LAJMI I FUNDIT:

Burgu i Sigurisë së Lartë inaugurohet këtë vit

Burgu i Sigurisë së Lartë inaugurohet këtë vit

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi priti sot në takim drejtorin e Zyrës për Projekte të UNOPS-it për rajonin e Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, Bruce McCarron.

Kuçi e falënderoi UNOPS-in për punën jashtëzakonisht të mirë dhe kualitative që po bëhet në Burgun e Sigurisë së Lartë, i cili pritet të inaugurohet gjatë këtij viti.

“Qëllimi im kryesor si Ministër i Drejtësisë ishte që të ndërtojmë një Burg të Sigurisë së Lartë në përputhje me të gjitha standardet evropiane e botërore dhe një burg në të cilin të drejtat e të burgosurve zbatohen me përpikëri të plotë. Në këtë drejtim, besoj që së bashku kemi krijuar të gjitha predispozitat që ky vizion i yni i përbashkët të gjejë aplikim në praktikë dhe për këtë jam i lumtur”, tha Kuçi.

Palët në takim biseduan edhe për ndryshimet pozitive që po ndodhin në përgjithësi në Kosovë dhe në veriun e vendit, në veçanti, thuhet në komunikatë.


Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri kërkoi ndihmën e UNOPS-it që së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës të hartojnë dhe zbatojnë projekte konkrete që do të përmirësojnë dukshëm infrastrukturën institucionale në veri të vendit.

Për kërkesën e tillë, McCarron ofroi garanci që UNOPS-i është i gatshëm që së bashku me Qeverinë e Republikës së Kosovës të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që projektet e tilla të konkretizohen dhe që e gjithë kjo të rezultojë në përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës në veri të vendit.

Zëvendëskryeministri Kuçi në këtë drejtim tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës synon që përmes investimeve të vazhdueshme dhe konkrete të përmirësoj gjendjen e infrastrukturës institucionale në veri të vendit,” gjë e cila sipas tij rrjedhimisht do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. /Telegrafi/