LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për largimin e grupit terrorist nga Banjska

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për largimin e grupit terrorist nga Banjska
Foto: Arkiv

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se Kosova ka fakte, të cilat dëshmojnë se shteti i Serbisë dhe Ushtria e Serbisë i kanë dhënë mbështetje të plotë ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Siç tha ai, qëllimi i tyre ka qenë të krijohet një realitet i ri në Kosovë. Hoxha bëri të ditur se po hetohet edhe përfshirja e mundshme e disa personave që mund të jenë nga Rusia.

Gjatë intervistës, Hoxha foli edhe për bashkëpunimin me KFOR-it gjatë sulmit në veri, si dhe sfidat në monitorimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.


Hoxha mohoi çfarëdo marrëveshje për krijimin e korridorit për ikjen e grupit të armatosur nga Kosova.

Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Kosovë, konkretisht në veri të Kosovës?

Gazmend Hoxha: Faleminderit për interesimin tuaj! Lidhur me situatën e sigurisë që aktualisht mbretëron në pjesën veriore të Kosovës, mund të themi se situata është më e qetë në krahasim me ditët dhe javën e kaluar. Ka filluar paksa normalizimi i gjendjes atje. Mirëpo, shqetësim mbetet pjesa rreth kufirit ku vërehet që ushtria e Serbisë dhe organet e sigurisë të Serbisë kanë akoma një numër të madh të dislokuar të personelit dhe, po ashtu, të artilerisë dhe mjeteve të tjera luftarake dhe ushtarake.

Ndërsa, sa i përket situatës brenda për brenda Kosovës, ne po vazhdojmë të punojmë. Operacioni i krehjes së terrenit, është duke vazhduar. Po ashtu, hetimet janë duke u zhvilluar në shumë pista për të dokumentuar se çfarë ka ndodhur dhe për të nxjerrë të vërtetën para organeve të drejtësisë dhe po ashtu po vazhdojmë të shkëmbejmë informacione me partnerët tanë të sigurisë, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

Njësitë tona policore, po ashtu të rendit publik dhe ato të sigurisë së objekteve të trashëgimisë kulturore fetare, janë në kontakt edhe me Manastirin e Banjskës, po ashtu edhe me banorët e fshatit Banjskë. Ne po punojmë që gjendja atje t’i kthehet normalitetit, në mënyrë që të garantojmë sigurinë për qytetarët tanë që jetojnë në atë pjesë.

Kur flasim për hetimet, deri ku kanë mbërritur këto hetime në Banjskë, me çfarë provash po merret hetuesia aktualisht?

Gazmend Hoxha: Aktualisht, jemi duke punuar në disa drejtime. E para është që ta analizojmë gjithë këtë lloj armatimi. Të analizojmë lidhjet e grupit terrorist kriminal mes vete, pastaj planifikimet se si kanë ndodhur edhe dëshminë e gjitha asaj ngjarjeje çfarë ka ndodhur pastaj, pas futjes dhe gjatë ballafaqimit me forcat tona speciale dhe policët e rendit publik që kanë qenë atë ditë në detyrë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveça, ka thënë se ka dyshime për përfshirjen e mundshme ruse në Banjskë. A keni deri më tash ndonjë dëshmi që mund ta ndani?

Gazmend Hoxha: Janë disa elemente. Dihet se operacionet e këtij niveli nuk mund të kryhen pa një mbështetje të fortë logjistike, edhe politike të organeve të sigurisë, por edhe ne disponojmë informacione inteligjente – këto kanë qenë publike edhe më herët – që ka pasur mbështetje të tilla dhe në veriun e Kosovës vazhdimisht kanë parë shenjat “Z”.

Gjithmonë [në] parulla që janë shkruar nga Brigada e Veriut edhe Mbrojtja Civile, kanë bërë shenja të tilla dhe ka pasur mbështetje të vazhdueshme prej grupeve të cilat luftojnë në Ukrainë, po ashtu edhe personat që vullnetarisht kanë shkuar të luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë, ka pasur edhe persona prej Serbisë.

