LAJMI I FUNDIT:

Biçikleta

Biçikleta

Kushëriri voziste një biçikletë të cilën sapo ia kishte sjellë babai i tij nga Gjermania. Ai e shikonte me admirim, në ato ditë vere me diell. Rrezet e dritës ia shtonin madhështinë asaj biçiklete të kaltër me shumë shpejtësi. Për dallim nga të tjerët, kushëriri kishte pasur fatin që babai i tij të mërgonte në shtetet perëndimore, në kohën kur Jugosllavia kishte hapur kufijtë e saj me botën perëndimore.

“Bac, a ma blen bre edhe mu ni bicikëll. Kqyre bre ai kusherini jem u knaq tuj i gra!” Këto ishin pyetjet e rëndomta, sa herë që vëllait të vogël i rastiste puna të ishte vetëm me vëllain e madh. E, si me mjeshtëri, këto pyetje zakonisht ia bënte kur vëllai i madh kthehej nga pazari ku shiste prodhimet bujqësore, që së bashku me familjen i punonin në fushë. I shkreti, gjithmonë mendonte se ndoshta në këtë mënyrë do të arrinte t’ia mbushte mendjen vëllait të madh duke menduar se ai tashmë kishte të holla dhe ndoshta mund të ndante disa prej tyre për t’ia blerë biçikletën të cilën aq shumë e ëndërronte.

Megjithatë, në mesin e viteve 90-ta, jeta në fshat ishte shumë e vështirë për një familje të rëndomtë shqiptare, e cila nuk kishte ndonjë anëtar të familjes në mërgim. Prej punëve bujqësore, shumë vështirë arrihej të mbuloheshin shpenzimet operative të punimit të tokës, duke mos përmendur këtu që duhej siguruar edhe miellin, mishin dhe drunjtë për dimër. E, duke pasur parasysh gjithë këto vështirësi, t’i shtohej edhe shpenzimi i blerjes së biçikletës, vetëm sa e ngarkonte buxhetin familjar.


Por, vëllait të madh, zemra i digjej flakë sa herë që vëllai i vogël ia përsëriste kërkesën e njëjtë për blerjen e biçikletës. Ai donte shumë ta gëzonte vëllain e vogël, por e dinte mirë që dimri ishte shumë i gjatë, e për t’ia bërë edhe më të vështirë këtë, biçikletat në atë kohë bënin shumë shtrenjtë. Kështu, në këto rrethana kishte arritur që për vëllain e tij të vogël dhjetëvjeçar, t’i jepte përgjigjen e njëjtë gjithmonë: “Mas pari ti duhesh me kalu krejt me pesshe në shkollë edhe vitin tjetër kemi me punu ma shumë në fushë e tani kysmet kom me ta ble bicikllën”. I inatosur e mërzitur, me arsyetime të njëjta gjithmonë, vëllai i vogël ulëte kokën poshtë dhe imagjinonte se si do të voziste biçikletën e tij të cilën do ja blinte vëllai i madh.

Periudha në të cilën gjendej populli shqiptar në atë kohë ishte shumë e vështirë për një jetë normale. Regjimi serb tashmë kishte dërguar thirrjet pothuajse secilës familje shqiptare të kryenin shërbimin ushtarak. Duke parë rrethanat e vështira në Jugosllavi, si dhe luftën e cila nuk kishte të ndalur në Bosnje, shumica e shqiptarëve të rinj duhej medoemos të largoheshin nga vendi i tyre dhe të gjenin mënyra për të kaluar ilegalisht në shtetet perëndimore.

Jeta në kurbet kishte vështirësitë e saja. Zakonisht fillimi ishte i vështirë. Vëllai i madh nuk e njihte gjuhën gjermane dhe përpos punëve bujqësore në fushë, nuk zotëronte asnjë zanat tjetër. Iu deshën disa vite që të sistemohej ne Gjermani, të rehatohej në një banesë të veten dhe të mësonte zanatin e “molerit”, punë të cilën e kishte bërë për herë të parë kur shkoi në kurbet. Në mendje përherë e kishte një amanet që ia kishte dhënë vetes si obligim: vëllait të tij të vogël do t’i blinte një biçikletë të re dhe në mundësinë e parë do t’ia dërgonte në Kosovë.

Si për çudi, gjendja në Kosovë tashmë kishte ndryshuar. Situata atje më nuk ishte e qetë, okupatori serb kishte vendosur forca të shumta policore e ushtarake në mbarë vendin. Në këto kushte, mundësia që kurbetqarët të shkonin e të vizitonin familjarët e tyre ishte bërë akoma më e vështirë, duke pasur parasysh edhe faktin që vëllai i madh kishte edhe thirrjen nga regjimi serb për të shkuar në ushtri.

Tanimë lufta në Kosovë pothuajse ishte shpërndarë në tërë territorin e saj, njerëzit shpërnguleshin maleve për t’u ikur bombardimeve e djegieve të shtëpive nga okupatori serb. Drithërimat dhe emocionet e pashmangshme përjetoheshin skajshmërisht, sidomos tek mërgimtarët të cilët arrinin të njoftoheshin për situatën në Kosovë vetëm përmes televizorit, ngase as telefonatat nuk funksiononin më. Vëllai i madh kishte dhimbje e frikë për gjithë familjen e tij, por mendja gjithmonë i shkonte tek vëllai i tij i vogël i cili tashmë ishte afër 16 vjeç dhe si për inat kishte lëshuar shtat dhe ishte bërë goxha burrë.

Verë ishte përsëri, dielli po ngrohte fshatin e tij, tashmë të djegur e të shkrumbuar nga lufta. Atij i kujtohej shumë mirë se pikërisht para disa vitesh, në ditë vere, vëllai i tij i vogël nuk ndalonte me kërkesën e tij rreth biçikletës. Në të njëjtën mënyrë, edhe tani si në atë kohë, po qëndronte para vëllait të tij të vogël duke pritur për t’i dhënë përgjigjen rreth biçikletës. I thyer në shpirt, e me zemër të plagosur, i pafuqishëm për të qëndruar drejtë, tashmë rrinte përballë varrit të vëllait të vogël dhe në mëndje gjithmonë i sillej pyetja e tij: “Bac a ma blen bre ni bicikëll?”

Në trend

Më shumë
Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren - kapet nga kamerat e sigurisë

Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren - kapet nga kamerat e sigurisë

Lajme
Goditja e parë e administratës Trump për Kroacinë - i refuzohet hyrja në një organizatë të rëndësishme

Goditja e parë e administratës Trump për Kroacinë - i refuzohet hyrja në një organizatë të rëndësishme

Kroacia

"Thasë me vota të diasporës janë lënë në stacione të autobusëve", analistët: Procesi i votimit i kontaminuar

Politikë
Ola - banorja e vetme që po agjëron në Big Brother, por në një moment harron dhe bën një veprim të papritur

Ola - banorja e vetme që po agjëron në Big Brother, por në një moment harron dhe bën një veprim të papritur

Magazina
Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Ekonomi
Gjesti shpreson të fitoj Big Brotherin: Kam luftuar për këtë vend, sa ‘dajakun’ e hëngra prej G Banit e sa fjalët e këqija më janë thënë

Gjesti shpreson të fitoj Big Brotherin: Kam luftuar për këtë vend, sa ‘dajakun’ e hëngra prej G Banit e sa fjalët e këqija më janë thënë

Magazina
Kalo në kategori