LAJMI I FUNDIT:

Duhet të ndryshojë politika e jashtme e Shqipërisë, ndaj Serbisë

Duhet të ndryshojë politika e jashtme e Shqipërisë, ndaj Serbisë
Ilustrim

Konfirmimi i akuzave dhe fillimi i procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-drejtuesve më të lartë të UÇK-së, përbën një zhvillim ekstrem, i cili mund të ketë implikime serioze politike në Kosovë; por dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë, përfshirë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon, të paktën për tri arsye:

Së pari, për faktin se këta që akuzohen se kanë “themeluar dhe drejtuar një sipërmarrje kriminale” dhe “kanë kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit”, janë të njëjtët që kanë themeluar dhe drejtuar UÇK-në, një sipërmarrje e mbrojtjes njerëzore, e rezistencës kundër makinerisë luftarake shtetërore të Serbisë, e cila është përgjegjëse për të paktën dhjetë mijë viktima, për shpërnguljen e 50 për qind të popullsisë, të masakrave dhe gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë civile. Formalisht të akuzuar në Hagë janë individë, por në një analizë të fundit, këto akuza janë një përpjekje për kriminalizimin e UÇK-së dhe të luftës së drejtë të popullit të Kosovës.

Së dyti, midis udhëheqësve më të lartë të UÇK-së të akuzuar në Hagë është edhe Hashim Thaçi, figura qendrore politike e Kosovës gjatë dy dekadave të fundit, ish-kryeministër dhe ish-president i Republikës. Përgjatë këtyre dy dekadave, ai udhëhoqi luftën, procesin e pavarësimit, procesin e ndërtimit të shtetit; themeloi dhe zhvilloi marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, për t’u akuzuar në fund të këtyre 20 vjetëve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në mënyrë paradoksale nga një Gjykatë, e cila nuk do të ishte krijuar dhe miratuar pa vullnetin politik të vetë Hashim Thaçit.


Së treti, sepse akuzat kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, njëherazi ish-udhëheqës të Republikës së Kosovës, janë ngritur nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara dhe procesi gjyqësor do të zhvillohet nga gjykata e Dhomave të Specializuara, të dyja institucione të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës, të themeluara nga Parlamenti i Kosovës me një ligj të veçantë, një rast i paprecedent në historinë moderne të administrimit të drejtësisë për krimet e luftës.

Më konkretisht, akuzat dhe çuarja në gjyq e udhëheqësve kryesorë të Kosovës duket se do të ketë implikime politike në disa rrafshe.

Pikësëpari në Kosovë, në politikat e brendshme të saj për funksionalitetin e institucioneve, përfshirë edhe stabilitetin e vendit, dorëheqja e presidentit Thaçi ka krijuar jo vetëm një zbrazëti në një nga institucionet e rëndësishme të shtetit, siç është Presidenca, por edhe një vakum politik, mbushja e të cilit duket se nuk mund të bëhet thjesht me zgjedhjen e një presidenti të ri. Skena politike në Kosovë mund të ketë shumë shpejt një konfigurim të ri dhe zhvillimet politike mund të krijojnë pasiguri, të paktën në një periudhë afatshkurtër.

Por, implikime serioze duket se do të ketë edhe më marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe, së pari, në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Politikanë të rangjeve të larta në Kosovë kanë bërë thirrje për të ngrirë procesin e dialogut me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Së fundi, qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e Beogradit për një vizitë në Kosovë të presidentit të Serbisë dhe ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës deklaroi se nuk do të lejohen vizitat e shtetarëve të Serbisë derisa Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

Por, ndërkaq, çuarja në Hagë e ish-presidentit dhe e zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës mund të ketë implikime për marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon, për shembull, në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Ditën që ish-presidenti i Kosovës udhëtonte drejt Hagës, kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë takoheshin (virtualisht) për të diskutuar një numër marrëveshjesh në kuadrin e mini-Shengenit Ballkanik, një iniciativë e Tiranës dhe Beogradit për të forcuar bashkëpunimin rajonal, iniciativë të cilën Kosova e ka refuzuar. Takimi i kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në nismën “Shengen Ballkanik”, i zhvilluar pikërisht në ditën kur ish-kryetari i shtetit të Kosovës udhëtonte për në Hagë, mbeti krejtësisht në hije në mediat e Tiranës. Ndërkaq, janë shtuar zërat kritikë ndaj politikës së jashtme të Shqipërisë ndaj Serbisë. Sipas këtyre zërave, Shqipëria jo vetëm nuk e ka ndihmuar, por përkundrazi, e ka dëmtuar Kosovën me afrimin pa kushte ndaj Beogradit. Në marrëdhëniet dhe dialogun e saj me Serbinë, Shqipëria ka përfshirë edhe Kosovën dhe çështjet e saj, sikur kjo e fundit të ishte një krahinë e Shqipërisë. Kritikë të tjerë nga Kosova mendojnë se përmes thellimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe miqësia që Tirana i ka ofruar Beogradit, Shqipëria ka ndihmuar në promovimin e “një fytyre humane dhe demokratike të Serbisë”, kur “Serbia ende nuk është ballafaquar me të shkuarën e saj kriminale dhe madje, elementë të ish-regjimit të Milosheviqit, vijojnë të mbajnë poste drejtuese në qeverinë e sotme në Beograd”. Të tjerë akuzojnë se Serbia qëndron pas përgatitjes së akuzave ndaj UÇK-së, prandaj Shqipëria duhet të rishikojë, madje të konsiderojë edhe ngrirjen marrëdhënieve me Serbinë.

Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, akuza dhe procesi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj udhëheqësve më të lartë të UÇK-së dhe politikanëve më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës, mund të këtë implikime serioze për procesin e pajtimit midis Kosovës dhe Serbisë, përmes të cilëve kalon, në fakt, procesi i pajtimit të shqiptarëve dhe Serbëve në Ballkan. Duke akuzuar UÇK-në për krime lufte, ajo vija e fortë ndarëse midis agresorit dhe viktimës që gjithsesi kishte filluar të zbehej, mund të fshihet, deri në mosqenie, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Ndoshta, siç shkruan Veton Surroi, me akuzat dhe procesin në Hagë mund të fillojë një proces i ballafaqimit me të kaluarën dhe i pajtimit të shqiptarëve me njëri-tjetrin në Kosovë. Mirëpo, një proces pajtimi dhe ballafaqimi me të kaluarën brenda përbrenda shqiptarëve në Kosovë do të lërë në hije, madje do ta dekurajojë procesin e ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën e vet kur Serbia operoi si një shtet agresor ndaj Kosovës dhe popullsisë së saj. Dhe, siç thotë Domenique Moisi i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pa ballafaqimin me të kaluarën, nuk ka pajtim për shtetet që kanë hyrë dhe janë mundur në luftë.

Artikulli në vijim shqyrton, së pari, reagimin politik të Shqipërisë pas konfirmimit të akuzave dhe fillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës dhe, së dyti, argumenton se, ndonëse duhet të revizionojë politikën e jashtme të saj ndaj Serbisë, në fakt, edhe ndaj Kosovës, Shqipëria duhet të zhvillojë dhe forcojë marrëdhëniet me Serbinë, marrëdhënie të cilat duhet të udhëhiqen nga interesi shtetëror dhe kombëtar i Shqipërisë dhe natyrisht jo nga interesat afatshkurtra të pushtet.

Pyetjes së një gazetari se çfarë do të bëjë Shqipëria, pas lajmit se Turqia – një aleate e Shqipërisë apo partner strategjik, siç pretendohet – po i shet armë Serbisë, ish-kryeministri Pandei Majko iu përgjigj se “Kosova na ka ne”. Që “Kosova ka Shqipërinë” dhe “Shqipëria duhet ta ndihmojë Kosovën”, ka qenë, në fakt, një narrativë mbizotëruese qysh nga rënia e rrëgjimit komunist dhe fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë. Pavarësisht nga fakti se kapacitetet, aftësitë, mundësitë e Shqipërisë kanë qenë shumë modeste, ekuacioni “shteti amë, Shqipëria, duhet të ndihmojë Kosovën”, ka mbetur i pandryshuar edhe tani që Kosova ka hyrë në dekadën e dytë të funksionimit si shtet i pavarur. Elitat politike në të dyja anët e kufirit vijojnë ta ushqejnë këtë narrativë, duke dështuar çdo ditë të gjejnë rrugët e bashkëpunimit dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin si dy shtete të pavarura. Madje, udhëheqësit politikë në Tiranë dhe Prishtinë vijojnë ta përdorin politikisht Kosovën dhe marrëdhëniet me të, ose Shqipërinë dhe marrëdhëniet me këtë, në luftën e brendshme politike dhe për interesat e tyre politike afatshkurtra.

Zhvillimi dramatik me konfirmimin e akuzave dhe arrestimet e udhëheqësve të Kosovës, duke nisur nga kryetari i shtetit atje, nuk mund të mos kishte vëmendjen dhe reagimin e Shqipërisë politike. Dhe, pavarësisht nga ndarjet e aleancat politike apo mosmarrëveshjet dhe konfliktet politike që ekzistojnë midis udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës, në reagimin e Tiranës u pa një unitet – diçka e rrallë kjo – në qëndrimin dhe reagimin që shoqëroi konfirmimin e akuzave: duke shprehur mbështetje të plotë për luftën e drejtë të UÇK-së dhe udhëheqësit të saj. Përveç shprehjes së mbështetjes, nuk pritej, në fakt, ndonjë ndihmë nga Shqipëria.

Ndonëse akuzat përtej fatit personal të katër-pesë individëve janë të lidhura me historinë e Kosovës, të shkuarën, por edhe të ardhmen e saj, beteja në Hagë është juridike dhe duhet të fitohet nga individët e akuzuar.

Duke qenë në thelb një betejë juridike, mundësitë që Shqipëria të ndihmojë janë të pakta, nëse nuk ekzistojnë krejt. Kësisoj, nuk pritej ndonjë angazhim i Shqipërisë apo udhëheqësve, institucioneve të saj, përveç deklaratave politike dhe mbështetjes për drejtësinë e luftës së UÇK-së. Dhe, po kështu, kurrsesi nuk mund të pritej që ky zhvillim ekstrem në Kosovë të përdorej politikisht për luftën e brendshme politike në Shqipëri, siç ka ndodhur gjithmonë me çdo çështje dhe zhvillim politik atje. Mirëpo, ka ndodhur e pandodhura dhe e më e pabesueshmja. Udhëheqësit politikë në Shqipëri e menduan si një mundësi të artë akuzën dhe arrestimin e ish-Presidentit të Kosovës dhe të tjerëve, për të përfituar politikisht në luftën e brendshme politike.

Parlamenti njëngjyrësh i Shqipërisë, i kontrolluar nga qeveria, ngriti një komision të posaçëm, i cili do të hetojë akuzat kundër UÇK-së të ngritura nga Dik Marti në raportin e tij dhe rolin e institucioneve publike në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë. Sipas socialistëve, qeveria e PD-së, tani në opozitë, ka “votuar pro raportit të Dik Martit më 2012” dhe ka dëmtuar UÇK-në dhe luftën e drejtë të Kosovës. Sado e pabesueshme të duket, ishte e qartë përpjekja për të fajësuar opozitën për raportin e Dik Martit më 2012 dhe, për rrjedhojë, edhe për akuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së më 2020. Për të ardhur keq, në shkallën më të lartë! Raportin e Dik Martit, për akuzat e të cilit ndaj UÇK nuk u gjet asnjë evidencë dhe të cilin e varrosi vetë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e zhvarrosën socialistët shqiptarë pas dhjetë vjetësh. Megjithë kërkesat nga krejt spektri politik në Kosovë që, “Kosova dhe çështjet e saj të mos përdoreshin për luftën e brendshme politike në Shqipëri”, socialistët vijuan me ngritjen e komisionit të posaçëm. Madje, qeveria urdhëroi mbledhjen e Parlamentit në mënyrë urgjente me 3 dhjetor, ditën e premte, megjithëse në fillim të javës vetë qeveria i kishte ndalur me dekret mbledhjet, përfshirë edhe seancat e Parlamentit për shkak të pandemisë.