Ajo çfarë mund të konfirmojmë deri më tani është se disa prej armëve dhe pajisjeve që janë konfiskuar, janë të prodhimit rus.

Motorët katërrotësh të cilët janë konfiskuar nga Policia e Kosovës atë ditë, janë motorët të cilët janë dhënë dhe janë prodhim rus. Duket se janë dhënë donacion për ushtrinë dhe policinë e Serbisë nga Rusia.

Po ashtu, edhe disa armë të tjera që janë në mesin e arsenalit të konfiskuar, janë të prodhimit rus. Aktualisht, këto janë dëshmitë faktike që ne i kemi, ndërsa për dëshmi të tjera jemi duke punuar, sepse nuk është një hetim i lehtë, është hetim që do shumë kohë edhe është shumëdimensional dhe po ashtu kërkon edhe mbështetje dhe një bashkëpunim ndërkombëtar me partnerët e tjerë të sigurisë jo vetëm brenda Kosovës, por dhe jashtë.

Këto hetime të tjera në këtë rrafsh, a mund të sjellin emra të personave që kanë qenë të përfshirë?

Gazmend Hoxha: Mund të sjellin, edhe kemi emra, por aktualisht nuk mund t’i bëjmë publikë.

Sa është numri i tyre?

Gazmend Hoxha: Policia e Kosovës ka arritur t’i identifikojë mbi 30 persona që kanë qenë aktivë ditën kritike me datën 24 [shtator].

Personat që kanë qenë të përfshirë apo veç ata nga Serbia?

Gazmend Hoxha: Jo, po flas për grupin kriminal që ka qenë këtu. Për personat tjerë nuk mund të flasim tash – as për shifrën, as për identitetin e tyre.

Në disa nga videot që keni shpërndarë, kemi parë që sulmuesit po “ecnin” teksa arratiseshin. A ka pasur ndonjë marrëveshje që ata të largoheshin? Si ia kanë dalë të arratisen?

Gazmend Hoxha: Jo, asnjë marrëveshje, asnjë komunikim me qëllim të krijimit të lirimit a krijimit të korridorit për ikje apo depërtim të këtij grupi nga fshati i Banjskë, nga territori i Kosovës, nuk ka pasur.

As tentativë të tillë nuk ka pasur.

Do të thotë, ajo çfarë ka ndodhur [është se] ne kemi komunikuar disa herë duke iu kërkuar atyre që të dorëzohen tek autoritetet e Kosovës, ata nuk kanë dëgjuar dhe vazhdimisht kanë gjuajtur disa herë, do të thotë Policia e Kosovës ka bërë tentativa për të komunikuar me qëllim që ata të dorëzohen, mirëpo kërkesat tona nuk janë pranuar dhe përgjigjja e tyre ka qenë qitjet me armë të zjarrit.

Tjetra, ne kemi komunikuar po ashtu edhe me mbikëqyrësin e Manastirit të Banjskës, At Danilon [ashtu më duket e ka emrin], edhe përmes tij kemi kërkuar që të komunikojë me ata që kanë qenë brenda, në mënyrë që ata të dorëzohen. Mirëpo, nuk ka funksionuar ky lloj komunikimi.

Ndërsa, komunikim për t’i krijuar korridor të lirë dikujt që ka vrarë kolegët tanë – as nuk ka pasur as nuk do të mund të kishte – sepse ne kemi parime mbi të cilat funksionojmë, punojmë, jemi të ngritur si polici. Dhe, nuk lejojmë që dikush që vret policin apo qytetarin e Kosovës, ne t’i krijojmë mundësi të lirë që ai të largohet nga territori, pa u përgjigjur për veprën që e ka kryer.

Do të thotë, pse ata kanë arritur të largohen nga manastiri dhe pjesa e Banjskës, është se terreni është shumë i thyer.

