LAJMI I FUNDIT:

Besa e dhënë, kryevepra e fjalës!

Besa e dhënë, kryevepra e fjalës!

Eh, në Kosovën tonë shumë gjëra kanë filluar të ndryshojnë që nga paslufta! Apo kemi qenë të tillë e vetëm jemi maskuar nën llupën e okupimit? Jemi mburrë si popull për shumë gjëra, mandej edhe jemi dalluar në Ballkan e, thënë realisht, as Evropës lakmi nuk ia kemi marr për të arriturat e saj.

Jo, që nuk e kemi vlerësuar Evropën për infrastrukturë e saj, për zhvillimin e saj, për shkollimin e saj, për ekonomin e saj etj. Por, ajo qe na ka bërë të mburremi dhe të mos lakmojmë Evropën ishin virtytet e larta që pretendonim qe na karakterizojnë si popull, si individë. Respekti ndaj njëri-tjetrit. Familja është konsideruar e shenjtë dhe e paprekshme, ndërgjegjja dhe karakteri i larte dhe i pathyeshëm. Secila prej tyre është cilësuar dhe vlerësuar institucion në vete. E ombrellë e të gjitha këtyre, ka qenë institucioni familje e besë. Kësaj radhe do të ndalëm te institucioni besë.

Po, ku po mbetet ku nocion “Besë” për besë? A është devalvuar dhe a po devalvohet ende?


Nuk e pata të lehtë që të filloj e të shkruaj për këtë çështje. Mandej, thënë realisht, ka që një kohë e mendoj në kokën time, por nuk gjeja forcë ta shpreh në letër e aq më tepër të bëjë publik ketë mendim që në fakt është realitet i dhimbshëm.

Nocioni besë na ka përcjellë si popull dhe ka qenë krenaria jonë! Ata që nuk e kanë mbajtur besën para luftës në Kosovë, deri në njëfarë mase janë ditur dhe janë shikuar me sy tradhtie, janë quajtur tradhtarë, nuk kanë pasur përkrahje as shoqërore e mandej as familjare. Nëse ndonjë anëtar i familjes për ndonjë çështje nuk ka qenë i besës, është munduar edhe familja të deklarohet kundër tij ose saj. Më parë janë betuar në besë dhe ka zënë vend betimi. Vula e dhënies së fjalës ka qenë besa e dhënë ! Ai ose ajo që ka qenë e fjalës, që ka mbajtur besën, është vlerësuar shqiptar i vërtetë!

Pra, nocioni besë, mbajtja e saj është identifikuar edhe me kombin. Shpesh na ka rastisë të dëgjojmë duke thënë: ishte i fjalës, i besës, ish shqiptar i vërtetë! Pra, ai ose ajo që ka mbajtur besën është cilësuar shqiptar i vërtetë! Ka qenë aq i fuqishëm, aq i mbjellët te ne si popull nocioni besë!

Çfarë ndodhi dhe çfarë është duke ndodhë tani me ketë betim?! A e kemi dashur ne ketë si popull të na ndodhë? Apo kemi qenë të tillë dhe po kthemi te origjinaliteti (asnjëherë nuk thuhet për të gjithë)

Me plotë bindjen e them, që nuk kemi dashur dhe nuk duam që krenaria e kombit të thyhet, të nëpërkëmbët. E as ta shohim se si ka filluar që nga paslufta të shembët.

Kjo të kthen në retrospektivë dhe mendon: a ishim si popull deri në ketë shkalle për mos mbajtjen e fjalës – besës?

Pikërisht nga të tillë njerëz që nuk e mbajnë fjalën është brengosëse e zhgënjyese. Po e dëgjove nocionin “për besë”, tani më kjo sikurse identifikohet me gënjeshtrën. E dhimbshme, jashtëzakonisht e dhimbshme!

E, kur përmbyset ky nocion, kjo krenari e kombit prej njerëzve të tillë, edhe familja përmbyset edhe çdo gjë. Tani thuajse asgjë nuk e ka peshën e vetë. Fillojnë intrigat e trillimet për të mbuluar mos mbajtjen e besës!

Në të kaluarën nëse nuk mbahej besa, të humbiste fytyra. Duhej ruajtur dy gisht fytyrë! Kurse tani me teknologjinë e re po e ndryshojmë fytyrën dhe nuk po preokupohemi për t’i ruajtur ato dy gisht fytyrë?!

Në ketë kontekst ndryshimi i fytyrës është krimi dhe dëmi më i madh që i bëhet kryefjalës së identitetit tonë kombëtar – besës!