LAJMI I FUNDIT:

Brezovica po përgatitet për turistë

Brezovica po përgatitet për turistë

Kanë mbetur edhe pak javë para fillimit të sezonit dimërorë, por premtimet për një kompleks turistik modernë që do ti hapë dyert sivjet për skitarët në Brezovicë, kanë mbetur vetëm në letër. Megjithatë, për dallim nga viti i kaluar në Komunën e Shtërpcës premtojnë se, këtë vit Brezovica do të jetë e gatshme të pranojë numër të madh të turistëve.

Nënëkryetari i komunës së Shtërpcës Beqir Fejzullahu ka thënë se do të riparohen të gjithë teleferikët në Brezovicë.

Shuma që do të investohet para hapjes së sezonit të ri dimërorë, sipas tij, do të jetë rreth 70 mijë euro. Fejzuallahu është shprehur optimist se të gjitha këto punë do të arrijnë t’i kryejnë me kohë, përndryshe nuk mund të hapen dyert për turistë, shkruan Tribuna.

“Pa u bërë servisimi i teleferikëve nuk do të hapet sezoni i ri. Ne jemi të vetëdijshëm për kohën që marrin proceduat e prokurimit, mirëpo ne jemi përgatitë që sezoni i ri të fillojë në kohën e paraparë”, ka thënë Fejzullahu.


Ai ka njoftuar se mjetet për investimet para hapjes së sezonit verorë i kanë siguruar nga niveli qendror dhe donatorët. /Telegrafi/