LAJMI I FUNDIT:

Dora e fshehtë e tregut apo e shtetit

Sistemi ekonomik shqiptar i trashëguar prej tetëvjeçarit të PS-së në pushtet karakterizohet nga një ndërhyrje e fortë e shtetit në ekonomi, veçse jo për qëllimin e ideologjisë socialiste të rishpërndarjes të pasurisë tek të varfrit, por për të favorizuar aktorë të caktuar ekonomikë që shpesh kanë qenë kompani të vetë politikanëve. Ky favorizim në ekonomi është bërë qoftë me privilegjimin e aktorëve të caktuar me tenderë e licenca qoftë në formën e zbatimit selektiv të ligjit, duke toleruar kontrabandën apo evazionin fiskal të aktorëve të caktuar. Kjo do të thotë që ekonomia jonë nuk ka funksionuar nëpërmjet dorës së fshehtë të tregut, por nëpërmjet dorës së fshehtë të shtetit. Për rrjedhojë mungesa e konkurrencës ka bërë që ekonomia jonë të mos jetë eficente, por të mbarështojë një lloj oligarkie të përbërë nga biznesmenë të dembelizuar e të paaftëzuar prej rehatisë me lidhje apo pjesëmarrje në politikë, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë shtënë në dorë pjesën e luanit nga rritja dhe fitimet e nxjerra në ekonominë shqiptare.

Kjo lidhje e ngushtë me politikën që është kultivuar prej fundit të viteve ‘90 ka bërë që shumë quasi-oligarkë të dikurshëm dhe të tanishëm të kenë pasur fitime të larta nga tregu shqiptar, falë marrëdhënies së privilegjuar me politikën e për pasojë, të mos kenë pasur ndonjë incentivë ekonomike që të rrisin cilësinë e prodhimeve e shërbimeve, efikasitetin e administrimit të biznesit të tyre, si dhe të mendojnë për eksport. Një mundësi e jashtëzakonshme e humbur eksporti për bizneset shqiptare ishte edhe ajo që u krijua kur Kosova vjet vuri embargo ndaj importeve serbe. Këto importe nuk u zëvendësuan me produkte nga Republika e Shqipërisë sepse ne s’kemi kapacitete prodhuese, ngase i kemi bërë paratë llaç e tulla, por me produkte maqedonase e bullgare. Të vetmit që në njëfarë mënyre ishin më të ndjeshëm ndaj konsumatorit kanë qenë bizneset e vogla dhe të mesme.

Në vend që bizneset e mëdha të përfitonin prej privilegjeve shtetërore të siguruara, duke i shfrytëzuar si trampolinë për të evoluar, për t’u konsoliduar e për t’u bërë mjaftueshëm konkurrentë sa të mund të ecnin përpara edhe në tregun ndërkombëtar, ato u bënë të varura akoma më shumë prej fondeve të shtetit. Lidhja me politikën u shndërrua jo thjesht si stimul, por si një varësi e mirëfilltë si me pas qenë një varësi e narkomanit ndaj drogës. Kjo u vu re qartë nga gjendja e keqe ekonomike ku u zhytën bizneset e lidhura me socialistët pas rotacionit të pushtetit në 2005-n. Humbja e marrëdhënies speciale me shtetin qe si shkëputja e serumit ose ndërprerja e karburantit dhe tanimë gjenden deri në fyt në borxhe ndaj bankave e partnerëve të tjerë në biznes.


Fatkeqësisht, e njëjta situatë u krijua edhe me bizneset që u fuqizuan në vitet në vijim, simptomat janë të njëjta. Sikurse më parë, ekonomia jonë karakterizohet nga biznese të stërmëdha ku pronari s’ka administratë të mirëfilltë, gjithë stafi i kompanive kryesore që kanë qindra punonjës e qarkullojnë dhjetëra milionë euro është aq e vogël sa zakonisht është e vendosur në apartamente në qendër të Tiranës. Shumica e biznesit bëhet nga pronari me telefonata celularësh e negociata kafenesh, në një ambient shumë informal, kryesisht pa kontrata e me marrëveshje gojore, pa plane strategjike, por me improvizime të momentit. Kompanitë kryesisht njihen me emrin e pronarit pa krijuar një brand apo markë të mirëfilltë. Këto kompani duket që shpesh kanë mungesë të theksuar vizioni, nuk bëjnë hulumtim të tregut vendas dhe të huaj dhe marrin vendime, duke u mbështetur vetëm te tekat apo intuita e pronarit, ose duke imituar të tjerët. Bllokimi i sektorit të ndërtimit me dhjetëra mijëra apartamente të pashitura është një dëshmi e drejtpërdrejtë e tendencës së sjelljes si kope (herd behaviour) ose asaj që në gjuhën shqipe ka hyrë si koncept, procesi i kioskëzimit.

Në vende të ndryshme ku bizneset janë të lidhura me politikën dhe marrin formën e oligarkisë, këto biznese zakonisht e shfrytëzojnë goxha mirë subvencionimin prej shtetit për t’u konsoliduar dhe për të bërë ekspansion në tregje ndërkombëtare. Kështu ka ndodhur dikur me kompanitë japoneze zaibatsu, të cilat dorën që i dha qeveria e përdorën për të zaptuar tregjet botërore, mandej konglomeratet jaebol koreanojugore dhe së fundmi korporatat e fuqishme të disa familjeve të veçanta turke, të cilat sot janë të papërmbajtshme në zgjerimin e tyre në Ballkan apo Azinë Qendrore. Madje edhe kur merret shembulli ekstrem i bizneseve të mëdha në vendet autoritare ose gjysmë diktatoriale shihet qartë që ato janë profilizuar për eksport. Kështu në Amerikë apo Afrikë bien në sy regjime ku elita ekonomike nxjerr fitimet prej eksportit në tregje botërore të monokulturave si kafeja, kakaoja apo banania dhe në Azi shtetet që merren kryesisht me eksport mineralesh, nafte dhe gazi.

Tek ne ka ndodhur e kundërta, paratë që këta biznesmenë kanë siguruar prej marrëdhënies së posaçme me shtetin nuk i kanë kanalizuar në industri për eksport apo për të ofruar shërbime për jashtë vendit, por ia kanë bërë dëmin vetes, duke investuar në sektorë që objektivin kryesor kanë pasur klientelën vendase. Një situatë paradoksale ku këta aktorë ekonomikë zvogëlojnë të ardhurat e shumicës së shoqërisë, nëpërmjet pozitës së privilegjuar por pastaj paratë që nxjerrin i çojnë në produkte e shërbime që pritet të kenë për konsumatorë pikërisht këta qytetarët e varfëruar. Falë lidhjeve politike që kanë këta biznesmenë dominojnë sektorët kryesorë të ekonomisë, duke shtënë në xhep pjesën më të madhe të fitimeve e duke lënë vetëm ca çikërrima për bizneset e vogla e të mesme. Mirëpo me paratë e nxjerra i investojnë në ndërtim, në dyqane apo në industri si çimento e tulla që gjithsesi lidhet me sektorin e ndërtimit, duke bërë që edhe bizneset kryesore të vendit të jenë drejtpërsëdrejti të prekur prej gjendjes ekonomike të mbarë shoqërisë.

Në kushtet e sotshme ku vendi ynë është prekur nga kriza globale, ekonomitë e fqinjëve me të cilët jemi më shumë të lidhur kanë shkuar tatëpjetë, remitancat e emigrantëve kanë rënë ndjeshëm e zënë veç 7-9% të ekonomisë, kur kuptohet që mundësia e ekspansionit ekonomik herët a vonë do të saturohej, inefikasiteti dhe mungesa e kapaciteteve të sipërmarrësve shqiptarë të mëdhenj bëhet shumë herë më i dukshëm. Fundja kapiteni i mirë duket në stuhi e jo në kohë të mirë. Deri para pak vitesh ia kanë lejuar vetes shpenzimet e investimet pa nikoqirllëk dhe administrimin e biznesit në mënyrë joefikase, sepse normat e fitimit kanë qenë mjaftueshëm të larta për ta kompensuar ineficencën dhe pakujdesinë. Mirëpo problemi tek ne është i shumëfishtë, sepse dështimi i këtyre biznesmenëve të mëdhenj shkakton tërmet në ekonominë tonë, që ata të mbijetojnë duhet ose të kalojnë një metamorfozë totale që nënkupton heqjen e patericave të shtetit dhe ngritjen e konkurrueshmërisë në tregje ndërkombëtare. Po të vijojnë siç janë mësuar, duke marrë tenderë të tjerë nga qeveria në kushtet kur thesi i taksapaguesve është i zvogëluar s’kanë për të ecur gjatë. Buxheti i qeverisë është në situatë delikate me borxhe të prapambetura ndaj ndërtuesit dhe borxh të lartë publik, ndërkohë që vështirë se mund të shtojë të ardhurat në kushtet kur ekonomia është e brishtë dhe bizneset më të mëdha dhe të majmura janë edhe evazionistët më të mëdhenj. Më e keqja që mund të ndodhë tani është që gropat e biznesit të mbyllen, duke shtuar barrën e taksave dhe gjobave te bizneset e vogla dhe të mesme, të cilët janë gjithsesi të prekur nga kriza, kanë më pak dhjamë rezervë për kohëra të vështira dhe tashmë janë në kushtet e mbijetesës prej konkurrencës së pandershme.

Në të gjithë këtë histori, biznesmeni i vogël dhe i mesëm shqiptar është heroi i vërtetë i ekonomisë shqiptare pasi nuk ka pasur lidhjet politike apo mundësi ekonomike për të paguar ryshfete të majme për të siguruar privilegje nga shteti. Atij i është dashur që të ecë në një tokë të minuar dhe ka farkëtuar shprehi më të theksuara sipërmarrje. E ardhmja jonë mund të përmirësohet vetëm nëse thithen investitorë të huaj që fusin edhe profesionalizmin (know how) dhe duke bërë strategji për të inkurajuar e konsoliduar sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këtu duhet parë edhe rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare, duke çliruar konkurrencën, duke derregulluar legjislacionin, duke eliminuar arbitraritetin e administratës, duke hequr dorë nga subvencionimi shtetëror që u bëhet kompanive të mëdha që kanë pas financuar politikën apo që kanë aksionerë politikanë dhe duke tërhequr në mënyrë graduale dorën e fshehtë të shtetit që vepron nëpërmjet favorizimit, me fonde të taksapaguesve dhe tolerimit selektiv të kontrabandës, evazionit fiskal, mungesës së licencave e standardeve ligjore. Ekonomia jonë ka nevojë që të manifestohet dora e ligjit të barabartë për të gjithë, të zbatohet me të vërtetë filozofia e qeverisjes së vogël dhe të lihet të veprojë dora e fshehtë e tregut dhe rendit spontan.