LAJMI I FUNDIT:

Çfarë do të vijë me ndryshimin e humorit në Francë dhe Britani?

Çfarë do të vijë me ndryshimin e humorit në Francë dhe Britani?

Një trekëndësh i ri i emocionit gjeopolitik është shfaqur në Evropë: Britania e Madhe ka reshtur së ndjeri superiore ndaj Francës dhe Franca ka reshtur së ndjeri inferiore ndaj Gjermanisë. Pyetja është nëse ky transformim sentimental do të zhvendosë balancën e pushtetit në Evropë, mundësisht edhe në botë.

Zhvillimet aktuale në Britani dhe Francë do të rezultojnë vendimtare. Mbetet për t’u parë se si do ta riparojnë britanikët dëmin që i shkaktuan vetes përmes moçalishtes Brexit. Dhe është ende e paqartë nëse francezët mund të mprehin fuqinë dhe energjinë pozitive të presidentit të tyre të ri, Emmanuel Macron për të zbatuar reformat shumë të nevojshme.

Por, edhe teksa këto pasiguri vazhdojnë, të dyja vendet po angazhohen në një transferim të balancuar emocionesh që është vështirë të shpërfillet. Në të shkuarën, duke udhëtuar nga Londra në Paris, lehtësisht shihej dallimi midis dy qyteteve. Londra ishte e mbushur me dinamika dhe krenare që e quante veten një kryeqytet botëror të multikulturalizmit. Parisi megjithatë, padyshim më bukur, rrezikonte të bëhej Roma e re, një i burgosur i lavdisë së vet të shkuar, i përshtatshëm për t’u vizituar, por jo për të qendruar.


Sot, besimi është larguar nga Britania nga trazira sociale dhe politike, terrorizmi dhe pasiguria për të ardhmen e vendit. Sipas disa sondazheve të opinionit, ndërsa ata që votuan për Brexit i qëndrojnë vendimit, ndjesia anti-BE është zbehur dhe dëshira për t’u larguar nga BE është pakësuar. Votuesit duket se po përballen me mënyrën se si largimi i tyre do ta bëjë Mbretërinë e Bashkuar më të sigurt apo do të zgjidhë nevojat e më të varfërve dhe më të pambrojturve.

Në Francë megjithatë ndihet një energji e re dhe pozitive. Shpresa për një të ardhme më të mirë është rikthyer, reflektuar nga mbështetja e madhe e publikut francez për kërkesën e Parisit për të pritur Lojërat Olimpike Verore të 2024. Mbajtja e lojërave, një simbol global i pritshmërive pozitive, e ngriti shpirtin e Mbretërisë së Bashkuar 12 vite më parë në korrik 2005, kur Londra mori të drejtën për Lojërat Olimpike 2012 (festimi ra, megjithatë, të nesërmen kur terroristët sulmuan sistemin e transportit në Londër).

Sigurisht, optimizmi francez nuk nënkupton se ata që u mundën në zgjedhje nuk do të dalin në rrugë, veçanërisht për të kundërshtuar zbatimin e reformave në ligjet franceze të punës. Por opozita është tani një minoritet në një vend ku humori është më i çelur. Kjo është e vërtetë edhe nëse dikush merr në konsideratë votimin e ulët në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Gjendja aktuale më kujton atmosferën që prevaloi për ca kohë në korrik 1998 në Francë pasi triumfoi “Les Tricolores” ndaj Brazilit në finalen e Kupës Botërore. Por këtë herë, ndjenja e ngazëllimit mund të jetë më e thellë dhe të zgjasë më gjatë. Mjedisi ekonomik në Evropë është më i favorshëm dhe balanca e pushtetit mes sindikatave tregtare në Francë po kalon në favor të Confédération française démocratique du travail pro reformave dhe larg nga ideologjikja Confédération générale du travail.

Një kombinim i talentit të lidershipit dhe vazhdimësisë së fatit nënkupton, për herë të parë në dekada në Francë, se një optimizëm i matur mund të justifikohet. Për ta perifrazuar teoristin politik italian Antonio Gramshi, mund të flitet për një “optimizëm intelektual” të justifikuar në Francë.

Si rezultat i zgjedhjes së Macron dhe bastit të dështuar të kryeministres britanike Theresa May që zgjedhjet e parakohshme do t’i jepnin më shumë pushtet për të negociuar nga një pozicion fuqie për Brexit, Franca aktualisht po ndikon në drejtimin e Evropës më shumë se Britania. I vetmi vend i “Treshes së Madhe” së BE-së që ka qëndruar stabil është Gjermania, në parashikimin e rivotimit të kancelares Angela Merkel në shtator.

Italia do të donte shumë të zëvendësonte Britaninë në treshen e pushtetit në Evropë. Por ajo duhet të rregullojë vetveten së pari. Ish-kryeministri Matteo Renzi i cili po përpiqet të arrijë sërish në majë, nuk është një Macron italian. Sado talent dhe energji të ketë Renzi, atij i mungon serioziteti dhe kuptimi i elektoratit siç e ka Macron.

Ndërkohë, një balancë e re dhe më e mirë mes Gjermanisë dhe Francës nënkupton progres të madh për stabilizimin evropian. Problemi i Evropës, ndryshe nga sa kanë thënë shumë kritikë, nuk ka qenë “një Gjermani shumë aktive”. Ka qenë “një Francë shumë pasive”. Një “moment francez” tashmë mund të nënkuptojë një “moment evropian”, nëse nënkupton rindërtimin e një aleance efektive franko-gjermane.

Amerikanët gjithashtu duhet të nënkuptojnë ndryshimet që po ndodhin në Evropë. Disa ditë më parë, në një konferencë ndërkombëtare në Venecia, një republikan konservator nxiti evropianët të “reshtin së kritikuari administratën Trump siç po bëjnë”. Ndryshe, ai paralajmëroi “i vetmi rezultat do të jetë që të përkeqësohemi. Dhe a duam të mbetemi me një Gjermani shumë të fortë?”

Duke hedhur poshtë kërcënimin e nënkuptuar, ideja se alternativa ndaj Amerikës është “të mbetemi vetëm” me një “Gjermani shumë të fortë” është zbavitëse. Gjermania, në fund të fundit, nuk ka dashur kurrë të mbetet vetëm në krye të BE-së; dhe tani, me shndërrimin e Macronit për politikën franceze, nuk ka pse të jetë.

Emocionet mund të mos jenë të mjaftueshme për të shpjeguar realitetet politike. Por ndryshimi i humorit kombëtar në Britani dhe Francë është i pamohueshëm dhe do të luajë një rol gjithnjë e më të madh në përcaktimin e politikës së Evropës. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë
Procesohen pothuajse të gjitha votat për kandidatët, KQZ publikon rezultatet e korrigjuara për parti

Procesohen pothuajse të gjitha votat për kandidatët, KQZ publikon rezultatet e korrigjuara për parti

Politikë
Tifozët janë të bindur se shorti i Ligës së Kampionëve u kurdis në favor të një skuadre

Tifozët janë të bindur se shorti i Ligës së Kampionëve u kurdis në favor të një skuadre

Liga e Kampionëve
Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Politikë
Trump

Trump "sfidon" Kushtetutën e SHBA-së: Më tregoni ju, a duhet të kandidoj edhe për një mandat?

Amerika
Real Madridi planifikon të dyfishojë pagën e yllit të skuadrës pas interesimit të PSG-së

Real Madridi planifikon të dyfishojë pagën e yllit të skuadrës pas interesimit të PSG-së

La Liga
Aktorja transgjinore Hunter Schafter ankohet se në pasaportën e saj shkruhet se është mashkull: Vërtet nuk di çfarë të bëj

Aktorja transgjinore Hunter Schafter ankohet se në pasaportën e saj shkruhet se është mashkull: Vërtet nuk di çfarë të bëj

Magazina
Kalo në kategori