Blerina Dula, është shqiptarja e parë, në fushën e turizmit në Australi, dhe njëherit promotore e fuqishme e turizmit shqiptarë jo vetëm në këtë vend, por edhe në botë. Ajo me angazhimin dhe punën e saj, ka bërë që jo vetëm australianët, por edhe shumë shtete të botës, ta njohin turizmin jo vetëm të Kosovës, por edhe shumë atraksione turistike në të gjitha trojet tjera shqiptare.
Në një intervistë për Telegrafin, ajo thotë se industria e turizmit në përgjithësi është njëra ndër industritë me nivelin më të lartë të konkurrencës, për shkak se, siç tha ajo “në çdo çast, mijëra destinacione anembanë botës luftojnë në joshjen e turistëve dhe promovimin e produkteve të tyre.
Duke folur për turizmin në Kosovë dhe Shqipëri, ajo tha se turizmi në Kosovë dhe Shqipëri, duhet trajtuar seriozisht si nga institucionet relevante qendrore, e po ashtu edhe nga ato lokale.
Telegrafi: Znj. Dula, tashmë prej vitit 2002 jetoni në kontinentin e largët, në Australi. Pse zgjodhët këtë vend për të jetuar dhe sa ka qenë e vështirë për ju, të integroheni me një kulturë të re?
Blerina Dula : Si çdo fëmije edhe unë kisha gjithmonë një kureshtje për vendet e largëta apo për ishujt e izoluar, e po ashtu edhe për Australinë, i cili më dukej një vend shumë interesant, i qetë dhe i bukur, mirëpo atëherë as që e mendoja se një ditë do të jetoja këtu. Në fillim të vitit 2002, migrova në Australinë e largët dhe u vendosa në Sidney për të vazhduar shkollimin dhe ndërtuar karrierën time profesionale. Sa i përket integrimit, unë nuk e kam pasur vështirë të integrohem me kulturën lokale, pasi që njerëzit në Australi për nga natyra janë shumë miqësor dhe të hapur ndaj të gjithëve që emigrojnë aty.
Telegrafi: Prej 2006 keni punuar në disa kompani ndërkombëtare duke u specializuar në sektorin online, atraksione dhe hoteleri. Tani jeni pjesë e gjigantit të turizmit Expedia. Sa ka qenë e vështirë dhe sfiduese të arrihet kjo?
Blerina Dula : Fusha e turizmit është mjaft sfiduese, pasi që është një aktivitet mjaft i përhapur dhe ka një konkurrencë të madhe, mirëpo siç e dimë të gjithë me punë dhe dedikim mund të arrihet çdo gjë. Pas përfundimit të studimeve në vitin 2006, fillova menjëherë punën në industrinë e turizmit fillimisht në një kompani australiane që merrej me turizëm të brendshëm dhe të jashtëm, ku edhe mora hapat e parë në këtë fushë, duke specializuar në shtetet e Lindjes së Mesme. Në atë kohë Expedia kishte hapur zyrën në Sidnej, dhe dëshira ime ishte të punësohem aty pasi që trendi online kishte filluar të marrë hovë dhe ishte një ndër kompanitë më të suksesshme, mirëpo për tu punësuar në Expedia, ishte vështirë pasi që nevojitej një përvojë më e gjatë kohore nga ajo qe e kisha unë. Dëshira ishte e madhe dhe fillova të studioj çdo aspekt të kompanisë, në mënyrë që të isha e përgatitur për intervistë pasi që kishte konkurrencë dhe kështu u pranova dhe isha një ndër shqiptarët e parë të punësuar në gjigantin online. Në vitin 2009 Expedia më nderoi me çmim si një ndër menaxheret më të suksesshëm në regjionin Azi-Pacifik. Pas disa viteve punë në sektorin online, kisha rastin të punoj si drejtoreshë e përgjithshme në sektorin e hotelerisë për grupin e hoteleve Pan Pacific nga Singapori me bazë në Sidnej, ku e morra një përvojë shumë të mirë në këtë fushë.
Sektori i aktiviteteve dhe atraksioneve ishte një gjë që më ngjallte kureshtje dhe më pas fillova punën në kompaninë Merlin Entertaintments Group nga Anglia, ku përfaqësoja atraksionet e Australisë dhe Zelandës së Re, në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar për një periudhe disa vjeçare. Që nga viti 2019, jam kthyer në Expedia, ku edhe jam duke punuar në disa sektor të ndryshëm. Gjatë karrierës sime kam përfaqësuar kompanitë e lartpërmendura në konferenca, panaire dhe misione të ndryshme në Angli, Gjermani, Skoci, Francë, Zelandë, Azi, Amerikë etj, dhe po ashtu kam qenë e ftuar disa herë të mbaj fjalime motivuese në ceremonitë e diplomimit të studenteve të rinj në fushën e turizmit në Australi.
Telegrafi: Jeni ndër shqiptarët e parë, në fushën e turizmit në Australi. Po ashtu, edhe një promotore e fuqishme e turizmit shqiptarë në këtë vend. Sa keni bërë, që australianët ta njohin jo vetëm Kosovën, por edhe trojet tjera shqiptare?
Blerina Dula : Çdo herë që kam takuar kolegë të rinj, klientë e qytetarë australian, menjëherë më kanë pyetur se nga jam me origjinë dhe aty fillonte një kureshtje, sepse shumica më thoshin je shqiptarja e parë që kemi takuar, pasi që komuniteti shqiptarë në Australi është mjaft i vogël në krahasim me numrin e shqiptarëve të mërgatës në vendet e tjera të botës. Gjatë tërë kohës së qëndrimit tim këtu, jam munduar ta promovoj Kosovën dhe Shqipërinë me mundësitë modeste që kisha pasi që të dyja shtetet ishin destinacione ende jo shumë të njohura për vendasit këtu. Duke filluar prej shpjegimit të saktë të vendndodhjes, gjithmonë mundohem të pasqyroj veçoritë dhe karakteristikat, bukuritë natyrore, kulturën, gastronominë etj. Gjatë takimeve të punës me operatorë turistik brenda Australisë, e po ashtu gjatë udhëtimeve të punës në Zelandë, Azi, Evropë dhe Amerikë gjithmonë kam shfrytëzuar rastin të flas dhe ti promovoj të dy shtetet Kosovë dhe Shqipëri.
Kohëve të fundit është duke u folur më shumë për Kosovën dhe Shqipërinë pasi operatorët turistik, mediat e ndryshme dhe mediat sociale kanë filluar ti promovojnë të dy destinacionet si pjesë e pakos turistike në Ballkan. Gjatë viteve të fundit, po ashtu ka pasur mjaft artikuj nga revista me ndikim dhe shtrirje të gjerë që kanë shkruar për Kosovën e sidomos për Shqipërinë, duke e renditur si një ndër vendet më të preferuara për t’u vizituar.
Telegrafi: Çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Shqipëria, për të promovuar turizmin shqiptar, në një konkurrencë apo “luftë” destinacionesh joshëse me të cilën përballet e gjithë bota?
Blerina Dula : Industria e turizmit në përgjithësi është njëra ndër industritë me nivelin më të lartë të konkurrencës, për shkak se në çdo çast, mijëra destinacione anembanë botës luftojnë në joshjen e turistëve dhe promovimin e produkteve të tyre. Turizmi në Kosovë dhe Shqipëri, duhet trajtuar seriozisht si nga institucionet relevante qendrore e po ashtu edhe nga ato lokale. Kohëve të fundit ka një vetëdijesim më të theksuar nga ana e autoriteteve për rëndësinë e turizmit, si mjet që shërben për promovimin e identitetit të vendit, si dhe për përfitimin ekonomik që sjellin të ardhurat nga kjo veprimtari.
Sidoqoftë, zhvillimet janë mjaft të ngadalshme dhe kërkohet një qasje më serioze nga ana e institucioneve, nëse dëshirojmë të jemi konkurrent me vendet e tjera të rajonit.
Po ashtu nevojitet një strategji pas pandemisë, me qëllim që të jemi në hap me shtetet e rajonit, të cilat janë duke punuar në këtë drejtim, me qëllim të joshjes së turistëve me oferta dhe produkte që janë interesante dhe unike.
Vlen të theksohet rëndësia e mirëmbajtjes së ambientit, konkretisht mos hedhja e mbeturinave, ndalimi i ndotjes dhe degradimit të shtretërve të lumenjve dhe rivitalizimi i tyre, ndalimi i atyre ndërtimeve që nuk kanë asnjë vlerë estetike urbane, dhe që ndikojnë negativisht në imazhin e qyteteve dhe fshatrave, si dhe të ndërmerren shumë masa te tjera, që kanë për qëllim ruajtjen e ambientit, karakterit dhe arkitekturës së qyteteve dhe fshatrave tona.
Telegrafi: Cili është bashkëpunimi mes Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë, në Australi, për të promovuar turizmin shqiptarë atje. A ka ndonjë iniciativë apo projekt konkretë në këtë drejtim?
Blerina Dula : Personalisht kam një raport të shkëlqyeshëm me Ambasadën e Kosovës në Kanbera, ku kemi pasur bisedime të ndryshme rreth asaj që duhet të bëjmë për promovimin e Kosovës në Australi. Gjatë vitit 2019, Ambasada e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin shqiptar, kanë marrë pjesë në aktivitetin e quajtur “Windows to the World”, ku shtetas australianë e kanë vizituar ambasadën, në hapësirën e të cilës ishin të ekspozuara fotografi nga bukuritë natyrore të Kosovës – vende turistike, si dhe është servuar ushqim tradicional shqiptar. Po ashtu në të njëjtin vit, Ambasada e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në festivalin e njohur kulturor “Floriada” në Kanberë, ku janë shpërndarë broshura për promovimin e Kosovës, me potencialet turistike, dhe janë bërë vallëzime tradicionale nga fëmijët shqiptarë të ardhur nga Adelaide.
Sa i përket Ambasadës së Shqipërisë, pavarësisht nga pengesat dhe vonesat që u krijuan në akreditimin dhe hapjen zyrtare të Ambasadës, ajo tashme si institucion diplomatik është themeluar, dhe ka filluar punën e saj rishtazi. Edhe pse me mundësi shumë të kufizuara, Ambasada e Shqipërisë, në bashkëpunim me DFAT, shoqatat shqiptare dhe konsujt e nderit, janë duke u munduar të nisin disa projekte.
Me parlamentin australian, janë zhvilluar takimet e para dhe janë duke punuar për ringritjen e Grupeve të Miqësisë Australi-Shqipëri dhe Australi-Kosovë. Po ashtu është propozuar ngritja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Australi-Shqipëri, ngritja e një Zyre Kulturore me atashe në Melburn, etj.
Për shkak të rrethanave aktuale aktivitetet rreth turizmit janë pakësuar për momentin, por kontaktet i kemi të vazhdueshme dhe pas përmirësimit të situatës dhe hapjes së kufijve, shpresoj që së shpejti do të kemi takim të gjithë së bashku, ku do të diskutojmë dhe shfaqim planet për promovimin e të dy vendeve në tregun Australian, duke ftuar gazetarë dhe operator turistik.
Telegrafi: Jeni nga Gjakova dhe sa shpesh vizitoni vendlindjen, e cila konsiderohet një vend me trashëgimi të shumta kulturore?
Blerina Dula : Sikurse shumica absolute e diasporës edhe unë jam shumë e lidhur me vendlindjen, tërë Kosovën, Shqipërinë dhe viset shqiptare në përgjithësi. Vendlindjen e vizitoj së paku një herë në vit, apo edhe dy herë në vit në rastet kur ndodhem në ndonjë takim pune në Evropë. Sa i përket Gjakovës, më duhet të rikujtoj përshkrimin, që udhëpërshkruesi i famshëm otoman Evlija Çelebi i bën Gjakovës në vitin 1663, e i cili vlen edhe sot, pra ku ndër të tjera thotë: “Gjakova, qytet i bukur, me klimë të mirë dhe njerëz të butë”… Nëse këto nuk janë vlerat më themelore që karakterizojnë një qytet të bukur, të dashur dhe mikpritës, atëherë unë nuk e di se çfarë i nevojitet më shumë një qyteti, për të fituar vetëbesimin e humbur dhe për të marrë timonin e prijësit të destinacionit më atraktiv në Kosovë.
Aktualisht, Gjakova ende shfrytëzohet vetëm si pikë ndalesë e tureve dhe pakove të ndryshme, që vijnë nga Shqipëria dhe rajoni, dhe pastaj që vazhdojnë në qytete të tjera të Kosovës. Më duhet të theksoj, se Kosova deri diku kohëve të fundit ka arritur të pozicionohet mirë në treg dhe të ofrojë produkte atraktive turistike, siç është turizmi malor në regjionin e Pejës dhe Bjeshkët e Nemuna si dhe turet e ndryshme në qytetin e Prizrenit, Pejës, Prishtinës etj.
Telegrafi: Gjatë periudhës 2017-2019 keni qëndruar në Kosovë. Na tregoni për aktivitetet e juaja.
Blerina Dula : Edhe pse larg vendlindjes kontaktet i kam ruajtur gjithmonë, dhe kur u ktheva atje përkohësisht me qëllim të qëndrimit më gjatë në vitin 2017 për një periudhë gati dy vjeçare, unë kam hasur në mikpritje shumë të ngrohtë dhe mbështetje nga miq dhe nga njerëz të sektorit të turizmit dhe fushave të tjera. Si shembuj të aktivitetit tim të kësaj periudhe gati dy vjeçare në Kosovë, mund të përmend angazhimin në Japoni për përgatitjen e prezantimit të operatorëve turistik të Kosovës në tregun Japonez, ku isha e angazhuar përkohësisht nga SWiss Contact PPSE, organizatë kjo që vite me radhë, mbështet zhvillimin e turizmit në Kosovë. Po ashtu kam marrë pjesë në projektin e organizimit të mikpritjes së operatorëve turistik Japonez dhe Korean në Kosovë, ku kemi bërë njohjen e tyre me operatorët vendës dhe prezantimin e tregut Kosovar.
Po në këtë periudhë, në bashkëpunim me UNDP-në, kemi bërë trajnimin e pronarëve të disa bujtinave në Gjakovë, të cilat u zhvilluan me ndihmën e kësaj organizate, dhe sot të gjitha këto bujtina janë një tregim suksesi, funksionale dhe mirëpresin turistë nga vende të ndryshme të botës. Gjithashtu, në bashkëpunim me USAID-in, kemi bërë edhe një analizë të gjendjes aktuale të turizmit në Kosovë, analizë kjo tashmë e botuar dhe publikuar nga USAID-i dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Po ashtu, gjatë qëndrimit atje, pata rastin të angazhohem për konsulencë nga pronarët e hotelit City Inn në Prishtinë, rreth trajnimit të stafit, procedurave, praktikave të industrisë, etj. Së bashku me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kam marrë pjesë në takimet e RCC – TEG në Vjenë e Sarajevë, për të diskutuar zhvillimin e produkteve turistike në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kisha nderin të jem e ftuar nga Shoqata e Intelektualëve Jakova, për të diskutuar rrjedhat e turizmit në Kosovë dhe Gjakovë. Kjo pak a shumë është një përmbledhje e veprimtarisë gjatë atij qëndrimi gati dy vjeçar.
Telegrafi: Sa është i organizuar komuniteti shqiptar në Australi, dhe si mund të ndihmojë në promovimin e vlerave tona në këtë vend?
Blerina Dula : Komuniteti shqiptar në përgjithësi, është mjaft mirë i organizuar dhe i integruar në jetën e përditshme dhe punën që bën. Ky komunitet duke pasqyruar kulturën e tij me tipare shqiptare, por siç thashë më lartë i integruar mirë në shoqërinë australiane, në një mënyrë apo tjetër, jep kontributin e tij në forma të ndryshme për ngritjen e vetëdijesimit tek komuniteti australian rreth Kosovës dhe Shqipërisë si destinacione turistike. Duhet theksuar qe përtej fushatave të organizuara, po ashtu sjellja, bisedat, mikpritja dhe postimi i imazheve të bukura në rrjete sociale, janë metoda që zgjojnë kureshtjen dhe kontribuojnë në promovimin e dy vendeve tona dhe viseve tjera shqiptare në rajon dhe më gjerë. /Lumturije BEKAJ/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Nga pasaporta tek simbolet, si do të funksionojë ‘shteti Bektashi’ – Samarxhi zbulon detajet
Kurti: Shqiptarët u bënë shembull gjatë Holokaustit, duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë
Slogani nacionalist serb në dyert e Ambasadës së Kosovës në Norvegji sjell shqetësim
Brohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
E quajti 'gjeneral të vetëshpallur', Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës
U raportua se do të sillen 100 mijë palestinezë në Shqipëri, reagon Rama
Nga pasaporta tek simbolet, si do të funksionojë 'shteti Bektashi' - Samarxhi zbulon detajet
Tomë Gashi: Vetëvendosje dëshiron me formu një SPAK në Kosovë
Avokati shpalos detajet nga seanca e sotme kur familja e Liridona Ademajt u përballen me vrasësit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Trump dëshiron të "pastrojë" Gazën - ja çfarë mund të thotë kjo për Lindjen e Mesme
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
E quajti 'gjeneral të vetëshpallur', Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës
Pas gjithë debateve dhe diskutimeve, Gjesti e Egli shkëmbejnë puthje dhe përqafime
Brohoritje 'Zdravo', 'Albin hajni' dhe mjete piroteknike gjatë tubimit të Kurtit në Skenderaj
U raportua se do të sillen 100 mijë palestinezë në Shqipëri, reagon Rama