LAJMI I FUNDIT:

Ndërsa bisedimet për paqen në Ukrainë vazhdojnë, Putini është ai që mban të gjitha kartat në dorë

Ndërsa bisedimet për paqen në Ukrainë vazhdojnë, Putini është ai që mban të gjitha kartat në dorë
Ilustrim

Nga: Mark Almond / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

I dërguari i posaçëm i Donald Trumpit për negociatat me Rusinë në lidhje me Ukrainën, Steve Witkoff, është përbuzur nga vëzhguesit veteranë të Ukrainës për injorancën e tij për terrenin që ai me sa duket është gati të ndajë me Vladimir Putinin.

Kur nën kërcënimin e armëve Rusia organizoi referendume në Ukrainën juglindore, në vitin 2022, Witkoff i quajti ato “shprehje legjitime” të vullnetit popullor. Në realitet, ushtria ruse nuk i kishte nën kontroll të gjitha rajonet që Putini formalisht po i aneksonte – madje humbi një pjesë të madhe të rajonit të Hersonit vetëm disa ditë më vonë.


Kushdo që kujton vizitën tepër të turpshme të Liz Trussit në Moskë, pak para luftës – kur, me kujdesin e saj të zakonshëm për detaje, ngatërroi territorin rus me atë ukrainas – e di që injoranca që vjen nga vetëbesimi nuk është monopol amerikan. Por, mos e përqeshni shumë shpejt Witkoffin, sado që të jetë i gabuar në fakte. Kujtoni se Witkoff është si erëtregues – që tregon perspektivën globale të një grupi të fuqishëm përkrahësish të Trumpit.

Një interpretim dashamirës i qasjes së lirshme të Witkoffit ndaj realitetit ukrainas mund të jetë se ai shqetësohet vetëm për arritjen e një marrëveshjeje – jo për të kaluar një provim mbi studimet e fundit të konflikteve. Dhe, përkëdhelja e sedrës së presidentit Putin, duke përsëritur argumentet ruse, është ajo që amerikanët që përkrahin revolucionin e politikës së jashtme të Trumpit, mund ta quajnë “të mendosh jashtë kornizës”.

E sikletshme? Po – por, diplomatike? Ndoshta. Ekziston, në fund të fundit, një dallim thelbësor midis mosinteresimit të një superfuqie për faktet e papërshtatshme në terren dhe pafuqisë së diplomacisë së ditur të botës së vjetër: Uashingtoni mund ta formësojë realitetin përmes forcës dhe frikësimit, ndërsa evropianët kanë pak diçka më shumë se shpresën se bindja morale do të bëjë mrekulli.

Kështu që, sado që britanikët janë të zemëruar nga përçmimi i Witkoffit ndaj takimeve të Keir Starmerit me liderë evropianë dhe shefa ushtarakë për një forcë paqeruajtëse, duhet ta pyesim veten: a kishte vërtet gabim në atë pikë?

Në fund të fundit, ndonëse Starmeri dhe Emmanuel Macroni janë përpjekur t’i drejtojnë anëtarët evropianë të NATO-s drejt mbështetjes së një force monitorimi të vijës së armëpushimit, lojtarë të mundshëm të mëdhenj, si Italia dhe Spanja, e kanë refuzuar atë. Giorgia Meloni e Italisë nuk ka asnjë dëshirë të përçahet me Trumpin, agjenda e brendshme “anti-zgjim” e të cilit pasqyron luftën e saj kulturore në Itali, ndërsa Pedro Sanchez i Spanjës drejton një vend që është larg vijës së frontit ruso-ukrainas dhe ka një traditë të fortë pacifiste të qendrës së majtë.

Jo vetëm që aleatët evropianë të Amerikës po ndahen nga Uashingtoni i Trumpit: ata janë të përçarë edhe mes vete. Mund të jenë të bashkuar në dënimin e agresionit rus dhe të qasjes pajtuese të Trumpit në ndërmjetësim, por mospajtimet e tyre mbi atë që duhet bërë e konfirmojnë bindjen e administratës amerikane se arritja e marrëveshjeve të mëdha me autoritarë si Putini, apo me mikpritësit sauditë të bisedimeve për Ukrainën, është rruga që duhet ndjekur – më tepër sesa përpjekja për të mbajtur në vijë një ushtri “aleatësh” që grinden.

Aleatët që nuk kontribuojnë shumë – edhe kur bien dakord për politikën – mund të shpërfillen plotësisht.

Të kthehemi te Riadi: pas një perdeje tymi bisedimesh për “detaje teknike” në kryeqytetin saudit, me shumë gjasë po zhvillohen bisedat e fshehta për çështjet e mëdha të marrëveshjes së paqes. Pyetja është: a do ta pranojë Putini nxitimin e Trumpit për paqe – apo mendon se negociatat e zgjatura mund t’i shërbejnë më mirë qëllimit të Kremlinit për ta dobësuar përfundimisht Ukrainën?

Nëse mediat ruse po lavdërojnë Witkoffin se çmon “sinqeritetin” e Putinit, gazetat ukrainase po mendojnë nëse vendi i tyre do të përfundojë si Vietnami i Jugut – i braktisur nga Uashingtoni 50 vjet më parë.

Amerika është e vetmja superfuqi që mbijeton – madje lulëzon – edhe kur aleatët e saj bien si domino. /Telegrafi/