Intervistë ekskluzive me veprimtaren dhe humanisten e njohur jo vetëm në Zvicër, Valdete Hoti, bashkëthemeluese, kryetare e Shoqatës ‘Parandalo’ dhe këshilluese e koordinatore
Intervistoi: PhD. Dashnim Hebibi
Valdetja ka diplomuar në Degën e Dizajnit Grafik në Shkollën e Lartë të Artit dhe Dizajnit në Cyrih. Me provojë shumëvjeçare në këshillime, përkthime, ndërmjetësime, përcjellje dhe mbështetje në çështje administrative, është njohëse e mirë e sistemeve sociale, juridike, shëndetësore, arsimore dhe shoqërore në Zvicër.
“Sa i përket ruajtjes së traditës kombëtare, gjeneratës së re i mungojnë njohuritë e thella rreth historisë së fundit, për luftën dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, por edhe për luftën në Kosovën Lindore dhe në Maqedoninë e Veriut. Të rinjtë nuk kanë pasur mundësi të mësojnë në librat shkollorë këtë histori, pasi që nuk shkruhet asgjë rreth luftërave të fundit që ka përjetuar populli shqiptar. Kjo nuk është aspak e mirë se pikërisht rinia jonë ka nevojë të avancohet, vetëdijesohet dhe ta vlerësojë e ruajë lirinë dhe ta dojë atdheun”, na tha, ndër të tjera, veprimtarja e njohur, Valdete Hoti.
Ju lutem të na përshkruani profilin tuaj! Me se merreni? Çfarë profesioni keni?
Quhem Valdete Hoti, e lindur në vitin 1979, në Gjilan, si fëmija i parë i Sherifes dhe Bajramit. U rrita në familjen time të madhe në Lagjen “Muhaxher“ në Fshatin Hodonoc të Kumunës së Kamenicës, deri në moshën 12 vjeçare. Paraardhësit e mi ishin dëbuar në vitet 1878 nga Bajra, Sanxhaku i Nishit te Molla e Kuqe. Prandaj, dhe në Fshatin Hodonoc ishim dhe akoma trajtohemi si të huaj, gjegjësisht si muhaxherë. Me profesion jam dizajnere e grafikës dhe ndërmjetësuese/përkthyese ndërkulturore. Për më shumë se dy dekada jam aktive në projekte e shoqata të ndryshme. Kam provojë shumëvjeçare në këshillime, përkthime, ndërmjetësime, përcjellje dhe mbështetje në çështje administrative, pasi qe jam njohëse e mirë e sistemeve sociale, juridike, shëndetsore, arsimore dhe shoqërore në Zvicër. Kam marrë pjesë në trajnime dhe seminare të ndryshme në Zvicër. E flas gjuhën shqipe dhe gjermane rrjedhshëm. Nga viti 2011 jam bashkëthemeluese dhe kryetare e Shoqatës ‘Parandalo’, kurse në Qendrën ‘Parandalo’ në Cyrih jam këshilluse dhe koordinatore.
Na tregoni, ju lutem, kur keni migruar në Zvicër?
Së bashku më nënën, motrën, Valentinën dhe dy vëllezërit, Samirin e Visarin, erdhëm në Zvicër, në vitin 1992 pranë babait që punonte dhe jetonte në Cyrih që nga vitet e ‘80-ta. Babai im dhe dy vëllezërit e tij, ishin gjenerata e dytë në Zvicër, pasi gjyshi im, Ramadan Hoti, kishte migruar në Zvicër qysh në fillim të viteve ‘70-ta. Në Cyrih e vazhdova shkollimin, pavarësisht sëmundjes sime të distrofisë progresive muskulore dhe nevojës për përdorimin e karrocës së dorës. Më pas u bë e nevojshme përdorimi i karrocës elektrike, kështu arrita të studioja e diplomoja në Degën e Dizajnit Grafik në Shkollën e Lartë të Artit dhe Dizajnit në Cyrih.
Si e kujtoni veten gjatë ditëve të para në Zvicër?
Në Zvicër erdhëm edhe në vitin 1992, si vite më parë, vetëm për pushime te babi. Por, gjendja e keqësuar në Kosovë dhe fillimi i luftës në Bosnje i detyroi prindërit që të marrin vendim se ku do të jetonim më tutje. Në fillim i kam fajësuar prindërit pse kanë marrë vendim pa na pyetur neve, fëmijëve, që të jetonim në Zvicër. Pasi që këtu ndjehesha e huaj, larg rrethit familjar e shoqërisë nuk ishte lehtë fare të pajtohesha me fatin e ri. Me fillimin e shkollës, pavarësisht vështirësive shëndetësore që kisha, u hap një horizont i ri për mua. Pasi që klasën e gjashtë në Kosovë nuk munda ta vijoja për shkak të gjendjes sime shëndetësore, ecja mu vështirësua dhe ngjitja e shkallëve të autobusit nuk ishte më e mundur për mua. Në këto rrethana, u ndërpre shkollimi im në Kosovë. Por, situata ndryshoi totalisht në Cyrih, sepse mundësitë ishin ndryshe.
Së pari, udhëtimi për në shkollë u organizua me taksi. Në shkollë kishte lift dhe mësuesja organizoi që shoqet e shokët e klasës të më ndihmonin në bartjen e çantës shkollore. Aty, klasa ishte e mbushur me të rinj me prejardhje nga vendet e ndryshme të botës, të cilët mësonim për herë të parë gjuhën gjermane. Në këtë periudhë filluan trajtimet e para mjekësore, ku mora diagnozën që kisha një sëmundje progresive muskulore. Do të thotë që muskujt, gradualisht vinin duke e humbur fuqinë vetvetiu dhe kjo sëmundje është e pashërueshme.
Ky ishte një lajm shumë i rëndë për prindërit, për mua edhe për tërë familjen tonë. Për këtë arsye e vazhdova shkollimin më tutje në Qendrën e Rehabilitimit të Spitalit të Fëmijëve në Cyrih. Aty kam qëndruar për katër vite me radhë deri në përfundimin e klasës së nëntë dhe isha në trajtim të rregullt terapeutik. Vetëm gjatë fundjavës kthehesha në familje. Ishte hera e parë që u largova dhe qëndroja larg familjes, prandaj përjetova mallin e madh për familjen dhe për vendlindjen. Hasa në vështirësi e sfida të ndryshme, duke filluar me ushqimin që nuk më pëlqente fare dhe nuk ishte ashtu si isha mësuar me ushqimet e sofrës sonë shqiptare. Pastaj, ballafaqimi me veten dhe sëmundjen, se si më tutje ishte një kohë shumë emocionuese dhe sfiduese për mua dhe familjen time. Kjo situatë u bë edhe më e rëndë për familjen time kur u diagnostifikuan edhe motra e vëllai me të njëjtën sëmundje.
Ka qenë shumë e rëndë dhe sfiduese për familjen time, por prapë se prapë, prindërit kanë gjetur gjithnjë forcë për të na mbështetur, motivuar edhe për të na lehtësuar rrugëtimin e jetës sonë. Gjatë periudhës që qëndroja në qendrën e rehabilitimit, zbulova te vetja dhuntinë dhe dashurinë për artin dhe arrita të regjistrohesha në Shkollën e Arteve dhe Dizajnit në Cyrih, me përkrahjen e mësuesve që i kisha aty. Nga ajo kohë, ende vazhdoj miqësi me shoqe e shokë që kisha dhe kujdestarët përgjegjës deri më tani, të cilët më kanë mbështetur tërë kohën dhe më kanë përcjellë gjatë jetës sime.
Në atë qendër hyra me lot në sy dhe pas katër vite e lashë me lot në sy.
Aty fitova një vetëbesim dhe u mësova të pajtohesha me fatin tim, me sëmundjen muskulore dhe me parashikimet e atëhershme mjekësore se kisha për të jetuar vetëm edhe ca vite. Por, Zoti më kishte caktuar një rrugëtim tjetër të jetës që unë të jetoj ende. Nga kjo kohë kam filluar të jetoja e të shijoja secilin moment, të gëzohesha për gjëra të vogla e të thjeshta në jetë dhe të kërkoja një rrugëdalje për çdo sfidë në jetë.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Jeta në mes së dy kulturave, me sfida të ndryshme jetësore edhe si një e huaj, femër dhe me aftësi fizike të kufizuara, më ka mësuar që në jetë të luftoj për të drejtat e barabarta në shoqëri. Çdo vështirësi e pranoj si një sfidë të radhës, për të cilën duhet kërkuar një zgjidhje apo rrugëdalje. Nga kjo rrjedh motivimi im për angazhimin tim shumëvjeçare në shoqëri. Këto përvoja jetësore më kanë shtyrë që të jem më e fuqishme, aktive dhe të filloj të kontribuoj qysh para 25 viteve në Projektin ‘Shpresa’, së bashku me Annelies&Peter Schneller dhe Shukrije Ramadanin. Në kuadër të projektit ‘Shpresa’, u organizuan operacione të ndryshme dhe rregullimi i protezave, të cilat nuk mund të kryheshin aso kohe në Kosovën e pasluftës, kryesisht për luftëtarët e lirisë. Këtij projekti i është bashkëngjitur, pastaj, Xhemal Selimi, veteran luftëtar i lirisë dhe i plagosur gjatë luftës, si edhe shumë vullnetare e vullnetarë tjerë. Baza kryesore për mua ka qenë dhe është familja ime, e cila kontribuon, më shtytë mua dhe më mbështetë në këtë rrugëtim, duke u bërë pjesë e pandashme e këtij projekti. Ajo ka ofruar ndihmë aktive në shumicën e rasteve, pavarësisht se ne ishim tre nga katër fëmijët të ulur në karroca.
Mendoj që pikërisht për këtë arsye, ata kanë qenë më të senzibilizuar për nevojat e luftëtarëve të lirisë së kombit, të cilët ishin të lënduar dhe kishin humbur gjymtyrët e trupit gjatë luftës. Tani, edhe pse aktiviteti i Projektit ‘Shpresa’, zyrtarisht është përmbyllur, me shokun e jetës, Xhemal Selimin, vazhdojmë ende në mënyrë individuale të ndihmojmë edhe më tutje me shokët e tanë, miqtë e familjes. Ndihmojmë, pasi që plagët e marra gjatë luftës dhe humbjet e gjymtyrëve trupore janë të përjetshme. Protezat apo mjetet tjera ndihmëse duhen të përshtaten dhe të rregullohen herë pas here. Prandaj, kërkohet në vazhdimësi, së pari kujdesi dhe mbështetja institucionale, ashtu edhe mbështetja jonë si shoqëri ndaj luftëtarëve të lirisë, familjet e dëshmorëve, por edhe e secilës viktimë të luftës për lirinë e kombit.
Përveç aktivitetit vullnetar, në kuadër të Projektit ‘Shpresa’, kam punuar e pavarur në profesion dhe nga vitin 2005 për mbi 20 vite si përkthyese ndërkulturor dhe kam qenë për 14 vite anëtare e kryesisë në Qendrën për Jetë të Pavarur në Zvicër ‘Zentrum für Selbstbestimmtes Leben Schweiz’.
Në këtë qendër jam angazhuar me qëllim që të largohen barrierat dhe të luftohet diskriminimi në shoqëri, gjerësisht në Zvicër, që hasim në përditshmëri njerëzit me aftësi të kufizuara.
Aty jemi angazhuar një kohë të gjatë, në mënyrë ligjore, për asistencë personale që të financohet nga sigurimi invalidor, i cili, pas një faze pilot projekti, ka hyrë në fuqi në vitin 2012. Nga viti 2005, unë jetoj me asistencë personale, e cila më mundëson një jetë të pavarur në shoqëri. Në vazhdimësi të angazhimit të përbashkët në Projektin ‘Shpresa’, unë iu bashkëngjita iniciativës së Xhemal Selimit (luftëtar i lirisë dhe i plagosur gjatë luftës), në themelimin e Shoqatës ‘Parandalo’.
Shoqata “Parandalo” u themelua më 11 shtator 2011 nga komuniteti shqiptaro – zviceran. Si bashkëthemeluese dhe kryetare e Shoqatës ‘Parandalo’, angazhohem me përvojat e mia të ndryshme jetësore në sensibilizimin dhe afirmimin, që së bashku të zgjidhim çështjet e ndryshme sfiduese në shoqëri.
Motoja e Shoqatës ‘Parandalo’ është “Më mirë të parandalojmë se të shërojmë”.
Prandaj angazhohemi me kryesinë e saj për parandalimin e konflikteve, dhunës, varësisë dhe dukurive të ndryshme negative në shoqëri, përmes organizimeve të ligjëratave, debateve në panel dhe aktiviteteve të tjera, kryesisht në Qytetin e Cyrihut dhe të Baselit.
Në 5 vjetorin e themelimit të shoqatës janë organizuar, për herë të parë, katër ligjërata për parandalimin e varësisë së lojërave të fatit dhe mediumeve në Viti, Gjilan dhe Ferizaj, qytete në lindje të Kosovës (në Anamoravë). Në vitin 2019, Shoqata ‘Parandalo’ hapi qendrën e saj në Cyrih, që kishte synim të ofronte shërbime të ndryshme dhe të jetë një vendtakim për njerëzit me prejardhje migrimi në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicës.Në këtë vend merren parasysh nevojat dhe sfidat individuale të secilit, ku mbështetet rrugëtimi i tyre për të drejta, pjesëmarrje dhe mundësi të barabarta në shoqëri. Me qëllim që së bashku të zgjidhen çështjet e ndryshme e sfiduese në shoqëri. Tani, ‘Parandalo’ luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vetëvendosjes dhe mundësive të barabarta për njerëzit me prejardhje migrantëve, veçanërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara. Barazia dhe qasja në shoqëri arrihen vetëm me njohjen e të drejtave dhe të mundësive të barabarta.
Na thoni drejt, sipas jush, sa dëgjohet zëri i gruas shqiptare të diasporë?
Më parë, femrat shqiptare, kryesisht të gjeneratave të para jashtë atdheut, kanë pasur kryesisht një zë vetëm brenda katër mureve ku kanë jetuar. Por, tani gjeneratat e reja kanë një zë më të fuqishëm në shoqëri. Femra shqiptare e diasporës ka arritur të arsimohet dhe atë e gjënë në profesione e pozita të ndryshme. Zëri i gruas shqiptare dëgjohet dhe është shumë më i fuqishëm në shoqëri, sesa para disa dekadave. Ato kanë vetëbesim më të madh, janë më të pavarura dhe luftojnë për të drejta të barabarta. Për mua është më rëndësi që të vazhdohet vetëdijesimi i gruas shqiptare edhe më tutje për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Duke filluar nga edukata që ka nëna me fëmijët e saj dhe duke mos bërë dallimin mes djalit dhe vajzës. Nëna të mos e shtypë vajzën e saj, por ta shtyjë atë që të qëndrojë në këmbët e veta dhe të jetë e pavarur, me qëllim që gjeneratat e reja të jenë më të përgatitura në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre.
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë zvicerane?
Në shoqërinë zvicerane, jam mjaft mirë e integruar dhe jam pjesë e saj, ashtu siç jam pjesë e shoqërisë shqiptare. Prejardhjen, gjuhën dhe kulturën shqiptare, asnjëherë nuk e kam mohuar e kurrë nuk do ta harroj. Jam angazhuar, me të gjitha fuqitë që i kam, për shoqërinë, në përgjithësi, e në veçanti për komunitetin tonë shqiptar, në ato fusha që është kërkuar ndihma ime dhe kam pasur mundësi të kontribuoj. Për këtë kemi marrë mirënjohje edhe nga institucionet zvicerane për kontributin e dhënë në shoqërinë zvicerane. Edhe për angazhimin tim e dhënë tash e sa vite, kam marrë disa mirënjohje nga Qendra Kulturore në Cyrih dhe nga shoqatat e dala nga lufta në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Së fundi kam marrë mirënjohje nga Ambasadori i Kosovës në Bernë, z. Sami Ukelli ‘Për angazhim të palodhur në mbështetjen e komunitetit dhe promovimin e vazhdueshëm të barazisë te diaspora shqiptare në Zvicër’.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Kosovën, vendin e lindjes, e vizitoj, së paku, një herë në vit, pavarësisht gjendjes sime shëndetësore, e cila vjen duke u rënduar. Por, kjo është e mundur, falë mbështetjes së familjarëve, e në veçanti të kushërirës sime, Kosovare Islami, e cila gjatë qëndrimit në vendlindje na ofron asistencë qe dymbëdhjetë vite. Ajo, vet, është juriste dhe shumë e sensibilizuar për nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Më mbështetjen e saj dhe të familjarëve është i mundur qëndrimi dhe udhëtimi nëpër Kosovë e viset tjera shqiptare. Më parë qëndroja deri në tre muaj, gjatë verës, në vendlindje, kurse tash, për shkak të angazhimeve në ‘Parandalo’, koha e qëndrimit në vendlindje është shkurtuar dukshëm. Pavarësisht se sa kohë qëndroj atje, mundohem të përjetoj çdo moment dhe ti vizitoj familjarët, miqtë e mi, por edhe vende e qytete të ndryshme në trojet shqiptare.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, etj.) mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Nuk mund të veçoj vetëm një grua që ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë shqiptare. Për avancimin e gruas në shoqëri, ka shumë femra që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për një avancim më të fuqishëm të gruas në shoqëri. Mua më kanë frymëzuar shumë femra e gra deri më sot nga atdheu për kontributin, guximin dhe fuqinë e tyre të treguar në periudha të ndryshme kohore. Unë mund ti veçoj disa nga këto femra që më kanë frymëzuar mua. Ato janë: Flora Brovina, mjeke dhe ish e burgosur politike; Hava Shala- Gërguri, ish e burgosur politike, pajtuese e gjaqeve dhe aktiviste; Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fatime Hetemi, dëshmore dhe ikona të luftës për çlirimin e Kosovës; Besarta Jashari, e mbijetuara e Familjes Jashari nga masakra në Prekaz; Fahrije Hoti, grua e ve nga lufta e Krushës së Madhe; Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë; Fjolla Muhaxheri Agusholli, grua e invalidit të luftës, Shpetim Agusholli, shkrimtare dhe e verbër, si dhe shumë e shumë nëna, gra, vajza të dëshmorëve të rënë për liri.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Gruaja shqiptare e diasporës ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin për të mobilizuar resurset, mbledhur ndihma humanitare për refugjatët dhe për të sensibilizuar opinionin për situatën në Kosovë. Përmes aktiviteteve kulturore, artistike dhe edukative, gratë shqiptare kanë promovuar kulturën dhe historinë shqiptare, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për nevojën për pavarësi dhe liri për popullin në Kosovë. Ajo ka qenë gjithnjë forcë për familjen edhe për çështjen kombëtare, duke qenë pjesë në organizatat dhe lëvizjet e diasporës. Në veçanti është dhënë edhe një kontribut i rëndësishëm në fushën e diplomacisë dhe të lobimit kombëtar. Nga ajo kohë, mund të veçoj këto femra aktive: Saime Isufi, veprimtare e njohur e çështjes kombëtare dhe ish-bashkëshortja e heroit të kombit, Kadri Zeka; Donika Gërvalla-Schwarz, vajza e dëshmorit Jusuf Gërvalla dhe tani Ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës; Hava Shala-Gërguri, ish e burgosur politike, pajtuese dhe aktiviste; Shukrije Ramadani dhe Zarije Bajrami, gra të dëshmorëve të kombit, që i çmoj veçanërisht për kontributin edhe si nëna të fëmijëve të dëshmorëve.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e re në ruajtjen e traditës kombëtare (etnokulturës tonë)?
Gjendja e rinisë në vendlindje më shqetëson tej mase, për shkak të mungesës së perspektivës për punësim dhe mundësive për të financuar veten, gjë që e rrezikon atë ndaj varësive të ndryshme. Dukuri negative që e dëmtojnë rëndë rininë tonë, e cila është më e reja dhe më e shëndosha në Evropë, por, fatkeqësisht, kjo rrezikshmëri ende nuk është marrë seriozisht nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria jonë.
Sa i përket ruajtjes së traditës kombëtare, gjeneratës së re i mungojnë njohuritë e thella rreth historisë së fundit, për luftën dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, por edhe për luftën në Kosovën Lindore dhe në Maqedoninë e Veriut. Të rinjtë nuk kanë pasur mundësi të mësojnë në librat shkollorë këtë histori, pasi që nuk shkruhet asgjë rreth luftërave të fundit që ka përjetuar populli shqiptar, e që nuk është aspak e mirë, se pikërisht rinia jonë ka nevojë të avancohet, vetëdijesohet dhe ta vlerësojë e ruajë lirinë dhe të dojë atdheun. Kam dëshirë që të shoh një vullnet më të madh te të rinjtë tanë për ruajtjen dhe ndërtimin e një shtetit të ri, siç është Kosova. Mbi të gjitha, mos ta shohin Kosovën si të pashpresë dhe të mos nënvlerësojnë lirinë që është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve. Do të kisha dëshirë që shteti dhe shoqëria në vendlindje t’u ofrojë mundësi të rinjve që të ndërtojnë më tutje shtetin e Kosovës dhe të kenë të drejta e mundësi të barabarta për punësim dhe një jetë më kualitative.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Gruaja shqiptare e diasporës mund të mbështetet në disa mënyra. Njëra është mirëqenia dhe zhvillimi më i mirë i Kosovës dhe i viseve tjera shqiptare dhe shoqërisë atje, që mos ti kemi më barrë.
(Intervista është botuar në librin „Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare (Pjesa e dytë) “ me autor D. HebibiI. /helveticALforum.ch
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Shkodran Tolaj: ”Artistët kanë përgjegjësinë të inspirojnë dhe të ruajnë identitetin kulturor”
Çka tha Doc dr.sc. Shoip Shoipi, Mjeku më i mirë për vitin 2024 në Kroaci?
Mirjeta Baraliu – mbi dy dekada kontribut në afirmimin e Kosovës në kinematografinë botërore
Skandaloze: Turistët nga Vlora i detyrojnë të ecin me orë të tëra për të arritur te pistat e skijimit në Brezovicë
Kandidatët për kryeministër injorojnë “elefantin në dhomë”
Rezi flet për Gjestin me rikthimin në Big Brother Kosova, por nuk i lejohet të japë informacione për të
Arsenali hyn fuqishëm në afatin e janarit – ofron 75 milionë euro për top sulmuesin
Ekzistojnë tri teknika të provuara për zbrazjen e shpejtë të zorrës së trashë
Liverpooli ofron tre lojtarë për ta transferuar yllin i cili do ta zëvendësojë Salahun
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti i kërkon fotografi pas BBVA, Unikkatil: Lajmëromu kur ta kryesh
Gresa me akuzë direkte ndaj produksionit të BBVK: E keni bërë dhe vazhdoni ta bëni këtë lojë
Doli nga shtëpia fshehurazi prindërve dhe festoi me miqtë, pas 6 ditësh në koma, ndërron jetë 13-vjeçarja shqiptare pas aksidentit në Itali
Mediumi i afërt me Barcelonën zbulon katër oferta marramendëse që ka pranuar Yamal
Gjesti dhe Egli sqarojnë raportin mes tyre gjatë spektaklit të BBVA
Super kompjuteri parashikon fituesin e Ligës së Kampionëve për 2024-25: Çfarë sezoni do të ishte për ta