LAJMI I FUNDIT:

A ka integrim në Bashkimin Evropian me këtë elitë?

Raporti i fundit i BE-së s’tregoi asgjë të re nga fronti i Perëndimit dhe përsëriti në mënyrë të mërzitshme ritualin e rekomandimeve që kurrsesi nuk merren parasysh nga elita aktuale aktorët e së cilës i janë futur, si zakonisht, lojës “ta lashë”. Nga njëra anë kemi qeverinë që s’mban asnjë përgjegjësi për frenimin e integrimit evropian, ndërkohë që në start është vetëquajtur koalicioni i integrimit. Për më tepër ia mvesh gjithë përgjegjësinë opozitës për regres-raportin. Atëherë lind natyrshëm pyetja, nëse me të vërtetë mazhoranca e “integrimit” beson që opozita e jo qeveria është aktori kyç për integrimin, pse ky koalicion nuk del vullnetarisht në opozitë për të zëvendësuar këtë opozitë antievropiane, për ta zhbllokuar procesin e integrimit evropian dhe për ta shpëtuar njëherë e mirë Shqipërinë.

Nga ana tjetër, opozita vazhdon të veprojë duke thënë sa keq po venë punët e vepron qeveria e jo duke ofruar alternativë e platformë për të treguar përse këta janë më të mirë. E ka bërë traditë disavjeçare strategjinë për të bojkotuar e penguar ligje që s’kanë lidhje me politikën e ditës, por që ndikojnë shumë në integrimin evropian. Konkurrim politik me programe virtuale prej njëmijë faqesh ose më saktë të njëmijenjë netëve që nuk bëheshin publike se mos i “kopjonte” kundërshtari. Që i bie që socialistët e dinë ç’është më mirë për Shqipërinë, por me vetëdije nuk e thonë sepse duan ta lënë vendin në tatëpjetë që të diskreditohet qeveria aktuale totalisht e ata të vijnë më lehtësisht në pushtet. Një deja vu kjo e socialistëve të vitit 1996 që fërkonin duart kur shihnin Shqipërinë tek shkonte në humnerën ekonomike prej firmave piramidale, sepse prisnin që faturën ta merrte qeveria e PD dhe popullsia të ngrihej për ta ndëshkuar.

Një ndër problemet tipike me analizat apo debatet politike në Shqipëri është se ato ndikohen kryesisht nga mendimi tradicional politik i vendeve të kontinentit evropian dhe nuk e përdorin fare qasjen e zgjedhjes publike (public choice) që mbizotëron në SHBA dhe që i shpjegon më mirë zhvillimet politike. Kjo teori aplikon instrumentet e ekonomisë moderne për të analizuar politikën dhe sipas saj qeveritë dhe aktorët politikë veprojnë kryesisht për interesat e tyre të ngushta pra politikë pa romantizëm, siç e quan James Buchanan, një ndër eksponentët kryesorë të kësaj teorie. Duke e nisur analizën nga qasja e zgjedhjes publike del qartazi që në fillim se aktorët tanë kryesorë politikë përfitojnë bollshëm nga status quo-ja e për rrjedhojë nuk u leverdis aspak anëtarësimi në BE. Gjukanoviç u detyrua të largohej nga posti i Kryeministrit të Malit të Zi për të zhbllokuar integrimin e vendit dhe si kosto për të siguruar statusin e kandidatit. A ka lider politik në Shqipëri të bëj kësilloj veprimesh për hir të integrimit të shtetit kur deri tani kanë dëshmuar se kanë qenë të gatshëm për ta çuar vendin drejt vëllavrasjes për hir të pushtetit.


