LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Shqipëria përkthejnë bashkë legjislacionin e BE-së

Kosova dhe Shqipëria përkthejnë bashkë legjislacionin e BE-së

Kosova dhe Shqipëria janë marrë vesh për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të Integrimit, në një numër të çështjeve të rëndësishme siç është shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Evropian dhe përkthimi i legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Kjo është arritur në kuadër të vizitës shtetërore në Tiranë, gjatë ditës së sotme, ku ministri për Integrime i Kosovës, Bekim Çollaku dhe Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Teuta Sahatqija, u pritën nga ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha për të diskutuar për proceset e përgjithshme politike në Kosovë dhe Shqipëri, me theks të veçantë për procesin e integrimit Evropian, dhe mundësitë e avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Me ministren Gjosha më në detaje u diskutua procesi i Stabilizim Asoccimit të Kosovës, në veçanti Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Ministrja Gjosha e njoftoj Ministrin Çollaku për përvojën e Shqipërisë në kuadër të MSA-së.


Poashtu, u diskutua procesi i liberalizimit të vizave pasi që është prioriteti kryesor për Qeverinë e Kosovës. Kosova në këtë drejtim ka vazhduar të punoj në të gjitha kërkesat e Dialogut të Liberalizimit të Vizave dhe është paraparë që të dyfishohen përpjekjet tani që procesi ka arritur në fazën përfundimtare.

“Shqipëria është vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe së shpejti presim që Shqipëria të filloj negociatat për anëtarësim. Në këtë drejtim, e falënderova Ministren Gjosha për përkushtimin që të krijojmë mundësitë që përvoja dhe njohuritë e institucioneve të Shqipërisë t’i transferohen institucioneve të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit Evropian”, ka thënë Çollaku.

Nga ana e sajë ministrja Gjosha tha se "Shqipëria në këtë fazë gjendet në një pozitë mjaftë të favorshme për të qenë zëri përkrahës i Kosovës në kuadër të Integrimit të saj në BE si dhe në nisma rajonale.

“Në këtë drejtim, ministria që unë udhëheq mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj integrues", tha ajo. /Telegrafi/