LAJMI I FUNDIT:

Alarm nga ajri i ndotur

Alarm nga ajri i ndotur

Ndotja e ajrit në disa qytete të Kosovës ka arritur në nivel të rrezikshmërisë për shëndetin e qytetarëve. Sipas matjeve zyrtare, me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit po përballet Prishtina, pasuar nga qyteti i Gjilanit, Mitrovica dhe Drenasi.

Matjet online që po bëhen nga Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës dhe Ambasada Amerikane tregojnë që ndotja e ajrit në periudha të caktuara kohore, kryesisht në mëngjes dhe mbrëmje kalon mbi vlerat e lejuara.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i reduktojnë daljet në qytet dhe të mos i hapin dritaret për ajrosje të dhomave në mëngjes dhe mbrëmje.


Era Pireva, zëdhënëse në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion ka vënë edhe rekomandime dhe këshilla shëndetësore për popullatën.

“Masat individuale që duhet të ndërmarrë popullata përveç tjerash janë që personat, të cilët pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë, të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall…”.

“Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik paralajmërojnë dhe alarmojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në shëndet; do të ndikojë në rritjen e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore”, thekson Pireva.

Qytetarët thonë të jenë të shqetësuar për nivelin e ndotjes së ajrit. Adelina, një qytetare nga Prishtina, thotë se institucionet e vendit është dashur të marrin masa konkrete në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Ajri është i ndotur dhe ky po fillon të jetë një shqetësim për të gjithë neve. Si prindër, po mundohem që t’i mbaj brenda fëmijët, por nuk mund të mbyllesh vetëm në shtëpi, kemi obligime dhe na duhet të dalim”, thotë ajo

Gazmendi, i cili jeton në një lagje në periferi të kryeqytetit, thotë se në këtë kohë çdo herë përballen me ajër të ndotur.

“Po çdo herë në këtë koha ne përballemi me këtë ajër të ndotur. Ajri i ndotur vërehet edhe me sy, është pluhur, por ne jetojmë këtu dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë”, thotë ai.

Ndër ndotësit më të mëdhenj në Kosovë konsiderohen: Korporata Energjetike, e cila prodhon energji përmes djegies së qymyrit, përdorimi i tij për ngrohje dhe automjetet e vjetruara.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit ka vënë në alarm institucionet në Kosovë, të cilat thonë të kenë marrë masa për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemi i ndotjes së ajrit është i trashëguar me vite dhe nuk mund të priten rezultate të shpejta.

Megjithatë, ai shton se janë duke u marrë masa për reduktimin e ndotjes së ajrit.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit ka vazhduar me angazhimet e saj dhe ka kërkuar nga ministritë tjera që t’i zbatojnë përgjegjësitë që kanë në këtë linjë. Me kërkesën tonë është marrë vendim nga Qeveria për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike në vend”, thekson Sahiti.

Sahiti bën të ditur se kanë konstatuar se në tregun e Kosovës po shitet në mënyrë ilegale thëngjill i papërpunuar që nxirret nga deponitë ilegale, ku sipas tij, ka pasur edhe konfiskime.

“Në këtë aspekt, kemi konfiskuar disa kamionë që janë duke shitur thëngjill, i cili është mjaft i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Po ashtu, kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të ketë një kontroll më efikas gjatë procesit të importimit të peletit (lëndë djegëse), pasi që një pjesë e sasisë së këtij produkti që importohet në Kosovë, nuk i plotëson kushtet sa i përket nivelit ti të ndotjes. Kemi verifikuar që një pjesë e peletit përmban materie të rrezikshme për qytetarët”, thekson Sahiti.

Për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.