Procesi i përmbushjes së kushteve që na janë vënë për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së dhe mandej detyrimet që dalin prej të qenit anëtare jo thjesht dëmtojnë, por i përmbysin interesat e quasi-oligarkisë shqiptare. Mjafton të shihet ç’ndodhi me Kroacinë për të kuptuar rrezikun që nuhasin politikanët shqiptarë dhe motivimin që kanë për ta ndalur procesin e integrimit dhe për ta mbajtur vendin në moçale. Ivo Sanader u bë ndër viktimat e para që e pësoi prej reformave proevropiane që ai vetë ndërmori dhe vuri në jetë. Sidomos kur bëhet fjalë për gjyqësorin, ishin reformat radikale që e bënë drejtësinë kroate efikase dhe të pavarur dhe që e çuan Kroacinë përpara drejt anëtarësisht. Mandej ishte ky sistem i evropianizuar që e shtiu pas shufrave të burgut. Mund të imagjinohet se si do të transferohej një pjesë e mirë e Parlamentit tonë në qelitë e burgjeve të Kosovës dhe Shënkollit po të kishte një sistem drejtësie të ndershëm dhe efikas Shqipëria.

Integrimi në BE nënkupton pikërisht përmbushjen e kriterit për instalimin e sundimit të ligjit dhe transferimin e një pjese të autoritetit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian që do të thotë ryshfetet, kërcënimet apo presionet politike që janë të përditshme në Shqipëri ndaj gjykatave të niveleve të ndryshme s’do pinë më shumë ujë. Çështje delikate me përlyerje politike si abuzimet e rrugës së kombit, Gërdeci apo 21 Janari do të dilnin më lehtë në shesh e pandëshkueshmëria gradualisht do merrte fund.

Në aspektin politik, nëse do të ishim anëtarë, arroganca apo lajthitjet e pushtetarëve do të thyenin keq hundët prej Brukselit sikurse ndodhi me Meçarin në Sllovaki dhe Hajderin në Austri të cilëve iu vu bërryli prej trysnisë së BE-së. Mbi 70% e legjislacionit dhe rregullave që prekin jetën e qytetarit të BE-së vendosen në Parlamentin Evropian dhe kjo do të thoshte për kastën politike shqiptare që s’do kenë mundësi të bëjnë ligje apo rregulla që favorizojnë kompanitë e tyre apo të partnerëve të tyre dhe që penalizojnë në mënyrë abuzive e arbitrare rivalët. Futja në tregun e përbashkët të BE do të thotë shembje e monopoleve ekonomike që kanë mbështetje politike, çarmatosje e praktikave korruptive me referencat dhe koklavitjet procedurale të doganierëve dhe tatimorëve në Shqipëri, si dhe minimizimin e pushtetit dhe mundësive që kanë qeveritarët shqiptarë për mitmarrje dhe favorizim politik nëpërmjet licencave.

Monopolet e instaluara në sektorë të ndryshëm do të konkurroheshin lirshëm nga aktorë të panumërt të BE-së që do të çonte uljen e çmimeve dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve që janë në ofertë për qytetarët shqiptarë. Me pak fjalë, ecja përpara në procesin e integrimit do të thotë instalim i disa standardeve të sundimit të ligjit, mirëfunksionimit të demokracisë dhe konkurrencës së lirë në treg që do të dëmtonin ndjeshëm statusin e siguruar, privilegjet e akumuluara dhe abuzimet e mundshme të elitës aktuale politike. Anëtarësimi pastaj do e hapte në mënyrë të skajshme Shqipërinë ndaj pjesës tjetër të Evropës dhe do ta largonte një pjesë të mirë të pushtetit prej Tiranës në Bruksel, duke e dobësuar ndjeshëm klikën aktuale politike shqiptare. Prandaj kjo klikë edhe preferon që vendin tonë ta mbaj të paintegruar duke ndjekur një model amerikano-latin e jo atë mbarëevropian. Establishmenti aktual politik është natyrshëm anti-integrim dhe vështirë se ndryshohet pasi interesat i ka të çimentuara te status-quo-ja, e vetmja zgjidhje është që ky establishment gradualisht të zëvendësohet.