LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia kulturore

Diplomacia kulturore

Diplomacia kulturore është një mjet i fuqishëm për të ndërtuar ura komunikimi midis shteteve, duke përdorur artin, kulturën dhe trashëgiminë si forma të buta të ndikimit në arenën ndërkombëtare. Kjo lloj diplomacie nuk kufizohet vetëm në shkëmbimet artistike, por përshkon rrjetëzimin ekonomik, promovimin e identitetit kombëtar (të papërfunduar në Kosovë) dhe krijimin e bashkëpunimeve strategjike. Për Kosovën, një shtet i vogël me potencial të madh kulturor, diplomacia kulturore mund të jetë një rrugë e fuqishme për të rritur ndikimin e saj në botë.

Për Kosovën, e cila ende po kërkon të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar, diplomacia kulturore do të kishte disa përfitime kyçe, si:

– Forcimi i identitetit kombëtar (me përkufizime te reja): Promovimi i artit dhe kulturës shqiptare/kosovare ndihmon në ndërtimin e një identiteti të fortë dhe unik që do ta diferenconte Kosovën nga shtetet tjera.


– Përfaqësimi ndërkombëtar: Pjesëmarrja aktive e artistëve dhe intelektualëve kosovarë në ekspozita, festivale dhe konferenca botërore e vendos Kosovën në skenën kulturore globale.

– Përfitime ekonomike dhe rrjetëzim: Diplomacia kulturore mund të shërbejë edhe si mjet për të krijuar lidhje të reja biznesi dhe investimesh strategjike.

– Forcimi i marrëdhënieve bilaterale: Shkëmbimet kulturore mund të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me vende të ndryshme. Kjo pikë mund të krijojë ura lidhëse edhe me shtetet që Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Shembuj historik që mund të shërbejnë si model për Kosovën:

– “Rilindja e Harlemit“, një lëvizje kulturore në ShBA në vitet ’20 të shekullit XX, e cila ndihmoi komunitetin afro-amerikan të rikonceptonte identitetin e tij dhe të fitonte njohje ndërkombëtare. Ky model mund të përshtatet për Kosovën duke promovuar artistët dhe kulturën vendase në skenën globale.

– Projekti “1% për artin” në ShBA, ku një për qind  e fondeve të ndërtimit të objekteve publike shkon për art, ka transformuar qytetet dhe ka rritur ekonominë kreative. Një model i ngjashëm mund të aplikohet në Kosovë dhe Shqipëri për të integruar artin në hapësirat publike dhe institucionet shtetërore por edhe në përfaqësitë e tyre diplomatike në botë. Besoj që këto dy vende kanë arritur pikën kulmore për të investuar edhe në këtë drejtim.

Kosova dhe Shqipëria kanë një diasporë të madhe artistike të shpërndarë në mbarë botën. Artistët shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria kanë treguar që talenti shqiptar mund të depërtojë në skenat më të njohura botërore. Një strategji e mirëpërcaktuar do të mundësonte krijimin e rrjeteve të fuqishme kulturore, duke ndihmuar artistët të promovojnë një imazh pozitiv të Kosovës/ Shqipërisë nëpër botë – me ekspozita internacionale të përcjella nga faktori diplomatik i të të dya vendeve.

– Pilotprojekti në Konsullatën e Kosovës në Hamburg është një shembull konkret i diplomacisë kulturore : projekt i realizuar si koncept integral arti brenda Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg në Gjermani. Ky projekt, që mund të quhet një pilot-model, ka transformuar konsullatën në një hapësirë artistike ku prezantohen vepra të artistëve kosovarë. Kjo qasje krijon një mjedis diplomatik inovativ dhe inkurajon rrjetëzimin me artistë, biznese – me gjasë krijimin e një atmosfere të përshtatshme për investim si dhe diplomaci të huaj. Ky model mund të shtrihet në pjesën më të madhe të përfaqësive diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke u kthyer në një urë komunikimi kulturor por edhe ekonomik.

– Aspekti ekonomik dhe rrjetëzimi me botën e bizneseve: Diplomacia kulturore nuk është vetëm një akt promovimi kulturor, por gjithashtu një mekanizëm i fuqishëm për tërheqjen e investimeve strategjike. Një bashkëpunim i ngushtë midis artistëve, institucioneve dhe sektorit privat do të mundësonte krijimin fondacioneve dhe ekspozitave me mbështetje financiare nga korporatat dhe investitorët – projekte të integruara artistike që sjellin vlera të reja ekonomike për shoqërine por edhe për vendin. Më tej, i gjithë ky angazhim do t’i printe nxitjes së turizmit kulturor, duke e vendosur Kosovën dhe Shqipërinë në hartën e destinacioneve kulturore globale

Diplomacia kulturore është një mekanizëm e pazëvendësueshëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare, në këtë rast të Kosovës, duke shfrytëzuar potencialin e artistëve dhe trashëgimisë kulturore. Me këtë rast Kosova, mund të krijojë lidhje të reja diplomatike, ekonomike dhe kulturore që e ndihmojnë të integrohet më fuqishëm në botën e popujve më të avancuar në aspektin kulturor, por edhe atë diplomatik dhe ekonomik.