LAJMI I FUNDIT:

Axos – rreziku qindra milionësh për Kosovën

Axos – rreziku qindra milionësh për Kosovën

Kosova rrezikon t’i humbë 180 deri në 500 milionë euro, apo 10 deri në 29 për qind të buxhetit vjetor në rast se Gjykata e Arbitrazhit në Washington i jep të drejtë kompanisë gjermane “ACP Axos Capital Gmbh”.

Kjo kompani që ishte shpallur fituese në tenderin për privatizimin e PTK-së, e ka paditur Qeverinë më 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID). Nëpërmjet kësaj gjykate ajo kërkon dëmshpërblimin qindra milionësh pasi që Qeveria e Kosovës nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani në afatin e paraparë më 28 dhjetor të vitit 2014.

“Axos” ishte shpallur fitues në tender më datën 12 prill 2013, pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom. Më 16 prill 2013, Qeveria e Kosovës pati miratuar shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së – “Axos”-it.


Javë më vonë Lëvizja “Vetëvendosje” pati publikuar të dhëna të cilat hidhnin dyshime mbi pronësinë e kësaj kompanie dhe mundësinë që ajo (“Axos”) të jetë një organizatë fantome e krijuar enkas për privatizimin e PTK-së. Kritikat e “Vetëvendosjes” i pati kundërshtuar kompania gjermane, duke pohuar se është kompani serioze.

Pas presioneve të ndryshme, partitë opozitare arrijnë ta fusin si pikë të rendit të ditës hetimin e privatizimit të PTK-së nga një komision parlamentar. Mirëpo, në seancën e 3 tetorit 2013 kjo iniciativë nuk miratohet nga Kuvendi I Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar komente lidhur me këtë padi nga përgjegjësit qeveritarë që udhëhoqën procesin e privatizimit të aksioneve të ndërmarrjes më fitimprurëse publike në vend. Fadil Ismajli u tregua i heshtur – nuk u përgjigj në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Tjetër qëndrim Ismaili mbante para disa vitesh kur kontrata nuk u nënshkrua, e kur kishte deklaruar se mos nënshkrimi nuk përbën kurrfarë rreziku.

Drejtori ekzekutiv i “Axos”-it, Jan Budden, kishte thënë atëherë se kompania e tij do të kërkojë kompensimin dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë të mos vazhdojë me privatizimin e PTK-së.

Para se Ismajli të merrte timonin e udhëheqjes së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, këtë post të rëndësishëm qeveritar e mbante Besim Beqaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Beqajt – tash deputet i PDK-së – iu dërguan pyetje nga Gazeta Jeta në Kosovë por ngjashëm si Ismajli edhe ai nuk dha komente lidhur me padinë e ngritur nga “Axos”.

Edhe Blerand Stavileci – pasardhësi i Beqajt dhe Ismajlit në postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik – veproi ngjashëm.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme figurojnë si të paditura nga “Axos”-i në faqen zyrtare të Gjykatës së Arbitrazhit në Washington. MPJ-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi nuk dha asnjë koment lidhur me rrezikun e pretenduar nga “Axos”.

Derisa “Axos-i” ka lëvizur më shpejt dhe ka caktuar avokatin mbrojtës, ngjashëm nuk ka vepruar edhe Qeveria e Kosovës. Tek më 2 shtator të vitit 2015 Qeveria lëvizi drejt ndarjes së një shumë prej 200 mijë eurosh për nevoja të mbrojtjes në Arbitrazh. Ndërsa, caktoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që të udhëheq procesin e përzgjedhjes së një kompanie ndërkombëtare që do ta mbrojë Kosovën në Washingon.

Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se shteti nuk ka kapacitete që të përfaqësojë veten në këtë rast në Arbitrazh.

“Zyra e Avokatit të Shtetit, pas konsultimeve që i ka bërë brendapërbrenda vetes, kemi ardhur në përfundim se nuk ka kapacitete adekuate për një përfaqësim të tillë dhe nuk ka përvojën e duhur që mund ta bëjë një përfaqësim adekuat”, ka thënë ai.

Deri në caktimin e kompanisë nëpërmjet tenderit, Qeveria thotë se është marrë vesh me një kompani të njohur që ta mbrojë Kosovën përkohësisht.

“Të gjitha veprimet e përkohshme të ‘Patton Boggs’-it janë ndërmarrë pa ndonjë kosto shtesë për Republikën e Kosovës, sepse siç është e njohur tashmë, ‘Patton Boggs’ ofron shërbime konsulence për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi është ofruar edhe ky shërbim i përkohshëm, pa ndonjë kosto shtesë”, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë, Besnik Berisha, këshilltar i jashtëm i kryeministrit Mustafa.

Ndërkohë, kompaninë “Axos” është duke e mbrojtur avokati gjerman Herbert Smith Freehills nga Berlini. Edhe kompania “Axos” nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë që kërkoi sqarime se pse kompania pretendon se duhet të kompensohet prej 180 deri në 500 milionë euro.

Opozita ndërkohë akuzon ish-ministrin Besim Beqaj dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi si përgjegjës kryesorë për këtë proces. Nga zyra e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë sugjeruar që mbrojtja e Kosovës të financohet me pasuritë personale të ish-ministrit Beqaj dhe ish-kryeministrit Thaçi.

Në anën tjetër AAK-ja shpreh dyshimin se ky proces është një lojë me qëllim që paratë e Kosovës t’i barten “Axos”-it. /Gazeta JnK/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Ekonomi
SUV-i i ri Dacia Bigster nxjerr fokusin e markës në vlerën, dobinë dhe dizajnin funksional

SUV-i i ri Dacia Bigster nxjerr fokusin e markës në vlerën, dobinë dhe dizajnin funksional

Ekonomi
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
U mbajt konferenca “Turizmi i Qëndrueshëm” - Peja, Prizreni dhe Prishtina, destinacionet kryesore të turizmit në Kosovë

U mbajt konferenca “Turizmi i Qëndrueshëm” - Peja, Prizreni dhe Prishtina, destinacionet kryesore të turizmit në Kosovë

Ekonomi
Si Vetura Scout ndryshoi mënyrën se si shqiptarët bëjnë shitblerje të veturave në Kosovë!

Si Vetura Scout ndryshoi mënyrën se si shqiptarët bëjnë shitblerje të veturave në Kosovë!

Ekonomi
19 vite rrugëtim me ETC: Një muaj plot oferta dhe festë për ju!

19 vite rrugëtim me ETC: Një muaj plot oferta dhe festë për ju!

Ekonomi
Kalo në kategori