LAJMI I FUNDIT:

Presidenti i Bangladeshit i kërkon Kosovës të blejë nga vendi i tij veshje dhe barna

Presidenti i Bangladeshit i kërkon Kosovës të blejë nga vendi i tij veshje dhe barna

Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, sot bëri thirrje për Republikën e Kosovës që të importojë produkte të gatshme të veshjeve dhe produkte farmaceutike me cilësi të lartë dhe me çmime të përballueshme të prodhuara në Bangladesh.

Ai bëri këtë thirrje gjatë pranimit të letrave kredenciale nga ambasadori i ri i Kosovës në Bangladesh, Lulzim Pllana, në ceremoninë e mbajtur në rezidencën presidenciale Bangabhaban.

Gjatë takimit, Presidenti Shahabuddin theksoi rëndësinë e vizitave të ndërsjella dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dhomave të tregtisë dhe industrisë së të dyja vendeve për të nxitur tregtinë dhe investimet, njofton BSS News.


Ai kujtoi kontributin e paqeruajtësve të Bangladeshit në Misionin e Paqes në Kosovë (UNMIK) për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

Duke folur për krizën në Ukrainë, Presidenti u shpreh se Bangladeshi është thellësisht i shqetësuar për luftën atje dhe bëri thirrje për një zgjidhje politike për t’i dhënë fund konfliktit.

Presidenti falënderoi Qeverinë e Kosovës për hapjen e Misionit të saj Diplomatik në Dhaka, duke theksuar se kjo ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve miqësore.

Gjithashtu, ai ftoi Republikën e Kosovës që të punësojë punëtorë të kualifikuar nga Bangladeshi në sektorë të ndryshëm.

Nga ana tjetër, ambasadori Pllana kërkoi mbështetje nga Presidenti për kryerjen e detyrave të tij dhe shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar të ofrojë më shumë mundësi për studentët nga Bangladeshi që të studiojnë në Kosovë.

Si pjesë e ceremonisë shtetërore, ambasadori i Kosovës u nderua me një “gardë nderi” nga Regjimenti i Gardës Presidenciale (PGR). Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe sekretarë të ndryshëm të shtetit./Telegrafi/