Nuk ka dyshim se socialistët po përpiqen të përdorin Kosovën dhe procesin gjyqësor ndaj udhëheqësve të UÇK-së për interesa elektorale, vetëm disa muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Pas ngritjes së Komisionit parlamentar akuzat u përqendruan te shefi i opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili, sipas socialistëve, gjatë kohës që punonte për UMNIK, “ka ndihmuar në përgatitjet e dosjeve”, me të cilat po akuzohen sot në Hagë udhëheqësit e UÇK-së. Madje, edhe hetimet dhe akuzat për trafik organesh në territorin shqiptar, që gjenden në raportin e Dik Martit, “i ka udhëhequr Basha”. Por, socialistët nuk u mjaftuan me kaq. Ata arritën të “gjenin një dëshmitar”, që deklaroi se kur EULEX e kishte arrestuar, i pranishëm ishte edhe Lulzim Basha, por … i maskuar(?!!).

Kjo tragjikomedi do të vijonte me një dëshmitar tjetër, me të cilin, shefi i Grupit Parlamentar të Socialistëve ngriti një akuzë tjetër: Basha kishte fshehur krimet dhe masakrën që serbët kishin kryer në Krushë, një fshat në Kosovë. Sipas shefit të socialistëve, Basha e kishte fshehur kasetën me regjistrimin e masakrës. Mirëpo, vetë dëshmitari deklaroi në një intervistë në TV, se kasetën me regjistrimin e masakrës në Krushë ia kishte dorëzuar për BBC, jo Lulzim Bashës, por një personi tjetër, Dashamir Pezes, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Është sigurisht e paimagjinueshme që banalitete të tilla të ndihmojnë socialistët në zgjedhjet e ardhshme politike. Askush nuk mund ta blejë argumentin e socialistëve se udhëheqësit e Kosovës janë në Hagë për shkak të qeverisë së Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha. Po kështu, ka qenë dhe do të jetë e vështirë që imponimi dhe sponsorizimi politik i debatit rreth “veprimtarisë antikombëtare dhe kundër UÇK-së të PD-së dhe kryetarit Basha” të shmangë vëmendjen dhe debatin e shoqërisë shqiptare për krizën ekonomike, politike, që ka përfshirë vendin dhe që, sipas vëzhguesve të pavarur, është rënduar për shkak të keqqeverisjes, arrogancës së qeverisë, por edhe për shkak të tërmetit të vitit të kaluar (2019), si dhe krizës që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

S’ka dyshim se përpjekja e Tiranës për të përdorur procesin gjyqësor ndaj udhëheqësve të Kosovës në luftën e brendshme politike, do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, marrëdhënie gjithmonë e më konfliktuale. Por, akuzat dhe gjyqi kundër UÇK-së ka gjasa që të dëmtojë gjithashtu marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Do të ishte i domosdoshëm shqyrtimi në mënyrë kritike i marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të tyre, por edhe në dobi të forcimit të marrëdhënieve shumë konfuze midis Shqipërisë dhe Kosovës. Qasja populiste e Shqipërisë në marrëdhëniet me Serbinë nuk ka mundur të krijojë bazat për lidhje të qëndrueshme reciproke, ndërsa, në të njëjtën kohë kjo qasje ka ndikuar negativisht dhe ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën. Ka shumë gjasa që e njëjta qasje populiste në rrethanat e reja kur lidershipi i UÇK-së është në Hagë, të çojë në një ngrirje të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Beogradit dhe, njëherazi, të ruajë status-quonë në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën.

Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyçe për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit. Por, para së gjithash, marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë marrëdhënie dypalëshe ndërshtetërore dhe ato duhet të zhvillohen në mënyrë reciproke, bazuar tek interesat e ndërsjella. Gjatë gjashtë vjetëve të fundit, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit janë zhvilluar në mënyrë modeste. Madje, pas entuziazmit të vitit 2014, ato shumë shpejt mbërritën në një status-quo, megjithëse udhëheqësit më të lartë të të dy vendeve, kryeministrat Rama dhe Vuçiq shkëmbyen vizita të ndërsjella dhe mbajtën një dialog dhe komunikim aktiv. Aktualisht, nuk ka ndonjë përparim domethënës në marrëdhëniet ekonomike, në shkëmbimet tregtare, të cilat kanë mbetur pothuajse në nivelet e vitit 2014. Dhe, po kështu në fushën e investimeve, të turizmit apo marrëdhënieve në fushën e arsimit, të cilat kanë dështuar, për shembull, të realizojnë një marrëveshje për njohjen e diplomave universitare. Janë disa arsyet për këtë gjendje dhe nivel të varfër, por një arsye themelore është se dypalëshet Shqipëri– Serbi “janë marrë peng” nga “çështja e Kosovës”.

Gjatë shtatë vjetëve të fundit, agjenda e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Serbi është dominuar nga një shtet i tretë, Kosova, madje pa pëlqimin dhe vullnetin e kësaj të fundit.

Duket qartë se është në interesin e Serbisë që agjenda e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë të dominohet nga Kosova dhe çështje të Kosovës. Serbia, duke mbajtur Kosovën në agjendën e marrëdhënieve me Shqipërinë, jo vetëm vijon të vërë në diskutim pavarësinë e saj, por “zgjidhjen e çështjes së Kosovës” e kërkon me Shqipërinë, e cila gjithashtu e vë në dyshim pavarësinë e një shteti të tretë, Kosovës, të cilën e ka njohur botërisht.

Më 2014, Kryeministri i Shqipërisë, gjatë vizitës në Beograd, i bëri thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë që jo vetëm eklipsoi çdo çështje tjetër të bashkëpunimit dypalësh, por e shënjoi Kosovën si çështje kryesore të këtyre marrëdhënieve.

Por, përpara vitit 2014, Shqipëria dhe Serbia e mbështetën iniciativën e ministres së Punëve të Jashtme të Italisë, Mogherini, për të ndërmjetësuar takime dypalëshe midis Tiranës dhe Beogradit. Përmes “iniciativës Mogherini” u realizuan një tur trepalësh takimesh Romë-Tiranë-Beograd në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme. Unë e pyeta një diplomat të lartë serb se çfarë ndërmjetëson Italia midis Shqipërisë dhe Serbisë, kur aktualisht të dyja vendet tona nuk kanë asnjë problem që të kërkojë ndërmjetësim ndërkombëtar, qoftë edhe të një vendi mik si Italia. “Kosova është një shtet i pavarur”, ishte komenti im për përgjigjen e tij se “asnjë problem tjetër nuk kemi, përveç Kosovës”

Njëherazi me diplomacinë evropiane, shtypi ndërkombëtar e lexoi dhe interpretoi gabim vizitën “historike”, “pas shtatëdhjetë vjetësh, të Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi”. Sigurisht, ishte e vërtetë se vizita e Kryeministrit të Shqipërisë më 2014 ndodhte pas shtatëdhjetë vjetësh, pas vizitës së Enver Hoxhës më 1946. Por arsyeja e një mungese kaq të gjatë nuk kishte aspak Kosova, por Lufta e Ftohtë dhe vetizolimi ekstrem i Shqipërisë. “Muaji i mjaltit” midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbaroi më 1948, siç dihet botërisht, jo për shkak të Kosovës.

