Rëniet e regjimeve totalitare janë ndër proceset më të jashtëzakonshme, me shumë intensitet të dinamikës së zhvillimit të tyre dhe, për pasojë, edhe të të papriturave. Përvjetori i njëzetë e pestë i Partisë Socialiste, rënë tashmë për t’u rrëfyer në duart e vetëmburrësve, pra edhe e shtrembëruesve, na shtrëngon t’i rikthehemi këtij momenti.
Rregulli më elementar i diktaturave në ikje është të bëjnë finte sikur janë shembur përdhe dhe nuk kanë më puls, kanë ngordhur. Dritëro Agolli këto kohë ka folur në mënyrë figurative për një mitër të përgjakur të Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila ka lindur pluralizmin e viteve nëntëdhjetë. Mesazhi që ka dalë dhe ende gjallon pas një çerekshekulli. është po ai: PPSH la Pasardhësin.
Ky nuk është vetëm një person, një individ fillikat. Përbën një grup e mbi të gjitha një mendësi transferimi të pushtetit. Nuk ka nevojë t’i rikujtosh vetes dhe lexuesve se prej kujt mjedisi dhe niveli statusi politik të para nëntëdhjetës kanë ardhur protagonistët kryesorë të Shqipërisë së pas diktaturës. Blloku 2 u krijua nga Blloku 1.
Sigurisht që, mes elitës së PPSH-së gjatë tërë gjysmëshekullit të saj, liberalët qenë rivalizuar me radikalët, eurokomunistët me stalinistët. Ata e vijuan ballafaqimin edhe më pas, ndihet që lëviz edhe tani. Por te gjesti i gjoja ngordhjes së të shkuarës e kemi fjalën për ata që kapen dhe mbërthehen pas pushtetit politik, edhe pse prej tyre nuk kish pse të mos vinin njerëz që do të shërbenin mbarësisht për të ardhmen.
Dy të tillë do të kishim rast (dhe kënaqësi), t’i spikatnim. Këta janë dy shkrimtarë. Politikën e patën pjesë të dytë të jetës së tyre në të shkuarën e para nëntëdhjetës, aspak të lakmuar posaçërisht për karrierë. Kur Dritëro Agolli u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qe një penë e madhe. PPSH e vuri në krye edhe sepse qe vërtet “dash me këmborë”. Poet si ai në shekullin që iku, nuk gjen dot një të dytë. Kur Ismail Kadare po ashtu u caktua prej PPSH-së si nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, ishte një kolos letrar që nderonte emrin shqiptar nëpër botë.
Të dyja postet politiko-honorifike që morën në diktaturën (personale) të proletariatit, dëshmojnë sa figura popullore ishin këta dy shkrimtarë, sa i donim ne në atë kohë të vështirë dhe sa shumë na jepnin besim se gjithsesi regjimit të ashpër, ata qenë pjesa e butë e tij, më njerëzorja, më humania, stina më e bukur e vitit dhe dita më e ngrohtë e saj.
Asnjë turpërim politik nuk mund t’i bëhet Kadaresë apo Agollit për ato detyra që kryen në kohë të zorshme, e papranueshme sidomos kur këtë e bëjnë pasardhës të mendësive të mburrjes se gjatë Luftës së Dytë Botërore ia vlente bashkëpunimi me pushtuesit italianë dhe gjermanë për të marrë Kosovën (që nuk e morën dot).
Ca më pak duket e habitshme, madje është bërë gjë e bezdisshme, vetëqortimi përse je ndodhur, falë talentit tënd si edhe prestigjit të madh popullor, në krye të një organizate të shkrimtarëve apo të popullit.
Ca më tepër Dritëro si kryetar i Lidhjes apo Kadare si nënkryetar i Frontit nuk janë për t’u paraqitur si njolla kur përveç provash të tjera, ke qenë i pranishëm në dy gjeste të mëdha çlirues të tyre si ai i ikjes së Ismail Kadaresë në tetor 1990 dhe fjala e Dritëro Agollit në qershor 1991 në kongresin e 10-të të PPSH-së, prej ku nisi edhe historia e Partisë Socialiste Shqiptare, njërës prej dy qeverisësve të pluralizmit.
Të dyja qenë protesta antidiktatoriale, të cilat, në dobi të historisë tonë, nuk është mirë t’i lexojmë ndryshe, me shpërfillje dhe nënvleftësim se njëri e tejkalon me kompleksin e tij të tjetërsimit të së kaluarës vet në regjimin e shkuar dhe tjetri me plogëtinë karakteristike për të mos qenë agresiv në përmasën e gjurmëlënies në historinë kombëtare.
Gjersa sistemi ynë politik u fut në hullinë e modelit perëndimor dhe në mirëkontrollin e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra kur me gjithë problemet, e mori rrugën e moskthimit mbrapsht, katër ngjarje kanë qenë themelore dhe vendimtare: protesta e hyrjes masive nëpër ambasadat perëndimore, protesta e ikjes së Ismail Kadaresë në Francë, demonstrata studentore e shumëpopullore për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe fjala denoncuese e Dritëro Agollit ndaj Enver Hoxhës në kongresin e fundit të PPSH-së.
Gjithçka tjetër që ndodhi pati rëndësinë e vet, por nuk qe e përmasave si e katër goditjeve të mësipërme. Përfshi këtu edhe 2 prillin 1991 në Shkodër, ku në krim u përfshinë edhe zbulime fqinje që po i gëzoheshin orës së shpagimit jo se Hoxha qe një diktator, por sepse ai bashkë me shokët e vet, përgjegjës realë për çfarë mijëra shqiptarëve u pati ndodhur në një gjysmëshekulli, lakmive shovene ua kishin vënë kufirin te thana.
Nuk duhet të harrojmë: rënia e së shkuarës bolshevike kishte dy opsione, atë paqësore dhe tjetrën, të kobshmen, përgjakjen mes njëri-tjetrit. Për këtë të fundit, fatkeqësisht, punoi në Tiranë edhe drejtuesi operativ i një ambasade të një vendi shumë mik, por demokracitë perëndimore si bashkësi kërkuan dhe gjetën jo vetëm te politikanët e rinj të opozitës, por edhe te të vjetrit, madje edhe anëtarë të Byrosë Politike, pa përjashtuar kurrë Ramiz Alinë, po ashtu me mijëra të tjerë kudo nëpër Shqipëri, në vende kyçe apo ndikuese, aleatë për të kryer kalimin paqësor prej njërit sistem politik te tjetri.
Histori e mrekullueshme ajo që dy shkrimtarët tanë më të spikatur të periudhës realkomuniste u bënë edhe dy faktorët më të mëdhenj transformues të pasdiktaturës. Nuk ishte konvertim, siç bënë jo pak. As Agolli dhe as Kadare, për hir të madhështisë së tyre artistike, nuk kishin nevojë të kameleonin.
Asnjëri prej të dyve, siç tashmë e ka konfirmuar koha, kur projektuan gjestin çlirimtar nuk kaloi më së pari nëpër ndonjë zyrë apo paradhomë pushteti, as këtu dhe as jashtë.
Këto dy çaste, tetori 1990 dhe qershori 1991, qenë edhe majat e cilësisë së tyre të dytë, marrjes me politikë. Më pas, siç edhe patën bërë më hershëm, iu kthyen mjeshtërisë që nuk ka nevojë për t’iu servilosur kurrkujt: krijimit të pavdekshëm letrar.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje