LAJMI I FUNDIT:

Divide et Impera

Divide et Impera

Që nga antikiteti, strategjia “Përçaj dhe sundo” (Divide et impera) ka kaluar nëpër shekuj, duke formësuar mënyrën se si perandoritë, mbretëritë dhe shtetet mbajnë dhe zgjerojnë pushtetin e tyre. Kjo maksimë politike, e atribuuar figurave të tilla si Jul Cezari dhe Makiaveli, mbetet tepër aktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore. Në një botë multipolare ku aleancat gjeopolitike zhvillohen shpejt dhe rivalitetet ndërkombëtare intensifikohen, ky koncept është më i rëndësishëm se kurrë. Strategjia gjeopolitike e Donald Trumpit përbën një fushë të pasur për analizë. Si mund të interpretohen vendimet dhe veprimet e tij në skenën ndërkombëtare? A lidhen ato me një traditë më të gjerë historike dhe gjeopolitike? Dhe, cilat mund të jenë ndikimet dhe pasojat afatgjata të kësaj qasjeje në rendin global? Strategjia e përçarjes nuk është e re.

Në Romën antike, perandorët përdornin këtë metodë për të dobësuar provincat rebele. Më vonë, Makiaveli, në veprën e tij Princi, këshillonte sundimtarët të mbanin mosmarrëveshjet mes subjekteve dhe rivalëve të tyre për të shmangur formimin e koalicioneve kërcënuese. Fuqitë koloniale evropiane gjithashtu shfrytëzuan ndarjet etnike dhe fetare për të qeverisur në mënyrë efektive territore të gjera. Për shembull, Perandoria britanike u mbështet në mospajtimet midis hindusve dhe myslimanëve në Indi. Në gjeopolitikën moderne, Halford Mackinder prezantoi teorinë e Heartland-it në vitin 1904. Sipas tij, ai që kontrollon Euroazinë – të cilën e quan “ishulli-botë” – kontrollon botën. Më vonë, Zbigniew Brzeziñski, në Le Grand Échiquier (1997), e riformuloi këtë ide duke pohuar se dominimi i Euroazisë është thelbësor për primatin amerikan.

Këto teori theksojnë rëndësinë strategjike të ndarjeve rajonale për ruajtjen e ekuilibrit global. Që nga mandati i parë, Donald Trump u dallua për një stil pragmatik në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përtej një qasjeje që shpesh dukej e paqëndrueshme, dallohet një strategji e fragmentimit të aleancave globale. Trump kritikoi hapur Bashkimin Evropian, mbështeti Brexit-in dhe vuri në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s. Përmes përçarjes së aleatëve tradicionalë, ai pengoi krijimin e një blloku të fortë që mund të sfidonte hegjemoninë amerikane.


Lufta tregtare me Kinën kishte për qëllim frenimin e projektit “Belt and Road Initiative”, i cili synonte të zgjeronte ndikimin e Kinës në Euroazi. Në mandatin e tij të dytë, afrimi i Trumpit me liderë si Giorgia Meloni, që përfaqëson një qasje sovraniste në Itali, reflekton përpjekjet e tij për të ndërtuar aleanca të reja mbi interesa kombëtare dhe skepticizëm ndaj institucioneve ndërkombëtare. Ky orientim drejt udhëheqësve nacionalistë në Evropë sfidon unitetin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, qëndrimi i paqartë ndaj Rusisë mund të interpretohet si një përpjekje për të shmangur një afrim strategjik midis Pekinit dhe Moskës, duke përdorur marrëdhënie selektive për të balancuar rivalitetet globale dhe ruajtur dominimin amerikan. Afrimi i tij me Vladimir Putin ka shkaktuar diskutime të shumta në arenën ndërkombëtare. Takimi i mundshëm në ditët në vijim midis Trumpit dhe Putinit pritet të rihapë diskutimet mbi marrëdhëniet ShBA-Rusi dhe ndikimin e tyre në ekuilibrin gjeopolitik global.

Ky përqafim i mundshëm diplomatik shihet nga disa si një tentativë për të dobësuar lidhjet e Rusisë me Kinën dhe për të krijuar një situatë ku Euroazia mbetet e fragmentuar. Një marrëdhënie më e ngushtë me Rusinë do të sillte pasoja të rëndësishme për Evropën Lindore, veçanërisht për vendet e NATO-s që ndihen të kërcënuara nga ekspansioni rus. Në këtë kontekst, duhet të përmendet gjithashtu ndikimi në rritje i grupit BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut). BRICS po paraqitet si një kundërpeshë e fuqishme ndaj rendit perëndimor të udhëhequr nga ShBA-ja dhe aleatët e saj. Rritja e influencës së BRICS-it përbën një sfidë serioze për hegjemoninë amerikane, pasi ky bllok synon të krijojë alternativa të reja ekonomike dhe politike që sfidojnë dollarin amerikan dhe strukturat ndërkombëtare të dominuara nga Perëndimi. Duke përçarë aleancat tradicionale dhe duke mbajtur marrëdhënie të paqarta me Rusinë, Trump mund të ketë synuar të dobësonte kohezionin e BRICS-it dhe të frenonte rritjen e ndikimit të tyre në Euroazi.

Nëse BRICS zgjeron bashkëpunimin ekonomik dhe politik, do të krijohen skenarë të rinj që mund të ndryshojnë rendin global. Në Lindjen e Mesme, Trump mbështeti Marrëveshjet e Abrahamit midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, duke izoluar Iranin, përkeqësuar tensionet midis sunitëve dhe shiitëve dhe përçau rajonin. Ky veprim forcoi pozitën strategjike të Shteteve të Bashkuara në një zonë ku aleancat e fragmentuara e bëjnë të pamundur formimin e një blloku të fuqishëm kundër interesave amerikane. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto marrëveshje do të sjellin stabilitet të qëndrueshëm apo do të jenë burim i tensioneve të reja. Në këtë kontekst, lind pyetja: A është duke zbatuar Trump me vetëdije një strategji të frymëzuar nga Mackinder dhe Brzeziñski, apo veprimet e tij lidhen më shumë me një pragmatizëm oportunist? Edhe pse Trump nuk u referohet shprehimisht këtyre teorive, politikat e tij kanë prodhuar rezultate që përputhen me logjikën e “Divide et impera”.

Në afat të shkurtër, përçarja e aleancave ka forcuar pozitën negociuese të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, në afat të gjatë, kjo qasje mund të dobësojë besueshmërinë amerikane, veçanërisht nëse fuqitë rivale mbushin boshllëkun e lënë nga tërheqja amerikane. Këtu lindin skenarë të mundshëm për të ardhmen: a do të krijohet një bllok Euroaziatik më i fuqishëm, apo ShBA-ja do të rimarrë një rol drejtues me strategji të reja bashkëpunimi? Strategjia e “Përçaj dhe sundo” mbetet një mjet i fuqishëm në gjeopolitikë. Shembulli i presidencës Trump, qëndrimi i tij ndaj aleatëve tradicionalë, përqasja e mundshme me Putinin dhe sfida e paraqitur nga BRICS-i tregojnë se si kjo logjikë mund të zbatohet në një botë multipolare.

Megjithatë, ndonëse përçarja mund të sigurojë një avantazh në afat të shkurtër, ajo shoqërohet me rreziqe të konsiderueshme për paqëndrueshmëri në të ardhmen. Ndërsa fuqitë e reja shfaqen dhe aleancat e reja ndërtohen, pyetja kryesore mbetet: a do të përcaktojë uniteti rajonal apo fragmentimi i planifikuar rendin e ardhshëm botëror? Kuptimi i këtyre dinamikave gjeopolitike themelore është kyç për të parashikuar zhvillimet e ardhshme dhe për të marrë pjesë në mënyrë të informuar në debatet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.