Duke përjashtuar takimin e parë më 2014, të Shqipërisë dhe Serbisë, në të cilin Kryeministri i Shqipërisë kërkoi publikisht njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, në të gjitha takimet e gjashtë vjetëve të fundit, Kosova vijoi të dominonte agjendën dypalëshe, por për çështje tërësisht teknike si “arrestimi i drejtorit të Policisë në veri të Kosovës”; çështja e patentave, Miniera e Trepçës dhe të tjera të ngjashme, të cilat janë dhe duhet të jenë ekskluzivitet i qeverisë së Kosovës. Kjo agjendë e perceptonte Kosovën si një krahinë autonome të Shqipërisë. Një politikë e tillë e Tiranës krijoi nervozizëm në Prishtinë, në mënyrë të veçantë kur u pa qartë se ambiciet e Shqipërisë synonin të udhëhiqnin procesin e paqes midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, kur Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se Shqipëria dhe Serbia duhet të bëjnë atë që Gjermania dhe Franca kanë bërë në Evropë. Këtij ekuacioni të gabuar të paqes që pretendonte Shqipëria Kosova iu përgjigj se pajtimi me Serbinë kalon nga Prishtina dhe jo nga Tirana.

Por, Shqipëria e injoroi dhe e neglizhoi këtë këshillë të Kosovës dhe bashkë me Serbinë ndërmori iniciativën e të të ashtuquajturit Shengen Ballkanik. Shengen, siç është themeluar dhe zbatuar në Bashkimin Evropian, është një vizion idealistik dhe utopik në Ballkan. Shengeni në Evropë u propozua shumë kohë pasi Gjermania dhe Franca kishin bërë paqe dhe shumë vjet pasi ishte themeluar dhe funksiononte Bashkimi Evropian i sotëm. Mendoni nëse do të funksiononte Shengen në Evropë apo edhe vetë Bashkimi Evropian, nëse disa prej shteteve nuk njihnin njërin prej shteteve, siç është rasti i Serbisë dhe Bosnjës, që nuk njohin Kosovën.

Në një rrafsh politik, thjesht iniciativa e Shqipërisë për mini-Shengen promovon ambiciet e saj për të udhëhequr paqen dhe pajtimin në Ballkan duke neglizhuar Kosovën, nga e cila varet, në fakt, paqja me Serbinë.

Në një rrafsh teorik dhe filozofik, propozimi për një model “Shengen” në Ballkan mund të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe konfliktet në një qasje bootom up (nga poshtë lart), e aplikuar nga Bashkimi Evropian në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, që vetëm ka dështuar. Kur, në fakt, duhet aplikuar qasja nga lart poshtë, ku Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe më pas, përmes Shengen apo modeleve të ngjashme, të vijojë procesi i pajtimit dhe i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për çështje teknike.

Nuk ka dyshim se zhvillimet më të fundit me konfirmimin e akuzave ndaj ish-presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë, marrëdhëniet Shqipëri-Serbi do të rrudhen dhe më shumë. Kjo, edhe për shkak të presionit të segmenteve populiste në Shqipëri dhe në Kosovë. Por shkaku themelor i një rrudhjeje apo ngrirjeje të mundshme të marrëdhënieve në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, është qasja populiste, me të cilën Tirana ka ndërtuar politikën e saj ndaj Beogradit. Një politikë e jashtme që ndërtohet mbi populizmin është shumë e influencueshme nga presionet populiste dhe lehtësisht e paqëndrueshme: nga afrimi gjithë entuziazëm, marrëdhëniet me Serbinë mund të shkojnë drejt ngrirjes apo përkeqësimit për të njëjtën arsye, qasjet dhe ngasjet populiste. Nuk është e dobishme, madje as realiste dhe as e mundshme që Shqipëria të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë me Kosovën.

Nga ana tjetër, mbajtja e Kosovës në agjendën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë e pengon zhvillimin normal të këtyre marrëdhënieve e mund të çojë në ngrirjen apo përkeqësimin e tyre dhe njëherazi të paktën vë në dyshim, nëse nuk e minon pavarësinë e Kosovës.

Në trend

Më shumë

"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit

Botë
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit

Premier League
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan

Lajme

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Kalo në kategori