Në komunikimin që keni pasur me udhëheqësit e manastirit, kur ju keni kërkuar prej tyre që të komunikojnë me sulmuesit, çfarë ju kanë thënë, se pse nuk u dorëzuan?

Gazmend Hoxha: Ai ka thënë se nuk kam mirëkuptim nga ana e tyre edhe po ashtu se nuk jam i sigurt se ka apo nuk ka njerëz brenda manastirit. Më vonë, gjatë procesit të afrimit të policisë afër manastirit, ne jemi ballafaquar me shkëmbim zjarri me personat e armatosur. Edhe pse një grup ka arritur të largohet, prapëseprapë një grup tjetër ka qenë në lokalet përcjellëse rreth manastirit.

Si ka hyrë i gjithë ky armatim në Kosovë? Pse nuk vëzhgohen më mirë kufijtë?

Gazmend Hoxha: Kufijtë e Kosovës me Serbinë përshkruajnë një vijë kufitare prej 380 kilometrash. Është e pamundshme që gjithçka që lëviz në kufijtë e Kosovës edhe të monitorohet, sepse terreni është tepër i vështirë. Ka shumë rrugë ilegale që janë hapur dhe hapen vazhdimisht nga territori i Serbisë më afër kufirit me Kosovën. Edhe tash çfarë kemi parë gjatë tri ditëve të fundit, kemi parë makineri, ekskavatorë, e mjete të rënda të cilat vazhdojnë të hapin rrugë afër kufirit të Kosovës. Po ashtu përmes një marrëveshjeje që KFOR-i ka, Policia e Kosovës nuk lejohet që t’i afrohet vijës kufitare më shumë sesa 1000 metra.

Pastaj në disa vende ekziston mundësia që në momentin që futesh brenda këtij një mijë metërshit, degëzohen shumë rrugë tjera ilegale, është e pamundur që policia e Kosovës t’i monitorojë të gjitha ato rrugë.

[Armatimi] është futur përmes rrugës ilegale, do të thotë janë futur grupe-grupe të caktuara. Pastaj janë afruar deri te fshati Banjskë, në Manastir të Banjskës. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur në këtë rast.

Si do ta vlerësoni bashkëpunimin me KFOR-in në Banjskë? A keni pritur më shumë?

Gazmend Hoxha: Mund të them që atë ditë kemi pasur bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Që nga orët e hershme të mëngjesit, në momentin që unë kam kuptuar çfarë ka ndodhur, kam qenë në kontakt me komandantin e KFOR-it, po ashtu edhe me shefen e misionit të EULEX-it dhe i kemi koordinuar veprimet në terren.

Mund të them që [ka qenë] një ndër bashkëpunimet më të mira që kemi pasur gjatë kohës sa jam drejtor i përgjithshëm i Policisë, po edhe më herët kur kam qenë drejtor i operacioneve. Ka qenë nivel jashtëzakonisht i mirë i komunikimit dhe i bashkëpunimit mes nesh dhe KFOR-it.

A mund të jetë më i mirë?

Mund të jetë edhe më i mirë, por ne kufizohemi, edhe KFOR-i edhe Policia, në këtë lloj bashkëpunimi dhe për shkak të mandatit që kemi si dy forca që të gjithë jemi të interesuar për siguri, por po i kemi kufizimet tona në mandat.

Na shpjegoni pak më shumë atë ditë si ka qenë komunikimi për rastin, domethënë në momentin kur janë bërë këto përpjekjet e komunikimit për t’u dorëzuar sulmuesit. Çfarë këshilla keni marrë ose si jeni kuptuar?

Gazmend Hoxha: Po ne kemi komunikuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin [Angelo Ristuccia] edhe po ashtu këshillat kanë qenë të kësaj natyre që duhet të keni kujdes që çfarëdo ndërmarrje që ndërlidhet me manastirin, duhet të jeni të kujdesshëm për shkak që mund të rezultojë me një dëm të madh për policinë dhe shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt, kanë qenë këshillat. Përndryshe, kemi pasur një mbështetje nga KFOR-i, nga aspekti i prapavijës edhe po ashtu edhe nga EULEX-i e kanë monitoruar këtë ngjarje. Nuk kanë qenë të përfshirë direkt në operacion, operacionin e ka kryer Policia e Kosovës.

A ka ende rreziqe për sigurinë?

Gazmend Hoxha: A ka kapacitet dhe a ka potencial për kërcënim? Ka. Kjo qëndron. E, ajo çfarë ne po bëjmë, [është se] po punojmë shumë që tashmë ta avancojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me KFOR-in, sidomos në edhe rreth vijës kufitare me Serbinë.

Atje kemi shtuar prezencën tonë policore, kemi rritur kapacitetet, jemi duke punuar që disa prej atyre rrugëve ilegale t’i mbyllim dhe t’u pamundësojmë grupeve kriminale siç ka qenë kjo, që të fusin, qoftë njerëz, qoftë armatim dhe materiale tjera brenda territorit të Kosovës. Të njëjtën gjë është duke e bërë edhe KFOR-i, jemi në komunikim të ngushtë që të ndajmë disa përgjegjësi dhe zona atje, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë komunikim.

Këtë na e kanë komunikuar edhe përgjegjësit e KFOR-it që jemi duke u koordinuar në terren, jemi takuar, jemi parë edhe po ndajmë çdo informatë që ne kemi. Po shkëmbejmë informacione mes vete dhe po ashtu po i ndajmë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë që të garantojmë së pari që vija kufitare të jetë e sigurt, mandej hetuesit janë duke bërë punën e tyre që, nëse ka ndonjë grup të caktuar që ndërlidhet me këta terroristë, ne do t’i hetojmë dhe ta çojmë para drejtësisë secilin prej tyre.

Janë dy organizata terroriste, Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, të cilat Qeveria e Kosovës i ka shpallur si organizata terroriste. Shumë prej këtyre njerëzve që janë pjesë e këtyre formacioneve, ne pothuajse i kemi të identifikuar dhe e dimë se kush janë. Jemi duke punuar që të shohim rolin e secilit edhe në këtë ngjarje, po edhe në ngjarje të mëhershme dhe në ngjarjet që mund të ndodhin të ardhmen.

Prandaj, po punojmë që ta ulim dhe ta minimizojmë rrezikun që këta paraqesin për qytetarët tonë, sepse këto [organizata] nuk është që paraqesin kërcënim vetëm për Policinë e Kosovës, por paraqesin kërcënim edhe për vetë qytetarët e asaj pjese. Ata kanë qenë për një kohë gjatë në një presion, një shantazh, të detyruar të dalin në protesta dhe të dalin në kundërshtim të çdo vendimi të ligjshëm të Qeverisë e të policisë.

Ne e shohim se çfarë presioni përdorin këto për t’i detyruar njerëzit për të dalë në terren dhe t’i arrijnë qëllimet e tyre politike. Kemi parë që sistemi i sigurisë i Serbisë i përdor këta njerëz për të komunikuar, për t’i shantazhuar edhe policët tanë të rinj, të cilët janë inkuadruar tashmë së voni në Policinë e Kosovës, duke i kërcënuar se nëse nuk e lëshoni punën do t’ua largojmë nga puna vëllain, motrën e gjëra të tjera.

Do të thotë është një sistem paralel i sigurisë që këta e kanë në territorin e Kosovës dhe pastaj urdhrat i marrin nga Qeveria e Serbisë, nga eksponentë të shërbimeve sekrete, edhe po ashtu të policisë serbe me qëllim të mbajtjes nën presion të popullatës civile e popullatës serbe që jeton në atë pjesë.

Kur flasim për Njësinë Speciale dhe nëse flasim me përqindje, sa për qind është e pranishme?

Gazmend Hoxha: Njësia Speciale është e pranishme atje aq sa është e nevojshme. Do të thotë, aktualisht ne kemi pasur një ulje të pranisë së njësive tona speciale atje për shkak edhe të marrëveshjes që ishte ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe negociatorëve të Bashkimit Evropian. Mirëpo, pas sulmit të datës 24 shtator, është rritur prezenca policore. Në veçanti, ne kemi njësitë policore të kufirit, pastaj edhe në disa zona strategjike që ne mendojmë që mund të jenë cak dhe mund të jenë shumë të rëndësishme për të garantuar siguri, kemi prezencë atje, mirëpo jo në masën sa trumbetohet nga Qeveria e Serbisë.

Ne kemi prezencë policore të njësive speciale aq sa mund të garantojmë sigurinë e interesave tona strategjike në atë pjesë dhe po ashtu sigurinë e qytetarëve tanë të asaj pjese. Mirëpo, prania e njësive tona speciale edhe ditën kur ka ndodhur sulmi nuk ka qenë aq sa është trumbetuar. Domethënë, një numër i kufizuar i njësive tona speciale kanë qenë ata që e kanë kryer operacionin ditën e 24 shtatorit, jo një numër shumë i madh. Ne kemi pasur profesionistë, të cilët e kanë kryer punën e tyre.

Po ashtu, punë të madhe kanë kryer edhe njësitë e para policore që janë kyçur në operacion. Në fakt, pas vrasjes së kolegut tonë, njësitë e rendit publik kanë qenë ato që kanë hasur në sulm, që është vrarë kolegu ynë, heroi më i ri i Kosovës, Afrim Bunjaku. Pastaj njësitet policore të kufirit, të cilat e mbikëqyrin kufirin në atë zonë kanë shkuar edhe e kanë tërhequr trupin e kolegut tonë të ndjerë dhe kolegët e tjerë të plagosur edhe vazhdimisht janë ballafaquar, do të thotë me sulme të pareshtura, duke përdorur armatime të rënda, eksplozivë.

Sulmi i parë, ndaj kolegut tonë, në të cilin sulm është vra heroi ynë Afrim Bunjaku, ka ndodhur me eksploziv, ka qenë një minë e improvizuar edhe është ndezur me detonatorë nga distanca. Në momentin që kolegu ynë i është afruar barrikadës për të parë se çfarë ka atje, është një aksident apo është një barrikadë, ka ndodhur eksplozivi dhe ka ndodhur vrasja e kolegut tonë dhe lëndimi i kolegëve të tjerë. Pastaj kanë filluar të shtënat nga të gjitha llojet e armatimeve në drejtim të policisë, siç e keni parë edhe në videon që ishte para dy-tri ditësh në Mitrovicë, kur prezantuam unë dhe ministri [Xhelal Sveçla].

Do të thotë, arsenal i tërë i armatimeve të çfarëdo lloji është përdorur në sulmin ndaj policëve tanë, si ndaj atyre të njësive të zakonshme të policisë, po ashtu edhe [ndaj] njësive të tjera që kanë shkuar në mbështetje.

Kur flasim për armatimin që është gjetur, a është i ngjashëm me atë që policia ka bërë hetime dhe kur janë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it?

Gazmend Hoxha: Armatimi, i cili është sekuestruar tash, është një sasi shumë e madhe e armatimeve, shumë e rëndë. Do të thotë, është një arsenal ushtarak, i cili do të mund t’i bënte dëm jashtëzakonisht të madh vendit tonë, qytetarëve, dhe ndaj kujtdo që do të përdorej. Po, ekziston lidhja në mes këtij armatimi që është sekuestruar tani dhe bombave që janë përdorur në sulmin ndaj KFOR-it me datën 29 maj [gjatë protestavepara objektit të Komunës në Zveçan].

