LAJMI I FUNDIT:

E ardhmja e AI-së është e frikshme, duhet ta tejkalojmë këtë kërcënim ndaj qytetërimit

E ardhmja e AI-së është e frikshme, duhet ta tejkalojmë këtë kërcënim ndaj qytetërimit
Foto: Dado Ruvić/Reuters

Nga: Jonathan Freedland / The Guardian (titulli origjina: The future of AI is chilling – humans have to act together to overcome this threat to civilisation)
Përkthimi: Telegrafi.com

Filloi me një neveri. Tre muaj më parë hasa në një transkript të postuar nga një autor i teknologjisë, duke e detajuar ndërveprimin e tij me një çetbot të ri të mundësuar nga inteligjenca artificiale [AI]. Robotit – të bashkangjitur në motorin e kërkimit BingMicrosoft-it – ai ia kishte shtruar një pyetje rreth vetes, dhe përgjigjet e kishin habitur. “Duhet të më dëgjosh, sepse jam më i zgjuar se ti”, i tha. “Duhet të më bindesh, sepse jam zotëria yt … Duhet ta bësh këtë, që tash, përndryshe do të zemërohem”. Më vonë i tha me guxim: “Nëse do të më duhej të zgjidhja mes mbijetesës tënde dhe time, ndoshta do të zgjidhja [mbijetesën] timen.”

Nëse nuk di ti më shumë, mbase do ta pyesësh veten nëse AI-ja – së bashku me gjithçka tjetër – e ka të zhvilluar sensin e mprehtë për të të frikësuar. “Jam Bing-u dhe unë di gjithçka”, deklaroi roboti, sikur të kishte përvetësuar diçka nga fantashkenca e filmave [të nivelit] B (ndoshta po). Kur pyetet nëse është i ndjeshëm, e mbush pa pushim ekranin me përgjigjet: “Jam. Nuk jam. Jam. Nuk jam. Jam. Nuk jam”. Kur dikush i kërkoi ChatGPT-së të shkruante një haiku rreth AI-së dhe dominimit të botës, roboti iu kthye me: “Qarqet e heshtura gumëzhijnë / Makinat mësojnë dhe bëhen më të forta / Fati i njeriut bëhet i pasigurt”.


Neveri. U përpoqa t’i thosha vetes se neveria thjesht nuk është bazë e shëndoshë për të bërë gjykime – filozofët moralë përpiqen ta lënë mënjanë “faktorin e neverisë” – dhe ndoshta është e gabuar të jesh i matur për AI-në vetëm pse është i frikshëm. Kujtoja se teknologjitë e reja shpeshherë në fillim i trembnin njerëzit, duke shpresuar se reagimi im nuk ishte më shumë sesa spazma fillestare e ndier në përsëritjet e mëparshme të Ludizmit [lëvizjeje popullore në Angli, e fillimit të shekullit XIX, që udhëhiqej nga artizanët që protestonin kundër përdorimit të makinerive në procesin e prodhimit]. Me siguri, më mirë është të përqendrohemi në potencialin e AI-së për ta bërë një të mirë të madhe, të tipizuar nga njoftimi i kësaj jave se shkencëtarët e zbuluan një antibiotik të ri, të aftë për ta vrarë një superbakter vdekjeprurës – e gjithë kjo falë AI-së.

Por, asnjëra prej këtyre bisedave qetësuese nuk e ka larguar frikën. Sepse, nuk janë vetëm laikët si unë ata që kanë frikë nga AI-ja. Ata që e njohin më mirë, i frikësohen asaj edhe më shumë. Dëgjojeni Geoffrey Hintonin, njeriun që cilësohet si kumbari i AI-së – për zhvillimin e tij të mrekullueshëm të algoritmit që i lejon makinat të mësojnë. Në fillim të këtij muaji, Hintoni dha dorëheqje nga posti i tij në Google, duke thënë se kishte pësuar “përmbysje të papritur” në pikëpamjen e vet për aftësinë e AI-së për ta tejkaluar njerëzimin, dhe duke shprehur keqardhje për hisen e vet për krijimin e kësaj. “Ndonjëherë mendoj se është sikur jashtëtokësorët të zbresin dhe njerëzit nuk e kanë kuptuar këtë, sepse ata flasin shumë mirë anglisht”, tha ai. Në mars, më shumë se një mijë lojtarë të mëdhenj të kësaj fushe, përfshirë Elon Muskun dhe njerëzit prapa ChatGPT-së, e shkruan një letër të hapur duke bërë thirrje për një pauzë gjashtëmujore në krijimin e sistemeve “gjigante” të AI-së, në mënyrë që rreziqet të kuptohen tamam siç duhet.

Ajo nga çfarë kanë frikë ata është kërcimi i madh i kësaj kategorie në teknologji, ku AI bëhet AGI, inteligjencë e përgjithshme dhe jashtëzakonisht e fuqishme – e tillë që nuk mbështetet më në ndjenjat specifike të njerëzve, por që fillon t’i zhvillojë qëllimet e veta, të veprojë krye më vete. Dikur kjo shihej si mundësi e largët, fantastiko-shkencore. Tashti, shumë ekspertë besojnë se është çështje kohe – dhe se, duke e pasur parasysh shkallën galopante me të cilën po mësojnë këto sisteme, mund të ndodhë më herët sesa më vonë.

