LAJMI I FUNDIT:

Daçiqi në Mitrovicë, si Milosheviqi më 1989

Daçiqi në Mitrovicë, si Milosheviqi më 1989

Safet Hasani

Sot, në Mitrovicën e Veriut, bashkë me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në tubimin me banorët serbë kanë marrë pjesë edhe ministrat Aleksandar Vulin dhe Zorana Mihajloviq. Fjalimi i tyre në këtë tubim nuk ishte paqësor, por i ngjasonte atij të vitit 1989, ku Milosheviqi e futi Serbinë në luftë me tërë republikat e ish-Jugosllavisë.

Ngjarja e fundit, duke përfshirë edhe fjalimin e kryeministrit serb Ivica Daçiq, ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se kryeministri serb, që nuk duhej t’i lejohej hyrja në Kosovë, i ka nxitë banorët serbë duke i mashtruar sikur fëmijët me karamele.


Fjalimi i tij në veri të Mitrovicës, se “Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës”, i përngjan pikërisht fjalimit të Milosheviqit të mbajtur me 28 qershor 1989, ku edhe ishte nisma e luftërave në ish-Jugosllavi. Fjalimi i Daçiqit ogurzi në Mitrovicë tregon gjendjen e tij me probleme psikologjike, duke munduar që banorët serbë në Mitrovicën e Veriut t’i futë në një labirint ku do t’i dërgon drejtë në humnerë.

Banorëve serbë nuk iu duhet një lider si ai nxitës, lider ky që mallkon popullin e vet. Fjalët e Daçiqit në Mitrovicë ishin me urrejtje dhe mllef, i cili bënte trysni për mbështetjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet lokale në tri vendvotimet në Mitrovicën e Veriut. Po ashtu, ai ka porositur serbët se ata duhet ta dëgjojnë shtetin serb, në mënyrë që Serbia të mund të vazhdojë me praninë e vet në veri. E qëndrimi i tij ishte që serbët t’i mbajnë katër komunat e Veriut, ku Beogradi mund të ketë ndikim te serbët e Kosovës në të ardhmen.

Pjesëmarrja e delegacionit të nivelit të lartë qeveritar serb në këtë miting në Mitrovicën e Veriut është edhe ndërhyrje e brendshme e Kosovës. Vet fakti tregon se incidentet që ndodhën më 3 nëntor, ishin të manipuluara pikërisht nga qeveria e Beogradit, duke mos lejuar, siç u shprehen edhe vet anëtarët e këtij delegacioni, që në krye të Mitrovicës veriore të vjen një shqiptar. Kjo nuk do koment, pasi pas çdo incidenti dhe konflikti të brendshëm në Kosovë qëndron politika e Beogradit.

Serbët e Mitrovicës pretendojnë që Mitrovica e veriut të jetë qendra e re administrative serbe, ku do të vendoset edhe Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe. Sipas autoriteteve të atjeshme, ky Asociacion ka dalë nga Marrëveshja së 19 Prillit në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.