LAJMI I FUNDIT:

Turqia një aleat natyral i Shqipërisë

Turqia një aleat natyral i Shqipërisë

Fjala e mbajtur në konferencën “Shqipëria dhe Turqia: Ndërtimi i një partneriteti strategjik”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Studimeve Ndërkombëtare

Pavarësimi i një vendi, i një shteti, nuk është akt i vetëm. Pavarësia e Shqipërisë ishte një proces relativisht i gjatë që në fakt mori disa dekada.

Në një rrafsh teorik dhe praktik bërja e një shteti kalon në një proces të dyfishtë: ndërtimin e sovranitetit të jashtëm dhe procesi i shtetformimit në aspektin e brendshëm të institucioneve, qeverisjes, burokracisë.


Kur është fjala për sovranitetin e jashtëm, marrëdhëniet ndërkombëtare janë jetike jo vetëm për ekzistencën e shtetit thjesht nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare – ku njohja është një nga kushtet e domosdoshme për krijimin de jure të një shteti, por de facto asnjë shtet nuk mund të ekzistojë jashtë bashkësisë së shteteve të tjera dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.

Nga ky këndvështrim, Memorandumi i Miqësisë i 15 dhjetorit të vitit 1923 midis Shqipërisë dhe Turqisë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë. Më shumë se sa një instrument diplomatik për zhvillimin e marrëdhënieve, memorandumi i njëqind vjetëve e më parë ishte një akti i rëndësisë së veçantë në procesin e pavarësimit të Shqipërisë ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi njëqindvjeçare në fund të të cilit të dy shtetet, anëtarë të NATO-s kanë arritur të ndërtojnë një partneritet strategjik, të zhvillojnë dhe të thellojnë një marrëdhënie vëllazërore të pakonkurrueshme.

Në një trajektore mjaft dinamike gjatë këtyre 100 vjetëve, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë kanë qenë të veçanta, speciale, për të gjitha arsyet e mundshme, historike, politike, gjeopolitike, ekonomike, kulturore, sociale. Gjatë 30 vjetëve të fundit, qysh nga rënia e komunizmit dhe daljes së Shqipërisë nga izolimi ekstrem, marrëdhëniet shqiptaro-turke janë zhvilluar në mënyrë të njëtrajtshme, të qëndrueshme duke u konsoliduar dhe përparuar në mënyrë të vazhdueshme.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë post-komuniste, marrëdhëniet me Turqinë janë ndoshta të vetmet që nuk kanë shënuar ulje ngritje, asnjë përplasje, mosmarrëveshje dhe aq më pak ndonjë krizë, fenomene që në fakt kanë shoqëruar marrëdhëniet me shtetet e tjera, përfshirë edhe shtete me të cilat Shqipëria pretendon një marrëdhënie strategjike.

Midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk ka asnjë mosmarrëveshje që mund të dëmtojnë marrëdhëniet dhe klimën e miqësisë që ekziston midis dy popujve. Turqia i ka ofruar Shqipërisë një marrëdhënie të privilegjuar në Ballkan. Turqia ishte vendi i parë që i ofroi ndihmë ekonomisë totalisht të rrënuar të Shqipërisë përmes një kredie prej 13,87 milionë dollarë, më 1991, kur ende në pushtet ishte qeveria komuniste. Turqia ishte vendi i parë me të cilën Shqipëria ka nënshkruar një traktat miqësie dhe bashkëpunimi vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë së parë jokomuniste.

Në tri momente kritike për sovranitetin, sigurinë kombëtare të Shqipërisë: më 1991 me shpërthimin e luftërave në Jugosllavi; me krizën e vitit 1997 që çoi në rënien e shtetit shqiptar; dhe, më 1999, gjatë agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Turqia ka mbështetur pa rezerva Shqipërinë. Në të tria rastet rrezikohej sovraniteti, tërësia territoriale dhe siguria e vendit. Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe që prej vitit 2008 mbështet dhe ndihmon në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Në mënyrë konsistente Turqia ka mbështetur me optimizëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Tipari themelor i marrëdhënieve dypalëshe tipari themelor është dimensioni strategjik. Madje, edhe gjatë Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet me Shqipërinë, Turqia kishte një rol strategjik dhe balancues në Ballkan, në mënyrë të veçantë përsa u takonte marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet fqinje. Me zhvillimet dramatike në fund të viteve ‘90, rikthimin e çështjeve nacionale, shpërthimin e konflikteve, posaçërisht lufta në Kosovë, Turqia dukej se ishte aleati natyral i Shqipërisë.

Në të gjithë trajektoren e zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke gjatë tri dekadave mund të vërehet karakteri strategjik i marrëdhënieve dhe sjellja e Turqisë si një aleat natyral i Shqipërisë. Pikë së pari, kjo mund të vërehet në marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Më 1992, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan një pakt të posaçëm në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. E dalë nga komunizmi me një shtet, ekonomi dhe kapacitete mbrojtëse të falimentuara, Shqipëria që rrezikonte një ballafaqim ushtarak me Serbinë, e kërkoi dhe e mbështeti mbrojtjen dhe sigurinë e saj në një marrëdhënie të veçantë me SHBA, Turqinë dhe vende të tjera anëtare të Aleancës.

Kur lufta shpërtheu në Kosovë, rreziku i përfshirjes së Shqipërisë në konflikt me Jugosllavinë e mbetur të Millosheviqit ishte i afërt, dhe kryeministri i Shqipërisë iu drejtua Turqisë për ndihmë ushtarake. Kësaj kërkese të Shqipërisë, kryeministri i Turqisë, Bulent Ecevit, iu përgjigj se, “Turqia dhe forcat e saj të armatosura ishin të gatshme të mbronin integritetin territorial të Shqipërisë”. Por, karakteri strategjik i marrëdhënieve Shqipëri-Turqi nuk lidhet vetëm me hartën e re gjeopolitike pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe rënien e regjimeve totalitare/autoritariste në Ballkan apo ndryshimet e mëtejshme në këtë hartë.

Gjithashtu, karakteri strategjik nuk është i lidhur vetëm me çështjet e mbrojtjes sigurisë dhe të mbrojtjes. Ekonomitë e të dyja vendeve dhe marrëdhëniet komplekse ekonomike e bëjnë Turqinë një vend të rëndësishëm dhe strategjik. Aktualisht ekzistojnë një numër i madh marrëveshjesh në fushën ekonomike dhe të investimeve dhe, në vitin 2018, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje të re në fushën ekonomike, çka parashikon edhe ngritjen dhe funksionimin e komiteteve të përbashkëta. Në vitin 2019, Turqia ishte një nga katër partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë bashkë me Italinë, Greqinë dhe Kinën, ku volumi i shkëmbimeve tregtare arriti në 512 milionë euro. Turqia është një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Shqipëri.

Turqia renditet si investitori i tretë më i rëndësishëm i Shqipërisë. Prej vitit 2014, investimet turke arritën në 419 milionë euro. Investimet turke përfshijë sektorë strategjikë si energjia, sektori bankar, telekomunikacioni dhe komunikacioni, shëndetësia, arsimi dhe ndërtimi. Shqipëria po përpiqet të ndërtojë flotën e saj ajrore përmes “Air Albania”, me mbështetjen dhe investimin e Turqisë. Po kështu, Turqia është duke investuar në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, aeroporti i tretë ndërkombëtar pas atij të Kukësit që filloi operimet këtë verë. Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, vijoj t’i përmbahem tezës se njëqind vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë në tranzicion. E kaluara dhe e tashmja është një baze e shkëlqyer për të ndërtuar të ardhmen. Konferenca e sotme është një hap tjetër i rëndësishëm në shqyrtimin dhe ndërtimin e debatit për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.