Po ashtu, edhe një automjet, i cili është gjetur në Zveçan pas datës 29, pas 10 – 15 ditësh që është sekuestruar nga Policia e Kosovës, është lloji i njëjtë i armatimit dhe bombe që është përdorur edhe me datën 29 maj, po edhe më 24 shtator.

Ekziston njëllojshmëri, sepse janë strukturat e njëjta të cilat edhe e kanë sulmuar KFOR-in me datë 29. Kanë pasur qëllim ta sulmojnë edhe Policinë e Kosovës dhe po ashtu kanë lënë në gatishmëri automjete të tëra edhe depo municionesh dhe armatime me qëllim për të sulmuar Policinë e Kosovës dhe organet tjera të shteti tonë, po ashtu edhe prezencën ndërkombëtare të KFOR-it dhe EULEX-it.

Si planifikoni të përafroheni me komunitetin serb, duke qenë se pjesëtarë të tij në disa zona, si Banjska, thonë se janë të frikësuar…

Gazmend Hoxha: Ne mund të garantojmë që qëllimi i Policës së Kosovës nuk është për të kërcënuar, për të shantazhuar, për t’i frikësuar qytetarët tanë. Ata janë qytetarë të këtij vendi dhe ne e kemi obligim edhe këtë punë e bëjmë me vullnet që t’u shërbejmë atyre edhe t’u garantojmë siguri çdo ditë e më shumë.

Ne tashmë kemi tërhequr disa forca të Njësisë Speciale nga fshati Banjskë, e kemi zëvendësuar me Njësi të Reagimit të Shpejtë, që është njësi më e ulët për nga shkalla e gatishmërisë, përgatitjes dhe pajisjeve. Po ashtu, kemi dërguar zyrtarët tanë policorë të rendit publik për të komunikuar edhe me qytetarët, edhe me priftin e manastirit atje dhe qëllimi ynë është që ne sa më shpejt të komunikojmë me ta.

Ju e dini që kemi pasur edhe disa konkurse të reja vetëm për minoritarë, në këtë rast më shumë pjesëtarë të komunitetit serbë që t’i bashkohen Policisë së Kosovës, kemi arritur që të kemi diku 79 pjesëtarë, 49 nga ta kanë qenë serbë dhe të tjerët boshnjakë, ashkalinj, romë e të tjerë, të cilët janë caktuar të punojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Në momentin që kemi filluar të punojmë edhe kanë dalë në detyrë, kanë filluar presionet direkt nga Qeveria e Beogradit dhe eksponentët e saj brenda Kosovës që ata ta lëshojnë punën. Ne po bëjmë të pamundurën, tani akoma kemi një konkurs të ri të policisë në proces, prapë do të punësojmë policë serbë, të cilët do t’i shërbejnë komunitetit ku janë atje, sepse ndoshta do të jetë më e lehtë, do të jenë më të pranueshëm, do ta kenë më të lehtë të komunikojnë, sepse e njohin gjuhën, e të gjitha këto. Vazhdojmë komunikimet, do t’i përdorim të gjithë mekanizmat lokalë të sigurisë që të aktivizojmë edhe pastaj të komunikojmë me secilin që është atje që Policia e Kosovës të jetë e pranueshme dhe të kuptohet mirë roli ynë atje.

Ne nuk synojmë të punojmë vetëm me Njësinë Speciale atje, ne synojmë të punojmë me policë të rendit publik. Por, për shkak të mundësive të sulmit siç ishte ai i datës 24 [shtator] ne jemi të detyruar që kohë pas kohe të kemi edhe policë të Njësive Speciale që t’u ofrojmë mbështetje policëve që mund të rrezikuar, por jo vetëm policëve, sepse ajo çka ndodhi atë ditë, ka qenë edhe sulm [ndaj] vetë qytetarëve të atij lokalitet. Do të thotë edhe vetë ata kanë qenë të rrezikuar./rel/