilën e arriti më 2013. Tashmë e ka futur veten në histori dhe ky është rasti i skenarit të denjë të një filmi: Si e arriti atë që synoi Edi Rama, duke u bërë kryeministri i 33-të në historinë e shtetit shqiptar. Më shumë se kaq, që të renditet përkrah Ismail Qemalit, Fan Nolit, Ahmet Zogut, Mustafa Merlikës, etj. nuk ka më mirë. Madje, nuk ka as më shumë. Me mandatin e dytë të fituar, atij nuk i ka mbetur gjë tjetër në jetën politike. Synimet e tij për të ardhmen, janë për të marrë edhe mandate të tjera të njëpasnjëshme, por më shumë se kaq, të lërë edhe pasardhësin e vet të besuar në PS dhe qeveri. Ndaj nuk i duhet shumë media.

8. E ARDHJMJA POLITIKE E EDI RAMËS

Edi Rama është në një kohë që nuk ka ndonjë emocion të veçantë, nëse edhe gabon me median. Ai nuk e ka kafshuar asnjëherë buzën, kur nuk kishte pushtet dhe ishte një ministër i vogël i qeverisë së madhe të PS-së. Jo më tani që është kryeministër “i madh”, që pasi ka fituar mandatin e dytë me vota që nuk i ka patur kush në këto 27 vjet, mendon vetëm si do të pleqërojë. Atëherë do të shkruajë libra me kujtime dhe ndoshta do të tregojë se si na thoshte ne gazetarëve që bënim pyetje idiote. /AFP.al/

Në trend

Më shumë
Trajneri i Rumanisë, Lucescu: Kosova ka 3-4 lojtarë të rëndësishëm, Zhegrova është i jashtëzakonshëm

Trajneri i Rumanisë, Lucescu: Kosova ka 3-4 lojtarë të rëndësishëm, Zhegrova është i jashtëzakonshëm

Përfaqësuesja e Kosovës
Si filluan tensionet në ndeshjet Kosovë – Rumani shkaku i grupit “Uniti sub tricolor” dhe pse për Dardanët fitorja është shumë e rëndësishme

Si filluan tensionet në ndeshjet Kosovë – Rumani shkaku i grupit “Uniti sub tricolor” dhe pse për Dardanët fitorja është shumë e rëndësishme

Përfaqësuesja e Kosovës
Edhe 697 banka tjera gjermane korrigjojnë gabimin, Kosova do të figuroj si shtet i pavarur

Edhe 697 banka tjera gjermane korrigjojnë gabimin, Kosova do të figuroj si shtet i pavarur

Lajme
Gjenerali amerikan: Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën

Gjenerali amerikan: Serbia duhet ta pranojë të ardhmen pa Kosovën

Lajme
Ku mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Ku mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Lajme
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Kalo në kategori