LAJMI I FUNDIT:

Ruli: Interesi ekonomik është i ndërsjellë

Ruli: Interesi ekonomik është i ndërsjellë

“Ekonomitë e dy vendeve tona janë dy ekonomi që kanë nevojë për bashkëpunim të ndërsjellë, kurse në kuadër të këtij bashkëpunimi, interesat e tyre mund t’i kenë edhe bizneset në Kosovë dhe Shqipëri”, kështu u shpreh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë, Genc Ruli gjatë takimit që kishte të martën me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shalën.

Në këtë takim Ministri Ahmet Shala dhe homologu i tij, Ministri Genc Ruli, biseduan për bashkëpunimin e ndërsjellët ekonomik të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë .

“Tani si dy shtete mund t’i ndihmojmë njëra-tjetrës në sfera të ndryshme, në këshilla dhe përvoja, të cilat janë të nevojshme për të ardhmen më të mirë në regjion. Besoj se në fushën e politikave të përbashkëta do të kemi hapa konkret, sidomos në ate të ekonomisë për të siguruar një ambient më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve në mes të dy vendeve”, tha Ministri Shala.

Ndërsa, ministri Ruli dukeë e vlerësuar vizitën bërë venndit tonë si mjaft të rëndësishme , tha se Shqipëria me Kosovën tash si dy shtete janë në fazën e parë të bashkëpunimit, qoftë në këmbimin e përvojave, qoftë në hapat konkret të investimeve për një zhvillim ekonomik më të hovshëm.


Në takimin mes Shalës dhe Rulit, u bisedua edhe për bashkërendimin e veprimeve në mes të dy shteteve për të ndihmuar Kosovën për anëtarësim në institucionet financiare ndërkombëtare. Gjithashtu u bisedua edhe për projektet e përbashkëta në fushën e taksave dhe të politikave integruese, si dhe në fusha të tjera të ekonomisë.

Ndryshe, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë, Genc Ruli, po qëndron në Kosovë në një vizitë treditore i ftuar nga ministrja e Energjetikës dhe minierave, Justina Shiroka – Pula. /Telegrafi/