LAJMI I FUNDIT:

Amatorizmi i politikës sonë

Ajo që ndodh sot në skenën politike të Kosovës nuk i ngjan profesionalizmit politik. Amatorizmi politik është dukur sheshit edhe tek ata që kanë një përvojë dekadash në politikë, po edhe tek ata që këtë zeje e ushtrojnë si punë të parë në jetën e tyre.

Telenovela filloi kur Gjykata Kushtetuese nxori Fatmir Sejdiun të fajshëm për shkelje serioze të Kushtetutës si President i vendit. Në reagimin e tij të parë ai la të kuptohej se në thelb nuk e pranonte verdiktin e kësaj Gjykate, meqë sipas tij ajo nuk e kishte kryer punën si duhet. Argumenti i parë ishte se Gjykata nuk i kishte lënë mundësi mbrojtjes së tij për t’i shtruar argumentet e veta që do ta kontestonin një vendim që atë e nxirrte si shkelës të Kushtetutës. Menjëherë pastaj u kuptua se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakundërshtueshme. Argumenti i dytë ishte se kishte pasur një marrëveshje mes partnerëve në koalicion dhe të ambasadorëve të shteteve të Kuintit për dyfishimin e posteve të tij. Ky nuk ishte argument juridik dhe as politik për ta kontestuar vendimin e Gjykatës, por një reagim amatoresh edhe në planin politik e edhe në atë juridik. Të nesërmen, ai dha dorëheqjen. Edhe këtë akt e bëri në mënyrë amatore. Në vend se atë t’ia paraqiste Kuvendit dhe ta dorëzonte detyrën aty ku edhe e kishte marrë, ai ua paraqiti dorëheqjen medieve. Thuajse ato kishin mbetur shpresa e fundit në shtet. Edhe pse, një ditë më parë veç sa nuk i kishte akuzuar për komplot.

I nxitur nga respekti apo nga besimi në dijen e ish Presidentit, ose nga amatorizmi i vet paralel, zoti Jakup Krasniqi e pranoi detyrën në mëngjesin e ditës së nesërme pothuajse në konfidencë nga Fatmir Sejdiu. Thuajse fjala ishte për ndonjë post sekret e jo për ushtrues detyre të njeriut të parë të vendit. Në fakt, zoti Krasniqi tregoi amatorizmin e vet duke mos thirr seancën e Kuvendit ku do të shkarkohej Fatmir Sejdiu nga pozita e presidentit për shkakun se kishte shkelur Aktin më të lartë juridik të vendit.


Për ta dëshmuar se teatri i aktrimit në politikën kosovare është krejtësisht amator, pasuan reagimet e eksponentëve të partive politike dhe institucionale në Kosovë. Dy deputetët e pavarur të cilët më në fund u bënë “heronj” të parlamentarizmit kosovar, kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit, meqë edhe ky paska faj pse i paska ndihmuar kryesit të veprës! Dy “heronjtë” e demokracisë kosovare e kishin arritur një efekt, që ishte rënia e presidentit, por tani si heronj donkishotianë tentonin ta rrëzonin edhe Kryeministrin me të njëjtin motiv. Rrëzim në pako! Mirë që nuk kërkuan edhe nga shtetet e Kuintit t’i ndërronin ambasadorët meqë këta i kishin ndihmuar ish presidentit në shkeljen e Kushtetutës!

Kryeministri më vonë tregoi se si nuk kishte përfillur një sugjerim të Sejdiut për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse historian me profesion dhe me një përvojë modeste në politikë, të paktën modeste në krahasim me ish Presidentin i cili ka pasur post të lartë politik edhe në kohën e ish Jugosllavisë dhe ka qenë profesor në Fakultetin Juridik më shumë se dy decenie, Hashim Thaçi në këtë rast na doli më pak amator në politikë, por edhe në drejtësi! Reagimi i ish Presidentit përsëri ishte i nivelit jo të denjë. Ai nuk denjoi të fliste për këtë para opinionit, por u drejtua me një komunikatë ku shpjegonte se ky nuk kishte kërkuar nga partneri qeverisës të kundërshtonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ta sqaronte opinionin se përkundër qartësisë kushtetuese, mes partnerëve dhe shteteve të Kuintit kishte ekzistuar një marrëveshje interesante. Po te dilte para gazetarëve Fatmir Sejdiu do të duhej të përgjigjej në disa pyetje. E para do të ishte se kush e kishte iniciuar këtë marrëveshje dhe pse? Përgjigja do të ishte po kush tjetër pos Fatmir Sejdiut, i cili kishte lutur faktorët në fjalë që t’i bënin një favor ku ky do ta ruante fuqinë e vet politike në LDK si një parakusht për një mandat të ri të President.

Për të qenë ironia më e madhe, apo për t’u zgjeruar amatorizmi edhe me aktorë të rinj, për këtë marrëveshje, në favor të presidentit natyrisht, nisën të flisnin politikanë, juristë dhe analistë të ndryshëm. Amatorizmi vazhdon ende dhe amatori më i fundit, por kurrsesi jo edhe i fundit , Fatmir Rexhepi verdiktin e Kushtetutës e quajti akt politik. Nëse është ashtu a ka amatorizëm më të madh sesa ai i Fatmir Sejdiut duke braktisë postin e Presidentit i frikësuar nga një vendim që na qenka thjesht politik!

Tutje, lideri i LDK-së u jep urdhër ministrave të tij të shtunën që të hënën në vazhdim ta lënë detyrën e ministrave! Pikërisht të hënën, në bazë të fjalës së njohur: Dita e re nafaka e re. Për ta vërtetuar amatorizmin e tyre në politikë, asnjë ministër nuk denjon që të presë në dorëheqje derisa vendet e tyre të zëvendësohen me njerëz të rinj, por lënë çelësat mbi tavolinat e tyre të punës dhe ikin. Tash amatorizmi i tyre le që po i kushton vendit, por gjasat janë që do t’u kushtojë edhe atyre me llogarinë para ligjit!

Telenovela vazhdon me krizën institucionale. Vendi ka ardhur buzë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Më në fund duket se një mocion i AKR-së do ta provojë shkarkimin e Qeverisë në Kuvend. AAK dhe LDD kanë vërejtje në tekstin e mocionit. Ata duan ta shkarkojnë Qeverinë aktuale për qeverisje të keqe e jo për shkak të krizës institucionale. Ku ishin këto parti që tri vjet që nuk iu ra ndërmend ta sillnin në Kuvend një mocion që do ta dënonte qeverinë siç thonë ata për korrupsion, për dëm ndaj vendit e çka jo? A po kanë pritur që LDK t’u jap një rast të tillë me tërheqjen e vet nga qeveria. Është thjesht një amatorizëm tjetër politik, sepse nuk merren me substancën që është kriza institucionale, por duan t’i bëjnë qeverisë dëmin politik që nuk kanë mundur t’ia bëjnë për tri vite radhazi. Pra po del se ajo që ata e paskan quajtur qeveria më e keqe deri me tash paska mbijetuar pikërisht në saje të mosdijes apo të neglizhencës së opozitës për ta bërë një mocion në Kuvend. Paska qenë shumë punë e lehtë të mbaronte kaherë! Në të vërtetë ata po harrojnë se një fuqi që nuk e kishin dje nuk e kanë as sot. Mendojnë ata se LDK që tani ka dalë nga qeveria do ta votonte një mocion me një tekst të tillë ku do të etiketohej qeveria dhe normalisht edhe hisja që kishte LDK në këtë qeveri?! Apo presin që një mocion të tillë ta votonte PDK, ajo që ka qenë shtyllë e qeverisjes që tri vite! Nëse provohet kjo, nuk mund të bëhen numrat në Kuvend. Kriza institucionale vazhdon, por nuk ka gjasa që të formalizohet një dokument i tillë në Kuvend.

Dhe akuzojnë AKR-në për mençurinë e tyre që “mishi të piqet e helli të mos digjet”. Pra, për atë që AKR e bëri PDK-në që me dorën e vet ta nënshkruajë dështimin vetëm duke qenë të kujdesshëm në përdorimin e gjuhës, apo artit të fjalëve. Nëse mocioni kalon fitorja nuk është e PDK-së, as e LDK-së, por e opozitës. Mirëpo, krediti i takon vetëm AKR-së. Për veprim adekuat në orën e saktë. Dhe, për shmangie nga amatorizmi që është praktikë e zakonshme e politikës kosovare.

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori