LAJMI I FUNDIT:

Dënohet Remi, kush e ka radhën?!

Dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, në Prishtinë, përmbyllën procesin gjyqësor ndaj tre ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si "Grupi i Llapit". Rrustem Mustafa – Remi, njeriu i parë i UÇK-së në zonën e Llapit, tash deputet, u dënua me 4 vjet, gjenerali Latif Gashi 6 dhe Nazif Mehmeti 3 vjet burg. Gashin e ndalën brenda grilave, me arsyetim se është dënuar më tepër se pesë vjet. Ky ishte aktgjykimi i kumtuar të premten (2 tetor) nga kryetari i trupit gjykues, Francessco Flori. Mbrojtësit e cilësuan këtë proces të inskenuar, pa prova e fakte juridike, paralajmëruan ankesat në instancën më të lartë gjyqësore. Fjalën e fundit e ka Gjykata Supreme e Kosovës. Çfarë do të vendosë kjo gjykatë, pritet të shihet.

Në këtë proces të përsëritur u shqiptuan gjithsej 13 vjet burg. Sipas një besëtytnie numri 13 është fatkeq. Ndaj këtij numri kanë aversion jo vetëm evropianët, por edhe amerikanët. Bile, në Amerikë në zyrat e institucioneve publike nuk shënohet ky numër. Kësaj radhe, zbriti "pazari", ngase në gjykimin e parë, para gjashtë vjetësh, katër të akuzuarit e "Grupit të Llapit" i kishin dënuar me gjithsej 45 vjet burg (njëri nga të pandehurit, Naim Kadriu, humbi jetën në aksident trafiku). Gjykatësit e EULEX-it, për dallim nga ata të UNMIK-ut, janë "në epërsi"!

Një ditë më herët, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori i EULEX-it, Roberto Dean këmbënguli që "pacientët" e tij të fajësohen dhe të dënohen "sipas ligjit". Kështu e kanë prokurorët, përdorin zhargonin:"të dënohen të akuzuarit sipas ligjit". Prokurorët e qojnë materialin, "stofin" para gjyqit, gjykatësit i "presin teshat".


Prokurorët dhe gjykatësit i kanë "ndezur motorët", janë "më aktiv". I nxjerrin në gjyq lëndët që kanë të bëjnë me ata të UÇK-së, "lëndët e moçme", të "përtypura" disa herë, ato që janë kthyer "rikuerc", për t’u gjykuar sërish. Bëhet politikë, apo jo! Kanë mbetur edhe dy muaj, përkatësisht më 1 dhjetor, kur pritet të nisë procesi i shekullit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Këtu do të "nxirret në gjyq Kosova", do të gjykohet dhe vlerësohet se a ishte i ligjshëm procesi i shpalljes së pavarësisë së saj. Apo, kjo çka ngjau në Kosovë, kur përfundoi procesi i Remit dhe të tjerëve, mund të jetë koincidencë?!

Prokurorët, gjykatësit, merren si "njerëz të shtetit", por kjo nuk do të thotë se janë edhe "të popullit", siç thotë publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij "Zotërinj porotë", i cili bën fjalë edhe për procesin e Alfred Drajfusit.
Dikur, para lufte, në Kosovë, kur kulleshin serbët, "pacientët" e tyre i nxirrnin në gjyq, i dënonin "në emër të popullit". Në "emër të popullit" gjykatësit e UNMIK-ut i dënuan edhe shumë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë proces të përsëritur, të Remit e të tjerëve, gjykatësit shprehën "zemërgjerësinë", nuk u treguan të ashpër sikundër kolegët e tyre të mëhershëm. Këta të EULEX-it po i shpalosin lëndët, të cilat, disa në sirtarë, i ka kapur pluhuri. I "shkundin" , veprojnë "in medias res", i hyjnë "menjëherë çështjes".
Nëse gjykatësit e EULEX-it i imitojnë kolegët, ata të UNMIK-ut, vetvetiu lind pyetja: Remi është dënuar, kush e ka radhën pas tij?!

Nëse "njerëzit e EULEX-it" merren vetëm me shqiptarët, nuk i "shohin" kriminelët serbë që bënë krime barbare gjatë luftës, pas saj, imazhi i tyre do të bjerë. Nëse nuk i kapin kriminelët matanë lumit Ibër, ata që morën guximin të hedhin granata edhe në policinë e EULEX-it, misioni i tyre do të dështojë. Protokollet e saj, të lidhura me Serbinë, do të jenë vetëm dekor, politikë…

Procesi i Remit dhe i të tjerëve ka histori të gjatë, nisi në 2001-tën. Prokurorët ndërkombëtarë i kishin të gatshme dosjet, "dëshmitë e forta", të cilat i morën nga pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit. Kështu që nuk e kishin vështirë t’i hartonin kërkesat për fillimin e hetimeve, pra edhe aktakuzat, ndaj shqiptarëve, ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësit ndërkombëtarë e kishin parasysh thënien: Aty ku janë gjykatësit, aty është gjykata. I mbanin proceset edhe jashtë selive të gjykatave, në salla të ndryshme, në pallatet e rinisë dhe kulturës, në hapësirën e burgut të Dubravës, afër Burimit. Në gjykatoren e improvizuar në këtë burg, në njërën anë qëndronte publiku, gjykatësit, prokurori, avokatët, ndërsa në anën tjetër, në "kafaz", të akuzuarit.

Procesi i parë ndaj Remit dhe të tjerëve, më 2003, pat nisur me bujë të madhe. "Spektakli" në Prishtinë qe mbajtur jo në selinë e Gjykatës së Qarkut, po në njërën nga sallat e Pallatit të rinisë dhe të kulturës. "Pacientët" e prokurorit ndërkombëtar, i sillnin këtu me autoblinda duke u rënë borive. Binin në sy rrathët e sigurimit, përplot policë. Procesin mund ta ndiqnin anëtarët e familjeve të të akuzuarve, numri i kufizuar i tyre, por edhe gazetarët e akredituar. Për të tjerët, nuk jepeshin "biletat".

Në fillim u nxorën para gjyqit Remi dhe tre bashkëluftëtarët e tij. Ishte aty edhe i akuzuari Naim Kadriu. Sipas aktgjykimit të parë, i shpallur më 16 korrik të 2003-ës, Remi ishte dënuar me 17 vjet, Nazif Mehmeti 13, Latif Gashi 10 dhe Naim Kadriu 5 vjet. Më vonë, nëjri nga të akuzuarit, Naim Kadriu humb jetën në një aksident trafiku.

Ky proces pësoi metamorfozë, iu ndërpre paraburgimi Remit, Gashit dhe Mehmetit. Për dallim nga procesi i parë, në procesin e përsëritur, që nisi më 7 korrik të 2009-ës, s’pati "zhurmë të madhe’, seancat rrodhën, jo në pallatin e kulturës dhe rinisë, po në selinë e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Sa për të mos thënë se s’i "kap" shpata e drejtësisë, "njerëzit e UNMIK-ut" i nxirrnin në gjyq edhe ndonjë serbë, të akuzuar për krime të luftës. I dërgonin ata për ‘të vuajtur dënimin" matanë lumit Ibër. Këtu atyre u hapej dera e burgut, iknin, ose fshiheshin në veri të Mitrovicës, apo shkonin në Serbi. Finalja e procesit – shkonte huq.

Gjykatësit e UNMIK-ut ishin vetë ligji, Kodi i procedurës penale… ishte vetëm dekor. Nuk iu përmbaheshin paragrafëve, i shkelnin me të dy këmbët. Bie fjala, nuk iu përmbaheshin nenit 395 të këtij Kodi, nuk e përpilonin aktgjykimin me shkrim brenda 15 ditësh, përkatësisht një muaji, por kjo "procedurë" zvarritej me tepër se një vit. Gjithashtu, nuk vendosej menjëherë, brenda 48 orëve, përkitazi me ndërprerjen e paraburgimit të ndonjë të pandehuri. Për ta nuk vlente koha "prej 48 orësh", por e zgjasnin "procedurën" me muaj… Njëri nga shkelësit e nenit 395, por jo vetëm të këtij neni, të Kodit të procedurës penale, ishte gjykatësi i UNMIK-ut, mauriciusi Vinod Boolello dhe shumë kolegë të tij, lëndët e të cilëve bënin "gjumë ariu". Boolello e la "në ler" lëndën ndaj gjeneralit Selim Krasniqit dhe të tjerëve, pas një viti e përpiloi me shkrim aktgjykimin! Kështu veproi edhe ndaj "pacientit", ish-komandantit të UÇPMB-së, Shefket Musliut, i cili siç ka pohuar në gjykim, Gjyqin e Gjilanit, aktakuzën ia kishin ngritur sipas "dëshmive" serbe.

Gjykatësit e UNMIK-ut, ne vend se t’i përmbaheshin etikës, merrnin rolin e sherifit, u bërtisnin të akuzuarve në gjykatore. Njëri nga ta në procesin ndaj të akuzuarit të OKB-së, Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje", i mbajtur në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, ishte gjykatësi italian Maurizio Salustro. Ky i bërtiste Albinit, i thoshte: "shut up" – "mbylle, qepe gojën". Ndodhi edhe "lapsusi", më 7 shkurt 2008 i ndërpritet paraburgimi Albinit. Por, pas seancës atë e rrëmbyen policia, e quan në burgun e Prizrenit për t’u "shkarkuar". T’i vësh prangat dikujt pas vendimit për ndërprerjen e paraburgimit dhe futja nën masat e rrepta në makinën e policisë, siç ndodhi kjo me Albin Kurtin, kësaj i thonë privim i kundërligjshëm nga liria, vepër kjo penale e sanksionuar në nenin 162 të Kodit penal të Kosovës. Neni 162 nuk e "kapi" zotëri Salustron, gjykatës ky shtatgjatë e thatanik, që mbante syza dioptrike, i cili në çdo seancë, u paraqit me rroba të vikendit dhe me kapelën "Nike".

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori