LAJMI I FUNDIT:

Demokracia ushqehet me aktivizëm

Konceptimi i qytetarisë aktive në Kosovë mbetet ndër radhët e koncepteve tjera misterioze të shoqërisë tonë. Aktivizmi qytetar ka të bëjë me çështje publike, ndryshime në komunitet, mirëqenie, e asnjëherë me ambicie egoiste.

Fatkeqësisht, ky koncept nuk është common-sense për shoqërinë tonë. E madje edhe metodat e aktivizmit politik janë keqkuptuar. Parlamenti mund të jetë institucion shtetëror, por nuk duhet harruar që protestat dhe demonstratat janë institucione demokratike, të cilat në një far forme i rrinë gati Parlamentit që të mos shmanget nga qëllimi i ekzistencës së tij – përfaqësimin dhe arritjen arritja e interesit kolektiv. Këto të dyja, pra Parlamenti dhe protestat, e plotësojnë njëra-tjetrën në ndërtimin e demokracisë. Rrjedhimisht, në një vend demokratik, asnjëra nuk e përjashton tjetrën.

Roli i Parlamentit në Kosovë fillimisht është keqkuptuar nga vetë deputetët dhe kjo s’do shumë hamendje. Dhe, më pas nga qytetarët të cilët dhunimin e interesit kolektiv brenda e kanë pranuar si proces normal. Eliminimi i qytetarisë aktive si metodë e ndaljes të së keqes, është pikërisht ajo çka kërkon një sistemi i tillë i kriminalizuar dhe këtë e realizojnë në forma të ndryshme propaganduese.


Atëherë, kur diskursi që protestat nuk janë formë e shteteve demokratike hasin vesh të shurdhër (edhe pse është fakt Kosova është larg nga të qenurit demokratik, kjo për faktin që shtyp protestat demokratike), atëherë pjellat e këtij sistemi me anë të termeve aritmetike mundohen ta minimizojnë rolin e saj, duke thënë që numri i vogël i protestuesve tregon se sa legjitime është ajo.

Numri nuk e përcakton (pa)drejtësinë e çështjes. Pushteti ka numrat në parlament, ama numri i tyre nuk reflekton të menduarit racional, marrë parasysh vendimet që merren aty nga shumica. Andaj, meqë ka shumë indikatorë të numrit të ulët të protestuesve, përfshirë këtu edhe propagandën mediatike që bëhet nga pushteti, numri përjashtohet nga të qenurit tregues i legjitimitetit të çështjes.

Madje, ka të tjerë që thonë që populli është lodhur. Kjo është kontradikta e diskursit të tyre. Nëse i thirremi logjikës, fizika tregon që trupat lodhen atëherë kur kryejnë punë, meqë shpenzohet energjia. Mirëpo, kur trupat janë inertë, atëherë ata nuk mund të jenë të lodhur. Andaj, nëse ka pak protestues, mundësia për të qenë i lodhur është joreale.

Shoqëria jonë ka adaptuar një aktivizëm pasiv, iluzionar, i ka keqkuptuar metodat e aktivizmit. Sot më shumë hasim aktivizim në rrjete sociale, portale online e gazeta, ku ndryshimi i gjendjes që arrijnë ta bëjnë këto është zero. Sot revolta zbrazet në rreshta të statuseve apo artikujve, duke mbetur indiferent dhe inert ndaj aksioneve konkrete. Shprehja e revoltës nuk duhet të jetë qëllim, por mjet i ndryshimit. Revolta e cila nuk shndërrohet në projekt për ndryshime thelbësore, mbetet në nivelin e vetëshkarkimit, ku mllefi që vije si pasojë e padrejtësive të jashtme, largohet përkohësisht në mënyrë që të arrijmë të ndjehemi më të qetë pastaj. Ama, sapo ta arrijmë ndjenjën e shkarkimit dhe të fitojmë një qetësi momentale, ndalet tentimi për ndryshimin afatgjatë dhe ndryshim radikal.

Sot, gjendja e mjerueshme tregon që Kuvendi është shndërruar në qëllim (pra marrjen e pushtetit) dhe jo mjet për arritur të mirën e përbashkët. Rrjedhimisht, sot protestat janë më se të nevojshme.

Kjo qetësi është brengosëse.