LAJMI I FUNDIT:

Berisha dhe Rama duhet të shkojnë në Prokurori

Berisha dhe Rama duhet të shkojnë në Prokurori

Mjaft më me fjalë kazani që nxisin pasionet e turmave, ngopim gjakimet e intrigantëve të politikës, por nuk i shërbejnë aspak ndëshkimit të krimeve dhe vendosjes së drejtësisë në këtë shtet pa drejtësi. Berisha sapo e ka akuzuar kryeministrin Rama se është një baron droge, një Eskobar. Nuk është hera e parë që Berisha u vërsulet me akuzat më ekstreme kundërshtarëve të tij. E bën këtë sa herë ja do interesi politik. Dhe, në një kohë tjetër po në shërbim të këtij interesi është po Berisha që lavdëron po këta kundërshtarë. A nuk e quajti Fatos Nanon hajdut dhe padrino dhe pastaj e mburri si lider historik të së majtës? Madje edhe Edi Ramën e ka mburrur duke pohuar se reformat më të rëndësishme të shtetit i ka bërë në konsensus me Ramën. E kishte fjalën për atë më të poshtrën, ndryshimet e Kushtetutës. Por, tani lufta për pushtet ia do ta damkosë baron të drogës me të njëjtin stil folklorik që denonconte Nanon padrino. Dhe çirret duke rinxjerrë nga sënduku i mykur i arsenalit të armëve të tij thirrjen Nano… më falni, Rama ik!

***

Rama ik! Po përse? Përse Berisha i kërkon Kryeministrit të dorëhiqet dhe nuk i drejtohet Prokurorisë? Përse mobilizon turmat në rrugë dhe nuk mobilizon drejtësinë? Historia këshillon se demokracia e turmës nuk është një mjet i duhur për të ndëshkuar krimin. Turma mund të votojë pro Barabës dhe të ndëshkojë Krishtin. Vota dhe shumica, pra demokracia, janë mjeti më i papërshtatshëm për Berishën tani që ndodhet në pakicë. Rama ik! Përse dhe ku? Për ca fjalë kazani të Berishës dhe nga zyra në… shtëpi!? Apo në Vjenë si Fatos Nano? Jo, njëmijë herë jo më! Nëse Rama është baron i drogës duhet të shkojë aty ku e ka vendin një baron i drogës, në burg! Prandaj, nëse vërtet ka ndonjë fakt që provon akuzën publike kundër Kryeministrit, Berisha duhet të dalë nga kazani i llafeve dhe t’u drejtohet institucioneve të zbatimit të ligjit. Ndryshe duhet të përballet me akuzën për shpifje. Gjithçka tjetër do të qe një tallje. Shqipëria është i vetmi vend ku politikanët nuk përfundojnë në gjykata ku akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion.


***

Ka ardhur koha që t’u jepet fund këtyre farsave që turbullojnë turmat dhe nxisin urrejtje të verbra. Është turp për shtetin dhe çdo shqiptar që të bëhet pre e manipulimeve të tilla që kanë degjeneruar edhe në grusht shteti. A nuk u nxit grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998 mbi thirrjet e Berishës se Azem Hajdarin e vrau Qeveria? Është detyrim i çdo shqiptari, i majtë apo i djathtë, që të kërkojë hyrjen në veprim të drejtësisë. Ndryshe, kjo tallje në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve do vazhdojë duke na kushtuar shtrenjtë. Asnjë shtet normal, dhe kur them shtet kam parasysh opinionin publik, median, institucione si prokuroria, gjykatat, nuk lejon që të akuzohet Kryeministri si “baron droge” dhe e gjithë kjo të kalojë si llaf kazani. Devocioni i asnjë prindi, i asnjë patrioti, i asnjë qytetari, integriteti i asnjë prokurori apo institucioni, nuk do të lejonte që kjo akuzë të harrohej pa u sqaruar deri në fund nëse është e vërtetë apo rrenë. Të mos i shkosh në fund të vërtetës në këtë rast, do të thotë të pranosh të udhëhiqesh ose nga një Kryeministër mafioz ose nga një lider mafioz i opozitës që shpif dhe ka si armë të luftës politike jo të vërtetën, por mashtrimin. Nuk mbetet alternativë tjetër.

***

Kryeministri Rama qenka një mafioz i drogës? Kjo nuk është më punë e politikës. Në lojë duhet të hyjë ligji. Berisha dhe K° duhet që urgjentisht t’i dërgojnë në prokurori provat. Aq më tepër kur Llalla është qartazi një kryeprokuror që nuk mund ta dyshosh kurrsesi se është një vegël e Ramës. Dhe, nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, Prokuroria e ka detyrim publik të nisë kryesisht hetimin për të parë nëse Kryeministri është baron droge apo nëse Berisha e kompani janë shpifës dhe mashtrues të shqiptarëve.

***

Me shumë të drejtë Rama i kërkoi Berishës t’i drejtohej Prokurorisë, por kaq nuk është mjaft. Nuk është mjaft as që Rama të dërgojë në Prokurori denoncimin për shpifje kundër Berishës. Ka ardhur koha, sikundër po kërkohet edhe nga BE, të riaktivizohen hetimet për masakrën e 21 janarit. Në zinxhirin e krimeve të asaj masakre ka një krim evident. Me autorësi të qartë: Sali Berisha. Në postin e kryeministrit, shtetasi Berisha ka bërë atë që nuk i lejohet asnjë shtetasi të Republikës, ka penguar Prokurorinë të bëjë detyrën, ka penguar dhe vonuar marrjen në pyetje të disa drejtuesve të Gardës. Është e papranueshme për një shtet ligjor. Është një krim i ndëshkueshëm nga Kodi Penal i Republikës të cilit i nënshtrohemi të gjithë. Përse shtetasi Berisha jo?! Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të bashkësisë politike ku kemi pranuar të jetojmë duke iu bindur jurisprudencës së saj, ka një ligj që thotë se organi i hetimit është prokuroria. Kjo do të thotë që askush, për asnjë lloj preteksti, nuk mund të pengojë Prokurorinë të ushtrojë detyrën. Berisha i pengoi hetimet me pretekstin se Garda do mbetej pa zinxhir komandimi dhe kështu do dëmtohej “shteti”. Berisha dhunoi Kushtetutën për të mbrojtur shtetin?! Apo sakrifikoi shtetin për hatër të pushtetit? Se a ka dëm më të madh që i bëhet shtetit, krim më i madh kundër shtetit sesa kur një zyrtar i lartë i shtetit pengon institucionet e shtetit të bëjnë detyrën që u ngarkon ligji dhe Kushtetuta?

***

Duhet të dalim nga kazani i llafeve, thashethemeve, shpifjeve dhe të mos fshihemi prapa gishtit. Përmbysëm diktaturën duke mallkuar Enver Hoxhën që krijoi modelin e liderit Zeus, që jo vetëm nuk i nënshtrohej ndonjë ligji, por bënte ligjin. Dhe pas tij krijuam kulte të reja liderësh të paprekshëm që qëndrojnë mbi ligjin. Krijuam kultin anakronik dhe poshtërues për barazinë qytetare, kultin e Berishës. Akti i Berishës më 21 janar është i dënueshëm nga disa nene të Kodit Penal. Mjerisht, qytetari Sali Berisha mund të bëjë çdo gjë në kurriz të ligjit, por të gjithë duket se janë pajtuar me faktin se ai është i paprekshëm nga ligji, nga drejtësia. Po pranojmë pandëshkueshmërinë e disave, qëndrimin e tyre mbi ligjin ashtu siç pranojmë fatalisht një fatkeqësi të natyrës. Jemi nënshtruar kësaj barbarie të papranueshme për një shtet ligjor që shpall në Kushtetutën e tij barazinë e shtetasve para ligjit. Kush ia dha të drejtën kryeprokurores Ina Rama që të mos fillonte hetimet kryesisht kur Berisha e fyeu publikisht lavire bulevardi? Mos vallë qe ajo një çështje private mes shtetases Ina Rama dhe shtetasit Sali Berisha? Jo, qe një çështje mes institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe institucionit të Kryeministrit. Berisha nuk ka fyer, në një moment tërbimi, Ina Ramën personalisht, por Prokurorin e Përgjithshëm. Dhe institucioneve të shtetit as nuk u lejohet dhe as nuk u falet të veprojnë në bazë pasionesh individuale dhe jo në bazë të arsyes së shtetit të mpiksur në ligje dhe Kushtetutë. Është detyrë e juristëve të gjejnë dhe klasifikojmë se në çfarë lloj krimi futen sharje të tilla shantazhiste dhe se sa e kanë penguar ato kryerjen e detyrës nga prokuroria. E njëjta gjë mund të thuhet për sharjet dhe akuzat që Berisha lëshoi në 21 janar në adresë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Janë të gjitha të dënueshme me Kod Penal. Nëse kjo nuk bëhet shteti, Republika, si qeverisje me barazi të të gjithëve para ligjit, humbet kuptimin. Përse duhet të dënohet me Kod Penal një shtetas fermer, punëtor, gazetar apo biznesmen dhe jo një shtetas kryeministër? Jetojmë në republikë apo në monarki absolute?

***

Sot, në të njëjtën logjikë, kryeprokurori Llalla nuk ka asnjë të drejtë të mos zbatojë ligjin, detyrën që i ka ngarkuar sovrani me Kushtetutë dhe të mos marrë nën hetim Berishën si një shtetas të zakonshëm që kur ka qenë në detyrën e kryeministrit ka dhunuar ligjet e Republikës. Asnjë balancë, asnjë pazar, frikë apo koniunkturë nuk ka mundur ta arsyetojë pasivitetin e Prokurorisë për një krim që është konsumuar ditën për diell. Kjo është një sfidë dhe nëse nuk e përball dot, Llalla duhet t’ia lërë vendin një tjetri. Ndryshe nuk jemi në shtetin ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, por në shtetin ourellian ku ca janë “edhe me të barabartë se të tjerët”. Një prokuror duhet t’i bindet ligjit ashtu si akrepi mekanizmit të sahatit. Zilja e tij duhet të bjerë kur vjen ora. Ndryshe sahati është i prishur. Pra shteti ka marrë fund.

(Marrë nga: Gazeta Shqip)