LAJMI I FUNDIT:

Diplomatët si “miza”?!

Ligjet nuk veprojnë "erga omnes", ndaj të gjithëve. Ata të pjesës matanë lumit Ibër, sikur janë bërë imunë dhe fare nuk ndiejnë se rrojnë në shtetin e Kosovës. Në kodra, kudo – sheh flamurin e Serbisë, të bie në sy ikonografia, banderolat e mëdha në të cilat shkruan në alfabetin cirilik "Serbi – Rusi", "Rusija je uz nas" ("Rusia është me ne") …

Gjendja në veri është anarki, kaos, xhungël…. Këtu vritet demokracia, shkelet rendi juridik i shtetit. Cili do të jetë ilaçi i qetësimit të shpirtrave të trazuar ?! Gjithnjë kur ndërmerret ndonjë iniciativë politike e sanimit të gjendjes në këtë "oazë të xehtë", krerët e Beogradit ngrisin zërin e protestës, vajtojnë deri në OKB.

Reagimet pasuan përkitazi me planin e përbashkët të dy subjekteve, Zyres Civile Ndërkombëtare (ICO-s) dhe Qeverisë. Megjithëkëtë, krerët e Beogradit e vazhdojnë këngën e vjetër, me mjete të ndryshme i kundërvihen strategjisë së kryeministrit Hashim Thaçit dhe prijësit të ICO-së, Pieter Feithit, mbjellin "mina" të reja. Haptazi, para syve të botës, i financojnë bandat, japin për ta bakshishin prej 42 milionë euro.


Nëse BE-ja e ka seriozisht, e financon jetësimin e këtij plani, rifillon funksionimi i rrjetit të drejtësisë me vendësit, prokurorët e gjykatësit, strukturat paralele do të jenë fluska sapuni, të paefektshme.

Përrallat e Beogradit për këputjen e zinxhirit të drejtësisë në Kosovë, emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve të vet, s’ janë gjë tjetër pos një vetëkënaqësi, "masturbim politik". Po që se ky plan mbetet vetëm në letër, mund të ndodhë dukuria e të ashtuquajturës "deja vu"?!

Diplomatët e huaj i "ngrehin veshin" Serbisë, i bëjnë vërejtje, e sugjerojnë të këndellet, t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, ndryshe, vështirë e ka të integrohet, të marrë "biletën" për në Bruksel. Por, këta s’e prishin lojën, s’ndiejnë as për superfuqinë botërore, Amerikën, diplomatët i shikojnë si "miza"!

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në jetësimin e planit ‘për integrim në veri" Beogradi s’do të jetë partner, as do të pyetet. Nëse faktori ndërkombëtar, ithtarët e pavarësisë sonë, nuk i tregojnë "dhëmbët", sërish do të vazhdojë gjendja status quo.

Serbët s’donë të drejta, pikësynim kanë si ta fusin nën kthetra një pjesë "të livadhit". E "trashin" pazarin, të përfitojnë atë që kanë synim. Ndërkaq, kur diplomatët e huaj ua përmendin Medvegjën, Bujanocin e Preshevën, ata reagojnë: Për këtë punë,’ trampë’, ndërrim të territoreve, s’ bëhet llaf…

I ashtuquajturi sekretar shtetëror që ka "sektor" Kosovën, Oliver Ivanoviqi qiti "tym prej goje", planin Feith – Thaçi e cilëson "tejet të rrezikshëm", shpreh fobinë se shqiptarët do t’i marrin "dizgjinët në dorë" edhe në veri ! Fill pas deklaratës "bombastike" të tij, Thaçi vajti në Shtërpcë, bisedoi me kryetarin e kësaj komune, Bratislav Nikoliqin për prosperitetin e këtij mjedisi. Nikoliqi, këto ditë ia mbylli shtegun "njeriut të Serbisë", ministrit Goran Bogdanoviqit, të cilin, siç dihet, për një ekses politik, policia e përzuri nga vendi.

Burrështetasit e ndryshëm, nënpresidenti amerikan Joe Biden, presidenti francez Nicolas Sarkozy e të tjerë i kanë tërhequr vërejtjen Serbisë se e mbështesin fuqimisht pavarësinë e Kosovës, se nuk do të ndodhë restitutio in integrum, kthimi në gjendjen e mëparshme.

Njësoj janë shprehur edhe diplomatët, finlandezi Martti Ahtisaari, britaniku David Miliband, gjermani Wolfang Ischingeri etj. Ahtisaari hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian e kushtëzoi me njohjen e pavarësisë sonë. Kështu është shprehur edhe Ischingeri.

Ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës, Ischingeri për BBC-në ka spikatur se s’do të përsëriten gabimet për hyrjen në familjen elite të Evropës, në BE. "Qiproja u lejua të hyjë në BE pa u zgjidhur konflikti ndërmjet Greqisë dhe Turqisë…", ka thënë Ischingeri.

Parimet janë parime. Serbia s’mund të jetë përjashtim. Nëse ke mosmarrëveshje, konflikt me fqinjin, të digjet "bileta", s’mund të hysh në BE Ischingeri me kohë e ka paralajmëruar Serbinë. Apo, ndoshta, ajo (Serbia) deklaratën e Ischingerit e merr si diçka të paefektshme, që "s’prodhon" efekt juridik e politik, mbase edhe këtë diplomat e konsideron si "slobodna ptica" ("zog i lirë").

Zotërinjtë e Beogradit janë hidhëruar me Kroacinë se e ka nxjerrë nga takti në procesin e Hagës. Boris Tadiqi i qon "selam" kryetarit të porsazgjedhur kroat Ivo Josipoviqit se s’do të marrë pjesë në "zijafet", më 18 shkurt, nëse aty vjen presidenti i shtetit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. Kroatët më me qejf e presin Sejdiun se Tadiqin!

Serbinë e ka zemëruar tej mase edhe "vëllai i vogël", Mali i Zi, sidomos kryeministri Milo Gjukanoviqi, i cili "hiq pa e pyet" lidhi marrëdhënie diplomatike me Prishtinën zyrtare. Se pyet hej, Gjukanoviqi, këqyrë perspektivën e vendit të vet, nuk merret me kopallat e pasardhësit të Millosheviqit, Tadiqit.

Kjo është diplomacia serbe, e cila e tutë arushën me shoshë, i kërcënohet Kroacisë, Malit të Zi…

Në trend

Më shumë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Lajme
Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Politikë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

Politikë
Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori