LAJMI I FUNDIT:

PASTHËNIA E UJKUT PËR PËRRALLËN E KËSULËKUQES

PASTHËNIA E UJKUT PËR PËRRALLËN E KËSULËKUQES

Poezi nga: Agha Shahid Ali
Përktheu (nga anglishtja): Gëzim Basha

Së pari, ma njihni një sens historie:
gjithçka unë e bëra për brezat që vijnë,
Për edukatoret e kopshteve
Dhe moralin e përkorë:
Vogëlushet nuk duhet ta lënë kurrë shtëpinë
Në kërkim lulesh të panjohura,
As duhet të flasin me të panjohurit.

Kuptomani, ju lutem, më mirë intrigën:
A s’mundesha unë ta kapërdija
Mu aty, në xhungël?
Përse e pyeta ku rronte gjyshja?
Athua se unë, banor i pyllit,
S’e paskësha ditur ku binte kasollja
e plakës që rronte aty fill
e vetme, nën tre lisa!
A s’mund ta përlaja vite më parë?!


Ju mund të më thirrni, “i Madhi Ujk-Keqi”
Tani për tani, i vetmi nam i imi.
Por, unë nuk kam qenë ngacmues fëmijësh
Edhe pse, pajtohemi, ajo ish aq e bukur.

Sa për gjuetarin:
Vërtet flija unë kur ai me gërshërë,
Ma priste gëzofin e trashë e të zi,
Dhe barkun më mbushte me kandra dhe gurë?
Unë vrapova dhe u rrëzova
Thjesht për t’i bërë fëmijët të qeshnin
Me zhurmën e gurëve që prej barkut më ranë.
Me kandrat që u shpërndanë…

Unë shfaqa një sens perfekt te kohës
Mu në atë pikë kur përralla
Duhej me doemos të mbaronte.