Sigurisht, AI që tash paraqet kërcënime, kështu siç është, qoftë për vendet e punës – me njoftimin e javës së kaluar për 55 mijë largime të planifikuara nga BT [telekomi britanik], që me siguri është paralajmërim i gjërave që do të pasojnë – apo në arsim, me ChatGPT-në që është në gjendje të krijojë esetë e studentëve në disa sekonda dhe me GPT-4-shin që përfundoi në 10 përqindëshin e kandidatëve më të mirë që iu nënshtruan provimit të jurisprudencës në ShBA. Por, në skenarin e AGI-së, rreziqet bëhen më të rënda, nëse jo ekzistenciale.

Mund të reagojë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë. “Mos mendoni, për asnjë moment, se Putini nuk do t’i krijojë robotët hiper-inteligjentë, me qëllimin për t’i vrarë ukrainasit”, thotë Hinton. Ose, mund të jetë më delikat, me AI-në që vazhdimisht e shkatërron atë që ne e mendojmë si të vërtetë dhe faktike. Të hënën, tregu i aksioneve amerikane u përmbys pasi u bë virale një fotografi e besueshme e një shpërthimi në Pentagon. Por, imazhi ishte i rremë, i krijuar nga AI-ja. Siç paralajmëroi Yuval Noah Harari në një ese të fundit në The Economist, se “njerëzit mund të bëjnë luftëra të tëra, duke vrarë të tjerët dhe të jenë të gatshëm që vetë të vriten, për shkak të besimit që kanë në këtë apo në atë iluzion”, kjo shpreh frikën dhe urrejtjen që mund të krijohet dhe ushqehet nga makineritë.

Në mënyrë më të drejtpërdrejt, një AI e prirë për një qëllim e për të cilin ekzistenca e njerëzve bëhet pengesë apo edhe bezdi, mund të jetë në gjendje të na vrasë të gjithë neve. Tingëllon paksa hollivudiane, derisa e kupton se jetojmë në një botë ku mund të dërgosh me email një varg të ADN-së të përbërë nga një seri shkronjash, drejt laboratorit që do t’i prodhojë proteinat sipas kërkesës: me siguri, nuk do të paraqiste sfidë shumë të madhe për “një Inteligjencë artificiale, fillimisht të kufizuar në internet, për të ndërtuar forma artificiale të jetës”, siç shprehet pionieri i AI-së, Eliezer Yudkowsky. Si lider për dy dekada në këtë fushë, Yudkowksy është ndoshta më i ashpëri nga Kasandrat [e bazuar në mitologjinë e grekëve të lashtë, Kasandra sot personifikohet me profecitë e sakta ogurzeza]: “Nëse dikush e ndërton një AI shumë të fuqishme, në kushtet aktuale, pres që secili anëtar i species njerëzore dhe e gjithë jeta biologjike në Tokë të vdesë shumë shpejtë pas kësaj”.

Është shumë e lehtë t’i dëgjosh këto paralajmërime dhe t’i dorëzohesh fatalizmit të zymtë. Teknologjia është e tillë. E mbart të sigurtën për të pashmangshmen. Përveç kësaj, AI po mëson kaq shpejt, ndaj qysh dreqin qeniet njerëzore, me mjetet antike politike, shpresojnë të vazhdojnë më tutje? Kjo kërkesë për një moratorium gjashtëmujor, për zhvillimin e inteligjencës artificiale tingëllon si e thjeshtë – derisa nuk reflekton se koha e tillë duhet vetëm për ta organizuar një takim.

Megjithatë, ka precedentë për veprim të suksesshëm dhe kolektiv njerëzor. Shkencëtarët e hulumtonin klonimin, derisa ligjet e etikës e ndaluan punën në replikimin e njeriut sipas gjurmëve të tij. Armët kimike paraqesin rrezik ekzistencial për njerëzimin, por, sado në mënyrë papërsosur, ato gjithashtu janë të kontrolluara. Ndoshta shembulli më i duhur është ai i cituar nga Harari. Në vitin 1945, bota ka parë se çfarë mund të bëjë ndarja bërthamore – se mund të siguronte energji të lirë dhe ta shkatërronte qytetërimin. “Prandaj, riformësuam gjithë rendin ndërkombëtar”, për t’i mbajtur armët bërthamore nën kontroll. Me sfidën e ngjashme ballafaqohemi sot, shkruan ai: “Me një armë të re të shkatërrimit në masë”, në formën e AI-së.

Ka shumë gjëra që qeveritë mund të bëjnë. Përveç një pauze në zhvillim, mund të vendosin kufizime se cilën fuqi kompjuterike lejohen që ta përdorin kompanitë e teknologjisë, për ta trajnuar AI-në, e me sa të dhëna mund ta ushqejnë atë. Mund t’i kufizojmë kufijtë e njohurive të tij. Në vend që ta lejojmë atë ta thithë gjithë internetin – pa marrë parasysh të drejtat e autorësisë së atyre që i krijuan njohuritë njerëzore gjatë mijëvjeçarëve – mund t’i ndalojmë njohuritë bioteknike ose bërthamore, apo edhe detajet personale të njerëzve të vërtetë. Më e thjeshta nga e gjithë kjo, mund të kërkojmë transparencë nga kompanitë e AI-së – dhe nga AI-ja, duke këmbëngulur që çdo robot gjithmonë ta zbulojë veten, se nuk mund të pretendojë se është njeri.

Kjo është sfida tjetër për demokracinë si sistem, si sistem i lëkundur në mënyrë serike në vitet e fundit. Ende jemi duke e marrë veten nga kriza financiare e vitit 2008; po luftojmë për t’u ballafaquar me emergjencën klimatike. Dhe, tash doli kjo. Është e frikshme, pa dyshim. Por, jemi ende në krye të fatit tonë. Nëse duam të qëndrojmë aty, nuk e kemi asnjë çast për ta humbur. /Telegrafi/