LAJMI I FUNDIT:

Certifikohen 233 fermerë të rajonit të Mitrovicës

Certifikohen 233 fermerë të rajonit të Mitrovicës

Gjithsej 233 fermerë të rajonit të Mitrovicës janë certifikuar të premten gjatë ceremonisë së certifikimit të grupeve të fermerëve dhe grave rurale në kuadër të projektit "Promovimi i bujqësisë - hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të frutave në rajonin e Mitrovicës", të financuar nga Bashkimi Evropian.

Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), ka thënë se ky projekt ka krijuar platformën për politikëbërje pjesëmarrëse për rigjenerim ekonomik, krijimin e vendeve të punës, pajtimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. “Projekti ka krijuar qendra demonstruese bujqësore në të cilat trajnohen fermerët e rajonit mbi praktikat e avancuara të farmingut”, ka thënë Bunjaku, duke përmendur model fermën e lopëve qumështore në fshatin Dolak të Vushtrrisë, pastaj model fermën e dhive në Kutllovc të Mitrovicës.

Ai theksoi në lidhje me model fermën e dhive në fshatin Kutllovc se përfituesi i kësaj ferme, Ganimete Abazi me bashkëshortin Januz Abazi, kanë përfituar pajisjet dhe materialin ndërtimor për ndërtimin e fermës në vlerë prej rreth 42 mijë euro, e cila do të ketë kapacitetin e mbajtjes për 100 dhi dhe do të shërbejë si model për fermerët e rajonit të Mitrovicës të cilët merren me këtë veprimtari, raporton Kosovapress.

Bajram Imeri, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë foli për bashkëpunimin e mirë mes Ministrisë së Bujqësisë dhe IADK-së. Ai tha se skemat mbështetëse të bujqësisë veç sa janë zgjeruar deri tani, ndërsa sa i përket fermave model, kërkesat janë të mëdha që në të ardhmen të ketë sa më shumë ferma të tilla.


Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, falënderoi Këshillin Evropian, pa ndihmën e së cilës, siç tha ai, nuk do të mund të arriheshin këto rezultate në këtë sektor. “Me angazhimet e juaja keni bërë që të mendohet krejtësisht ndryshe sa i përket zhvillimit ekonomik në rajonin e Mitroovicës”, tha Kastrati, duke shtuar se IADK-ja është duke ndihmuar shumë qytetarët në zhvillimin e bujqësisë. /Telegrafi/