LAJMI I FUNDIT:

Abuzimi (keqpërdorimi) me hormone steroide! Ku është roli i endokrinologut?

Abuzimi (keqpërdorimi) me hormone steroide! Ku është roli i endokrinologut?

Shpesh mund të dëgjojmë për përdorim të pakontrolluar të hormoneve steroide nga të rinjtë tanë, të cilët duan me çdo kusht të arrijnë paraqitjen e tyre fizike dhe në të njëjtën kohë nuk ka ndonjë qëndrim profesional nga institucionet relevante duke filluar që nga Oda e Mjekëve; Oda e Farmacistëve, por edhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private

Ass. Dr.Sci. Merita Emini Sadiku
Interniste-Endokrinologe
Tel: 044 161 069

Në 40 vitet e fundit, shfrytëzimi i steroideve androgjenike është zgjeruar mjaft, fillimisht nga një grup relativisht i vogël i elitës së atletëve deri tek përdorimi i gjerë nga të rinjtë, kryesisht meshkuj, të cilët dëshirojnë të kenë një pamje sa më të theksuar të fizikut të tyre dhe ekspozimit të muskujve. Në fakt, abuzimi me steroide është quajtur edhe “pandemia e fshehur”.


Çka janë hormone steroide anabolike?

Steroidet anabolike janë komponentë të ngjashme me testosteronin dhe kanë efekt të njëjtë kur merren në doza adekuate. Marrja e tyre në doza mbi atë fiziologjike dhe kombinimi me dieta adekuate dhe ushtrimet fizike, janë mjaft efektive në rritjen dhe formësimin e masës muskulore tek meshkujt dhe tek femrat. Androgjenët janë barnat me të popullarizuara të performancës dhe përforcimit të imazhit tek atletët elitarë dhe amatorë.

Në vendet evropiane, steroidet anabolike, siç është testosteroni, mund të sigurohen vetëm në farmaci me përshkrim të mjekut. Megjithatë, androgjenët ilegal janë të lirë dhe lehtësisht gjenden përmes internetit ose furnizuesve lokal. Marrja tipike e steroideve anabolike është nga meshkujt e moshës 20-40 vjeç të cilët merren me peshëngritje, bodybuiding, garat e personave të fortë apo ndryshe të njohura si “strongmen comptetitions” ose artet marciale.

Steroidet anabolike zakonisht merren në cikle, në doza shumëfish më të mëdha se sa doza substitutive normale e meshkujve.

Smit & de Ronde, në studimin e tyre të vitit 2020 kanë konstatuar që sot, në botë, edhepse me steroidet anabolike abuzohet më së shumti në krahasime me hormonet tjera, në rritje janë edhe përdorimi i hormonit të rritjes apo somatotropinës, insulina, gonadotropina korionike humane, modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit, inhibitorët e aromatazës dhe hormonet e tiroides.

Bazuar në të dhëna, në Kosovë ka keqpërdorim të steroideve anabolike dhe, aty-këtu edhe të hormonit të rritjes, përderisa keqpërdorimet e hormoneve të tjera, janë ende të paevidentuara.

Cilat janë efektet anësore të steroideve?

Te gjithë ata që përdorin steroide anabolike, kanë efekte anësore, ndonëse shumica e këtyre efekteve janë mesatare e tranzitore dhe disa të pavërejtura. Një efekt anësorë i paevitueshëm i abuzimit me steroide tek meshkujt është suprimimi i gonadotropinave dhe si rrjedhojë inhibimi i funksionit gonadal. Shenja tjera të abuzimit me steroide janë gjinekomastia, aknet, suprimi i lipoproteinave/kolesterolit me densitet të lartë, suprimimi i globulinës lidhëse të hormoneve seksuale, eritrocitoza dhe trombocitoza.

Shenjat klinike të disfunksionit gonadal vijnë në dukje pas ndërprerjes së injektimeve pasi që bie niveli i androgjenëve, duke rezultuar me anhedonia, disfunksion erektil, humbje të libidos, disponim të keq dhe agjitim. Gati gjysma e atyre që përdorin androgjenët anabolik raportojnë efekte pozitive, sikurse janë rritja e masës muskulore, më pak masë dhjamore, më shumë energji dhe koncentrim më të madh.

Cili është roli i endokrinologut?

Problemin e abuzimit me steroide nuk duhet neglizhuar, por duhet kushtuar vëmendje sa njerëzore aq edhe profesionale. Në vendin tonë, nuk ka ndonjë endokrinolog i cili thirret për të bërë përcjelljen ose shkrimin e këtyre produkteve, të cilat përdoren në veçanti tek atletët dhe sportistët. Ndonëse informatat nuk mungojnë, pse deri më tani nuk ka pasur kërkesa për këshilla dhe ordinime të kontrolluara të këtyre produkteve, duhet parë në disa kënde. E para, personat që marrin këto substanca, dyshojnë apo janë të bindur se mjeket mund të mos kenë informatat e duhura se si duhet vepruar dhe, e dyta, kanë stigmatizim se mos ndoshta mund të mos pranohen nga komuniteti i mjekëve nëse ata tregojnë që marrin këto substanca.

Megjithatë, endokrinologët duhet domosdo të ngritin zërin rreth këtyre problemeve; të merren me trajtimin e pasojave të efekteve anësore dhe abstenimeve, pastaj të dizajnojnë strategjitë e trajtimeve sa më me pak dëmtime, të bazuara në udhërrëfyes profesional dhe të influencojnë në parandalim të disponueshmërisë së abuzimit me barnat hormonale. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori