LAJMI I FUNDIT:

Barbarizmat e “Shpijes…”

Shfaqja e "Shpijes së Kosovës" po vazhdon. Ajo ka hyrë në javën e katërt. Një javë pas qëndrimit doli Armend Zymberi. Për shkak të "shkeljes së rregullave" Muhamed Zeqiri – Meti mori "kartonin e kuq". "Shpija…" sikur i ra pishmanit, shprehu keqardhje ndaj këtij lojtari që të tjerëve ua "hante shpirtin", la mundësinë që sërish për të të votohet. Për shkak të numrit të vogël të votave Suzana Tahiri – "Manekinja" u përshëndet me këtë spektakël.

Aktorit Kushtrim Sheremetit i shkoi puna huq, ngase "nxënësja" e tij Erlinda (Shatvica) ra në provim. Nuk i deklamoi si duhet vargjet e Gjergj Fishtës. Jashtë ‘zgafellës’, i pyetur se cili është opinioni i Metit, ky i dha njësh Erlindes, përdori shprehjen "katastrofë", pastaj ndërroi mendjen, shtoi se po bën shaka, për të mos e thyer ish – "cimerën".

Opinionistja Xheraldina Vula ka simpati ndaj Metit. Për të tha se është "shyhreti i shpijes". Opinionisti i rregullt – Shuki është i "pa pardon", banorëve u lëshon nga një "grusht miza".


Garuesit e bëjnë lojën, aktrojnë, herë tregohen vetvetja, herë shtiren, herë derdhin lot, kur s’duhet të derdhin. Loja është lojë, kush është "më i forti", më i mençuri – fiton. Këta kanë një përparësi, kur të dalin nga "Shpija…" bëhen të popullarizuar, të tjerëve u japin autografe.

"Hajde shaci, hajde…". Me këto fjalë e pritën banorin e ri, "zviceranin", 27 vjeçarin Qëndrim Jonuzin, i njohur si "Xheri". Ai i përngjan boksierit Luan Krasniqit. Lihej përshtypja se "Xheri" është i shoqërueshëm, komunikativ, madje edhe inteligjent, ngase që në start u dëshmua se është i hapur dhe e pranon lojën.

Shumë punë i shkojnë për dore Fadilit. Ai është "inxhinieri" i "Shpijes…". I bie mirë kitarës, ka sens për muzikë, kërcen si mbreti i muzikës pop, Michael Jacksoni. Fadili, i cili ka shëtitur në vende të ndryshme të Evropës, përmend përvojën e tij, u jep këshilla "cimërëve" se kjo punë bëhet kështu, jo ashtu…

Shikuesit, kush më shumë e kush më pak, janë familjarizuar me këta banorë, veprimet e të cilëve në ‘zgafellë" ndiqet nga kamerat e TV 21 popullore, ditën e natën.
Debatet për dashurinë, drogën, alkoolizmin… ishin shterpe. Saranda Hoda – "Sasa", 18 vjeçare, dhe të tjerët, nuk po arrijnë ta gjejnë vetën me këto tema. Arbeni i "Radio Dukagjinit", djaloshi i pashëm, i cili të tjerëve mund "t’ua ha petullat" sikur nuk po hapet. Loja e banorëve , me disa "ndërskamca", kryesisht është e qetë, nuk ia "prishin" njëri tjetrit.

Nëse në emisionet televizive, të këtij formati, nuk bëhet "lufta e nxehtë", shikuesit e humbin durimin. Maestro i emisioneve televizive italiane, sidomos i atij "Porta", Bruno Vespa në intervistën për "Opinionin" e TV Klanit pati thënë se shikuesit i kanë në qejf polemikat e ashpra. Madje, në njërën nga pyetjet e drejtuesit të "Opinionit", Blendi Fevziu, Vespa qe shprehur se "incidentet" i japin gjallëri emisionit.

Banorët e SHK përdorin gjuhën e "kullerave", por edhe atë të internetit. Tregohen ‘ kursimtarë ‘, bëjnë "ekonomizimin" e fjalëve të tipit: OK, Flm. Klm, Tung… Ndërkaq, e kanë pikë të dobët përdorimin e fjalëve a shprehjeve të huaja, sidomos të gjuhës serbishte. Murit i thonë "zid", shakasë – "zezat, zajebat", shtyllës – "stub", ngjitësit – "lepak"… Barbarizmat e këtilla e lëndojnë gjuhën. Kjo s’është "cikërrimë", apo jo. Andaj, nuk thuhet më kot: Çka piqet, vështirë hiqet.

Drejtuesi i spektaklit televiziv Gent Efendia, të shtunave, banorëve të SHK u drejtohet: Hyn në ‘shpajz"… (aludon në dhomën e rrëfimeve). Fjalën "shpajz" nuk e gjejmë as në fjalorët e gjuhës sonë, as në atë të serbishtes. Kjo fjalë nënkupton kthinën, hapësirën e ngushtë në të cilën vendosen zarzavatet, turshitë… Andaj, do të ishte qesharake që garuesit e spektaklit të rrëfehen nga "dhoma e turshive"!

Gjeneratat e reja s’ flasin serbisht, nuk e dinë këtë gjuhë, më tepër e flasin anglishten. Kur nga ta dëgjon barbarizmat, shprehjen "mos u zezat" ("mos bën shaka, hajgare…"), kjo të bën të qeshesh. Në një mënyrë, ata imitojnë etërit e tyre… Më kujtohet pas luftës, nëse ndokush bënte ndonjë lapsus, përdorte fjalë serbe, detyrohej t’i qeraste shoqëruesit e tij në vlerë të 10 markave gjermane…Kjo "gjobë" duhet të ‘aplikohet’ edhe në "Shpijen e Kosovës".

Shprehjet "tallava" janë pasojë e mosleximit. Sikur ka rënë interesimi për librin. Të rinjtë, ka përjashtim, pak lexojnë libra, për të mos thënë gazeta, më tepër janë të dhënë pas internetit. Nëse nuk "preket" libri apo gazeta, vështirë se mund të kompensohet dija përmes internetit, këtë e thonë edhe ekspertët në emisionet e ndryshme televizive.

Poeti e studiuesi Agim Vinca në një intervistë për emisionin "Deja vu" të kanalit televiziv Top Channel ditë më parë vuri në pah se studentët e Universitetit të Prishtinës pak po i kushtojnë rëndësi kulturës gjuhësore. Drejtuesit të këtij emisioni Mustafa Nanos, Vinca i tërhoqi vëmendjen se në Tiranë ka parë revista e gazeta, në të cilat, në vend të zanores sonë ë, përdoret germa e…, shprehu habinë ai.

Ka shumë tema me të cilat duhet të rreken banorët e "Shpijes…". Të flitet për rregullat e mirësjelljes – bontonit, Kanunin e Lekë Dukagjinit, mikëpritjen shqiptare…Në popull thuhet: Mysafirit mund t’i qitësh përpara edhe dashin në hell, por nëse i mban çehre, të ka shkue mundi huq. Zonja e shtëpisë, e detyruar nga burri i saj, i pjekë petulla mysafirit, nuk i jep çehre atij. Mysafiri i tërheq vëmendjen asaj: Oj zonjë, lëri petullat, ngriti vetullat… Kjo sentencë është e njohur tek shqiptarët.

"Shpija e Kosovës" është shndërruar në një "ekspozitë", vërehen mbishkrimet e shumë firmave. Kjo të kujton rrethojat e stadiumeve futbollistike. Veprohet kësisoj për t’u hy në hatër donatorëve, biznesmenëve të cilët i kanë "tha paret" për këtë punë. Madje, drejtuesi i këtij spektakli Gent Efendia tërheq vëmendjen:"Për veshjen time është kujdesur….".
Nëse patjetër duhet të përmenden donatorët, TV 21 popullore le t’i rendit emrat e tyre pas regjisorëve, kameramanëve, ndriçuesve..

Dallimi ndërmjet "Big Brother" ("Vëllai i madh") të Shqipërisë dhe këtij të "Shpijes së Kosovës, është se këtu s’ flitet "me gramatikë", por në dialektin gegë. Hiq barbarizmat, mund të na kenë zili edhe shkodranët.

Në trend

Më shumë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Zafir Berisha për deklaratën e Lladrovcit për Limajn: Po e luan rolin e Burdushit, nuk biem në nivelin e tij

Lajme
Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Fillon numërimi i votave për kandidatë, KQZ: Do të bëhet edhe verifikimi i votave për parti

Politikë
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

KQZ: Janë mbi 84 mijë vota nga diaspora, do të numërohen në një fazë të mëvonshme

Politikë
Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Ancelotti emëron ekipin e vetëm që mund të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori