LAJMI I FUNDIT:

Albin Kurti ka ide të mira, por të vjetra

Republika e Kosovës është Republikë Parlamentare. Ose, Republika e Kosovës nuk është Republikë Qeveritare. Ky përkufizim është një koncept mbi të cilin lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, po mëton të ndërtojë një bazë mbi ligjshmërinë ligjore dhe të legjitimitetit politik në lidhje me veprimet e saj karshi protestës për bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, por edhe si një lloj platforme për veprimet e mundshme të ardhshme politike të kësaj partie.

Koncepti i “Republikës parlamentare” diskutohet në Kosovë rrafsh prej fillimit të pluralizmit të jetës politike në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë. Ky lloj pluralizmi, themelimi i më shumë se një partie politike, plus dalja e tyre në zgjedhje që nëpërmjet votës të sigurohet partia në pushtet, e solli Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në kuadrin politik dhe ligjor të Jugosllavisë. Pra, këtu nuk është lajmi se LDK-ja ka lindur në kuadër të Jugosllavisë, e jo të Kosovës, këtu lajmi është që të thuhet se atë që po e kërkon Albin Kurti sot është në diskutim rrafsh qe 20 vjet e më tepër. Por, pse kthehet ky diskutim?

Arsyeja pse Albin Kurti kërkon “Republikë parlamentare” niset nga veprimi i Kuvendit kur miratoi Mocionin për vendosjen e reciprocitetit politik, tregtar dhe ekonomik me shtetin e Serbisë. Pra, z. Kurti po kërkon “Republikë parlamentare” ose “shtet parlamentar” në emrin e respektimit të këtij Mocioni të dal nga Kuvendi i Kosovës. Ose, sipas tij, pasi ky Mocion nuk po funksionalizohet, atëherë Kosova qenka “Republikë qeveritare”.


Nuk po mundohem të diskutojë nëse z. Kurti e ka keq ose mirë, por ajo që po mëtojë të them është se, edhe një herë, ky diskutim i mundshëm ose ky debat, mbi kërkesën dhe kualifikimin e Kosovës si shtet parlamentar ose qeveritar, është në zhvillim e sipër tash e më shumë se 10 vjet në shoqërinë e Kosovës, saktësisht që prej themelimit të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVQ-ve).

Nisma e debatit në kohën e Jugosllavisë si dhe përmbarimi i saj aty kah viti 2002, mbi kualifikimin e jetës politike në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, ka qenë se Kosova është sepse duhet të jetë shoqëri me shtet parlamentar, për dallim nga sistemi komunist ose monist, situata kur një ose 2-3 njerëz kanë vendosur për një shoqëri e një shtet të tërë dhe pa kurrfarë diskutimi paraprak. Në një farë mënyre, me themelimin e Kuvendit të Kosovës aty kah viti 2002, ky debat, i nisur 20 vjet më herët, merr fund.

Por, ajo çfarë do të ndodhë prej këtij viti e deri më sot, kur z. Kurti përsëri i kthen në diskutim kërkesën për “Republikë parlamentare” është, sipas meje, interesante për t’u marr parasysh: korrupsioni fillon të shtrihet gjithkund, në secilin institucion vetëqeverisës ose qeverisës, nëpër kompani dhe çdo gjë që është publike. Nga ana tjetër, Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk i mori detyrimet dhe obligimet e veta për dhënien e përgjegjësisë dhe llogarisë në lidhje me situatën. Kuvendi i Kosovës nuk ishte në gjendje ta bëjë këtë.

Nëpër media, vazhdimisht defilonin militantë partiakë të vendosur në Kuvendin e Kosovës të cilët, me gjasë, ishin dhe mbeten arsyeja kryesore e fillimit të korrupsionit në Kosovë për shkak të ndikimi të tyre, korrupsion i cili sot me të drejtë quhet tradhti kombëtare. E që kjo të mos jetë e mjaftueshme, edhe kryeministrat e atëhershëm, edhe nëse do të kishin vullnet për luftimin e korrupsionit, duart i kishin të lidhura për shkak të Kuvendit të Kosovës i cili, siç e thashë, kishte ndikim në institucionet qeveritare të Kosovës. Nga kjo, edhe vet kryeministrat e kaluar lirshëm mund të hetohen për përfshirje në korrupsion.

Kjo situatë, të cilën Albin Kurti po e harron me qëllim ose ka diçka tjetër këtu, e solli situatën tjetër: të nevojës që Qeveria e Kosovës ta sjellë nën kontroll vetveten. Përveç kësaj, që Qeveria e Kosovës të ketë kontroll mbi zhvillimin social, pra ekonomik dhe politik të Kosovës. Dhe e tërë kjo me të vetmin qëllim edhe politik edhe ligjor: që të dihet se kush i ka përgjegjësitë dhe llogaridhëniet në mënyrë që të dihet se nga kush duhet të kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie jo vetëm për korrupsionin, por për gjithçka tjetër, o të dështuar o të suksesshme.

Hashim Thaçi dhe PDK i humbën ose i keqpërdorën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2010 mu për shkak të kësaj situate. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, menjëherë pas marrjes së pushtetit në vitin 2007, mori përgjegjësitë dhe shprehu gatishmërinë për zhvillimet sociale, pra ekonomike dhe politike të Kosovës. Me këtë, ajo mori përgjegjësinë dhe shprehu gatishmërinë të ofronte edhe llogaridhënie në dështimin e luftimit të korrupsionit.

Por, pas kësaj, të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Hashim Thaçi nuk qe në gjendje as të marr e as të ofrojë përgjegjësi dhe llogaridhënie për korrupsionin. Në këtë kuadër, Hashim Thaçi, si kryeministër i Kosovës, i cili i ka për obligim zbatimet e dokumenteve zyrtare që dalin të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, nuk është në gjendje të zbatojë as Mocionin për reciprocitet ekonomik, tregtar e politik me Serbinë.

Dhe në vend që Kuvendi, me nismëtarin Albin Kurti, të kërkojë përgjegjësi dhe llogari ligjore nga Kryeministri Thaçi, këta shkojnë dhe fillojnë propagandën mediale duke e nisur ose e rifilluar një debat politik krejt pa nevojë – nëse Kosova është Republikë parlamentare ose qeveritare. Sepse njeriu që e shkel ligjin quhet hajn, por edhe njeriu që nuk e zbaton ligjin quhet hajn. Është humbje kohe dhe energjie tashti që të bëhet debat politik me këta soj njerëzish. Sepse hajnat duhet trajtuar me ligj, e jo me politikë.

Nëse tashti Kosovën e kthejmë në “Republikë parlamentare” atëherë PDK-në dhe Hashim Thaçin do ta zhveshim dhe do të pastrojmë nga përgjegjësia mbi qeverisjen e vendit, pra nga përgjegjësia dhe llogaridhënia edhe për korrupsionin në vend, duke përfshirë, por duke mos u kufizuar vetëm në moszbatimin e dokumenteve zyrtare që dalin nga Kuvendi i Kosovës.

Nga kjo, mund të shkojmë më tej me ide vijuese nëse Albin Kurti po kthehet në mjet të Hashim Thaçit për manipulimin e opinionit publik, por kjo, për tash, nuk është me rëndësi.